Krimineli i luftës, zyrtar i lartë në Partinë Socialiste

Lajme

Krimineli i luftës, zyrtar i lartë në Partinë Socialiste

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 14:16

Ish-zëvendës kryeministri jugosllav Nikola Shainoviq u zgjodh në bordin kryesor të Partisë Socialiste, pasi dënimi i tij me burg për krime lufte në Kosovë përfundoi.

Ish-zëvendës kryeministri jugosllav Nikola Shainoviq u zgjodh në bordin kryesor të Partisë Socialiste, pjesë e koalicionit qeverisës të Serbisë, pasi dënimi i tij me burg për krime lufte në Kosovë përfundoi.

Partia Socialiste e Serbisë emëroi Shainoviqin si anëtar të bordit të saj kryesor të enjten në mbrëmje, vetëm një javë pasi ai u kthye në Beograd pasi kreu dy të tretat e dënimit të tij për krime lufte.

Shainoviq ka qenë anëtar i socialistëve që kur partia që dikur drejtohej nga Sllobodan Millosheviq u themelua në vitin 1990.

Por ai nuk ka qenë i përfshirë në politikë që kur u dorëzua në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e cila e dënoi atë si përgjegjës për një fushatë dhune gjatë luftës së Kosovës të vitit 1999.

Fillimisht ai u dënua me 22 vjet burg, por janarin e kaluar gjykata e uli dënimin e tij në 18 vjet burg, duke e shpallur atë fajtor për pjesëmarrje në një sipërmarrje të përbashkët kriminale që synonte shpërnguljen me forcë të popullsisë shqiptare të Kosovës.

Si rezultat, më shumë se 11,000 njerëz u vranë dhe më shumë se 700,000 shqiptarë të Kosovës u dëbuan.

Në kthimin e tij në Beograd të mërkurën e kaluar, Shainoviq u tha gazetarëve se ai nuk ishte fajtor për krime lufte, por ndihej përgjegjës për atë që ndodhi gjatë konflikteve në vitet 1990.

"Nuk do të mbaj fjalime heroike dhe nuk do të them se fle i qetë dhe se e kam ndërgjegjen të qetë, sepse dikush që ka përjetuar kohën e luftës, siç më ka ndodhur mua, nuk mund të flejë i qetë. Nuk jam fajtor, por ndihem përgjegjës," tha ai.

Shainoviq shtoi se ai dhe zyrtarë të tjerë serbë u dënuan nga Gjykata e Hagës si individë, që nënkuptonte se “populli serb nuk u dënua” si një i tërë.

Ai nuk ka bërë deklarata publike që atëherë.

Gjykata e Hagës gjithashtu vendosi se Shainoviq ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe më të besuar të presidentit jugosllav Millosheviq, gjë e cila bëri që ai të kishte një rol udhëheqës gjatë luftës në Kosovë.

Pasi Millosheviqi vdiq në vitin 2006, gjatë gjyqit të tij për krime lufte në Hagë, Partia Socialiste caktoi Ivica Daçiç si udhëheqës të saj.

Daçiç u zotua ta transformonte partinë dhe të adoptonin një perspektivë evropiane. Ai është tani ministri i jashtëm i Serbisë.

Socialistët ishin partia më e madhe politike e Serbisë për më shumë se një dekadë. Ata tani janë partia e dytë më e madhe dhe kanë rreth 200,000 anëtarë.

Mediat kanë spekuluar më parë se edhe dy të pandehur të tjerë të Gjykatës së Hagës, ish-shefat e sigurimit serb Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, do t’i bashkohen partisë, por Daçiç i mohoi pretendimet.

Simatoviq dhe Stanishiq u liruan nga akuzat për krime lufte vitin e kaluar dhe tani po presin vendimet e tyre përfundimtare të apelit, që duhet të jepen në dhjetor 2015./Kallxo.com

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat