Kriza e emigrantëve, OKB: BE të strehojë 200 mijë refugjatë

Lajme

Kriza e emigrantëve, OKB: BE të strehojë 200 mijë refugjatë

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 16:09

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka drejtuar një apel të qartë për Europën, duke i kërkuar të pranojnë 200 mijë refugjatë si pjesë e strategjisë së përbashkët për të përballuar fluksin e emigrantëve. Gjatë ditëve të fundit situata e rëndë e krijuar nga fluksi i refugjatëve në Europë ka shkaktuar reagimin e zyrtarëve të lartë të OKB-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Bashkimi Europian të hartojë një program për shpërndarjen në masë të rreth 200 mijë emigrantëve mes shteteve anëtare”, ka thënë komisionari i Lartë i OKB për Refugjatët, Antonio Guterres.

“Eksodi i refugjatëve nga Siria dhe Afrika e Veriut drejt Evropës është një emergjencë e madhe, një krizë reale”, ka deklaruar ndërkohë gjenerali Martin Dempsey, shef i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura amerikane.

Zyrtari amerikan në një intervistë për rrjetin informativ “ABC”, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën dhe ka nënvizuar nevojën e veprimit nga të gjitha palët, “si në mënyrë të njëanshme, ashtu edhe në aleancë”. “Kjo që po ndodh është një problem i përgjithshëm, ndaj duhen paraqitur masat e duhura që të mundësojnë përballimin e krizës për të paktën 20 vjet”, ka thënë Dempsey.

Më pas Dempsey, duke komentuar foton e vogëlushit sirian që nxirrej i vdekur në brigjet e Turqisë është shprehur se, ajo duhet të japë të njëjtin efekt të sulmit me mortaja të vitit 1995 në sheshin e Sarajevës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat