Poezi prekëse e zonjës Nysrete Kumnova në ditëlindjen e djalit të saj të pagjetur

Lajme

Poezi prekëse e zonjës Nysrete Kumnova në ditëlindjen e djalit të saj të pagjetur

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 11:02

Çdo ditë e saj, përcjell në vete dhimbjen që ka në shpirt. Kurse, sot dhimbja për zonjën Nysrete Kumnova është shumëfish më e madhe. Sot djali i saj, Albioni, eshtrat e të cilit ende nuk janë gjetur, mbush 38 vite.

Zonja Nysrete, këtë dhimbje të madhe e ka shprehur nëpërmjet një poezie, kushtuar djalit të saj të pagjetur Albionit.

Albioni është në mesin e rreth 2000 mijë personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë./BS

Albion, biri ynë, sot 38 vite më parë në shtëpinë tonë zbardhi drita...

ALBION, BIRI IM

Sot të shikoj vetëm në fotografi
Dhe flas me heshtjen time
Pres ta dëgjoj zërin tënd si dikur
Ti më shikon në sy dhe buzëqeshë
Ashtu siç më shikove në ndarje
Në bebëzat e syve të mi rrëshqet loti
Dua të përqafoj edhe një herë bir
Përkëdhelë fotografinë tënde
Dhe të dyve na mund sërish heshtja
Pastaj kthej sytë nga qielli
Të shikojë në lartësinë e merituar
Më shfaqesh si yll që ndriçon lirinë e Kosovës
Unë humb në mendimet e mia
Ndjej dorën tënde mbi krahun tim si dikur
Biri im dritë e syve të mi numëroj vitet pa ty
Koha plaket ti mbetesh i ri përgjithmonë
Emri yt shkruan historinë e Kosovës
Shembull për breza si mbrohet pragu atdheu
Margaritar në radhët e gjata të martirëve
Albion biri im nëna përherë ti përkund kujtimet
Në moshën tënde rinore të rrëmbyen barbarët
Por jo edhe ëndrrën tënde lirinë
Sot nuk kam ku të vendos as një buqetë lule
Edhe varri yt i hapur pret kthimin tënd në atdhe
Shiu qan lumenjtë derdhen retë përqafojnë mallin
Dua biri im të prehesh i qetë në atdhe
Në vendlindjen tënde ta ndjesh aromën e lirisë
Në Kodrën e Çabratit të presin bilbilat
Ta këndojnë këngën që të mbeti vetëm mall
Mbi varrin tënd të mbijnë lulet e lirisë
Të na dërgosh çdo mëngjes përqafime malli
Për mua, babanë tënd dhe motrat që nuk iu tha kurrë loti
Të bashkohemi sërish e ta bëjmë dasmën tënde të madhe
Me krushqit e lirisë në ditën e kthimit tënd
Jeta qenka bir vetëm një ëndërr dhe vdekja jote përjetësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat