Njihen pensionet e emigrantëve

Lajme

Njihen pensionet e emigrantëve

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 08:06

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Gjermani dhe Çeki tashmë do të mund të përfitojnë nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në vendet ku ata punojnë dhe jetojnë. Kjo bëhet e mundur në bazë të marrëveshjeve të miratuara dy ditë më parë nga qeveria shqiptare me këto dy shtete e cila, në bazë të rregullave ndërkombëtare, garanton mbrojtje sociale për shqiptarët që jetojnë e punojnë në këto vende. Mbi bazën e marrëveshjes së nënshkruar me Gjermaninë shqiptarët fitojnë të drejtën e pensionit duke mbledhur vitet e punës që kanë atje apo dhe në shtetit tonë.

Por ndërkohë përfitues janë edhe qytetarët shqiptarë që kanë marrë apo do të marrin shtetësinë gjermane, sepse nuk humbet e drejta e përfitimit të një pensioni për aq vite kontribute sa kanë ndenjur në Shqipëri. Mbi bazën e këtyre marrëveshjeve sipas MMSRsë, do të përfitojnë 14 300 emigrantë shqiptarë në Gjermani dhe 280 emigrantë në Çeki, shifra këto të zyrtarizuara nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë.

Marrëveshje

Burime zyrtare nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë sqarojnë për “Shekullin”, përfitimet e emigrantëve shqiptarë në Gjermani e Çeki. Sipas këtyre burimeve, projektmarrëveshjet bilaterale në fushën e mbrojtjes shoqërore konsistojnë në ofrimin e përfitimeve nga sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore dhe bazohen në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura. Gjithashtu, rregullat koordinuese garantojnë që personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre, si edhe të mbijetuarit, të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke i fituar.

Bashkimi i periudhave të siguruara sipas legjislacioneve kombëtare të ndryshme merret në konsideratë, për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e pensioneve përkatëse të këtyre personave. Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Gjermanisë garanton përfitime edhe për shqiptarët që tashmë kanë marrë nënshtetësinëgjermane kjo sepse skema shqiptare i ofron pensionet jo mbi bazë shtetësie dhe rezidence, por mbi bazë kontributi të paguar, dhe në ligjin shqiptar është parashikuar që ofrohet e njëjta mbrojtje si për qytetarët shqiptarë, ashtu edhe për qytetarët e huaj, të cilët punojnë, paguajnë dhe kontribuojnë në skemën shqiptare.

Në këtë mënyrë edhe shqiptarët që kanë marrë pasaportë gjermane dhe e kanë lënë nënshtetësinë shqiptare, nuk e humbasin të drejtën e përfitimit të një pensioni për aq vite kontribute sa kanë ndenjur në Shqipëri, sepse nuk merret për bazë nënshtetësia, merret për bazë kontributi i paguar, puna formale që kanë bërë në Shqipëri. Nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, janë rreth 14 mijë e 300 shqiptarë të cilët jetojnë e punojnë në Gjermani si dhe rreth 280 shtetas shqiptarë të cilët jetojnë e punojnë në Republikën Çeke.

Projektmarrëveshja me Republikën Çeke, është finalizuar në 26-28 maj 2015, në Pragë, ku u diskutuan dhe u parafimuan tekstet e projektmarrëveshjes bazë dhe të projektmarrëveshjes administrative në zbatim të saj. Projektmarrëveshja me Republikën Federale të Gjermanisë, u finalizua në Berlin, në datat 27-30 prill 2015, ku krahas marrëveshjes bazë u miratua edhe protokolli përfundimtar si pjesë e pandarë e kësaj marrëveshjeje dhe në zbatim të saj. Këto projektvendime të cilat kanë marrë tashmë miratimin e qeverisë janë iniciuar në zbatim të detyrimit të përcaktuar në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe programit të qeverisë.

Në përputhje me eksperiencën ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes shoqërore, mbrojtja e emigrantëve rregullohet nëpërmjet aderimit në instrumentet ligjorë ndërkombëtarë në fushën e mbrojtjes shoqërore, nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale midis vendeve respektive si dhe nga legjislacioni kombëtar. Projektvendimet janë pjesë e procesit të koordinimit të skemave të mbrojtjes shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera. Mbi bazën e kësaj skeme, ka shkuar në 8 numri i marrëveshjeve të nënshkruara ku veç Gjermanisë dhe Çekisë është zyrtarizuar bashkëpunimi edhe me Belgjikën, Luksemburgun, Hungarinë, Rumaninë, Maqedoninë dhe Kanadanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat