Tekstet shkollore në Maqedoni: Përmbajtje fyese për shqiptarët

Lajme

Tekstet shkollore në Maqedoni: Përmbajtje fyese për shqiptarët

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 07:52

Shqiptarët e Maqedonisë prejardhjen e kanë nga Shqipëria veriore dhe e mesme. Në Maqedoni ka disa fise shqiptare që e llogarisin veten si autoktonë. Kryesisht ata janë maqedonas që gjatë periudhës së sundimit turk e kanë pranuar fenë islame dhe gradualisht janë shqiptarizuar. Kështu etiketohen shqiptarët në librin e gjeografisë për vitin e parë të shkollave të mesme.

Profesori i gjeografisë Burim Aliu thotë se këto përmbajtje janë fyese dhe irritojnë shqiptarët. Aliu thotë se ai por edhe të gjithë kolegët e tij këto pjesë do ti anashkalojnë gjatë orëve të mësimit.

“Gabimet janë shumë të mëdha sidomos tek popullata shqiptare dhe ku përmendet se çfarë prejardhje kanë, prej nga vijnë dhe prej cilave troje vijnë ata, që përmendet që është edhe si shkruan vet në libër, besoni unë nxënësve as që nuk ua shpjegojë, atë faqe vetëm thjesht e përmend dhe u them se nuk ka nevojë që ta mësojnë, edhe pse shpesh herë vije që nxënësit irritohen, por unë u them le ta marrin shtruar se vërtet këto fakte janë gabim dhe duhen shmangur,” deklaroi Burim Aliu, profesor i gjeografisë.

Ndërkohë në librin e historisë për vitin e parë të shkollave të mesme fiset ilire të Enkelejve dhe Dasaretëve paraqiten si fise maqedonase duke shtrembëruar k ështu faktet historike mbi të kaluarën e tyre ilire.

“Unë mendojë se kjo problematikë flitet vite me radhë dhe nuk po gjendet mënyrë që të evitohet, unë do të kisha thënë le të na kthen dikush buzëqeshjen tonë, qoftë ajo e jona personale si profesor, mësimdhënës të një lënde që e kemi ne por edhe nxënësve. Nuk do të ishte ndoshta problem për neve mësimdhënësit sa ajo paraqet problem për gjeneratat e reja, për nxënësit se gjithë ajo që sot kemi nëpër duar vërtet paraqet një problem. Në një njësi mësimore gjen të njëjtin argument dhe po ashtu në një njësi tjetër e gjen të njëjtin argument, kështu që vërtet krijon një huti dhe jo të arrijë qëllimin didaktik si tekst shkollor,” u shpreh Naser Miftari, profesor i historisë.

Ministri i Arsimit Ademi pranoi defektet, duke paralajmëruar ndryshime ligjore për evitimin e gabimeve. Ademi gjithashtu tha se tashmë ka kërkuar ndihmë edhe nga Instituti për Trashë gimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni por edhe nga Instituti i Historisë në Tiranë dhe Prishtinë.

“Përpilimi i një teksti shkollor është problematik veçanërisht tekstet që kanë të bëjnë me historinë, me gjuhën, kulturën e popujve që jetojnë në Maqedoni dhe një pjesë bukur e mirë e këtij aktivitet duhet t’u lehet vetë institucioneve, jo arsimore por institucioneve shkencore, në veçanti historianëve që janë më të thirrur për këto çështje,” deklaroi Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Tashmë vite me radhë pjesa dërmuese e teksteve shkollore, në të cilat mësojnë nxënësit shqiptarë, kanë përmbajtje fyese, me shumë gabime gjuhësore dhe shtrembërime të fakteve dhe historisë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës disa herë ka paralajmëruar përmirësimin e gabimeve por deri më tani asgjë nuk është ndërmarrë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat