Interesim i madh për Green Card

Lajme

Interesim i madh për Green Card

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 12:26

Fillon aplikimi për lotarinë amerikane edhe në Kosovë. Interesimi i kosovarëve është mjaft i madh që në ditët e para.

Të interesuarit për leje-qëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes programit të lotarisë, tashmë mund të aplikojnë në të gjitha qendrat e Kosovës. Që në ditët e para ka interesim mjaft të madh për një gjë të tillë. Arten Maliqaj, student 23 vjeç nga Suhareka, është njëri prej tyre.

“Aplikoj të fitoj Green Card që të vizitoj Amerikën. Pra vetëm për vizitë. Kjo është një mundësi e mirë, le ta provojnë të gjithë, se nuk i dihet”, thotë ai.

Doresa Tafa nga Gjakova 23 vjece, e cila tashmë ka mbaruar studimet themelore, ka aplikuar në këtë program, me shpresë që të shkojë për studime të mëtejshme në SHBA. Ajo vlerëson se kjo është mundësi shumë e mirë për të gjithë të interesuarit.

“Kam aplikuar që ditën e parë që është hapur aplikacioni. Mundësi jo vec e mirë por mund të them ndër mundësitë më të mira që të ofrohet në jetë, për arsye se nuk kushton shumë, nuk kërkon kritere të veçanta, dhe nuk është një cmim i shtrejtë se shërbimet janë shumë të mira”, thotë ajo.

Agron Gjeloshi, themeluesi i kompanisë “Green Card amerikane” që mundëson aplikimin e kosovarëve drejtpërdrejt në Kosovë, edhe vet ka fituar këtë lotari. Në intervistë për radio Kosovën, Gjeloshi thotë se duke parë fluksin e madh të njerëzve që kaluan ilegalisht kufirin drejt Evropës, ka ndërmarrë këtë nismë për t’iu mundësuar të interesuarve që të fitojnë Green Card dhe të shkojnë në mënyrë të ligjshme në Amerikë. Ai sqaron se kriteret për aplikim janë të thjeshta.

“Kushti i parë është me e pasë të kryer shkollën e mesme. Edhe familja nëse aplikon, prindi duhet ta kryejë shkollën e mesme dhe fëmijët nën 21 vjec, shkojnë në aplikim me prindërit. Pagesa për një individ është 25 euro, ndërsa për tërë familjen 35 euro”, sqaron ai.

Gjeloshi garanton se të gjitha aplikacionet do të jenë pjesë e lotarisë, ndërkaq fituesit do t’i ndihmojnë deri në marrjen e dokumenteve përmes ambasadës amerikane, pa pagesë shtesë. Ai thekson se gjasat e shqiptarëve për të fituar lotarinë amerikane janë shumë të mëdha.

“Kosova dhe Shqipëria radhiten në top-10 prej krejt shteteve në botë për Green Card amerikane. Kosova dhe Shqipëria përafërsisht do të jetë 7-8 për qind e aplikuesve do të fitojnë, në krahasim me vendet e Afrikës për shembull që fitojnë vetëm 0.02 për qind”, thotë ai.

Rezultatet e lotarisë amerikane publikohen më 3 maj të vitit 2016 në ueb-faqen e qeverisë amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat