Djaloshi që zbuloi kufomën e Aylin: Tmerri që pashë me sytë e mi

Lajme

Djaloshi që zbuloi kufomën e Aylin: Tmerri që pashë me sytë e mi

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 20:43

Fotoja e Aylan Kurdi, ku ai shfaqej i kthyer përmbys në një plazh pranë Bodrumit në Turqi, pas mbytjes së varkës në të cilën ndodhej familja e tij, theu miliona zemra. Në një foto tjetër, sërish Aylan i kthyer përmbys, por pranë tij, një roje turk. Në një tjetër, roja po e mbante në krahë. Brenda 24 orësh, ai u kthye në simbolin e krizës së emigrimit në Europë. Në mënyrë tragjike, vdiqën edhe vëllai i tij 5-vjeçar, Galip dhe e ëma, Rehan. Bashkë me ta, edhe nëntë të tjerë, që po lundronin me dy varka të ndara nga ishulli i Bodrumit për në brigjet greke. Sot, babai i djemve të mbytur, Abdullah, i cili u përpoq ta shpëtonte familjen kur varka u përmbys, mbërriti në morg në qytetin e Muglas, për t'u dhënë lamtumirën e fundit.


Trupi i pajetë i Aylen Kurd

Një banakier turk ka rrëfyer tronditjen kur zbuloi, bashkë me një mikun e tij, trupin e pajetë të Aylin dhe të një vogëlusheje në plazhin e hotelit ku punon prej 3 vjetësh. Adil Demirtas, 18 vjeç, banakier dhe shef kuzhine në një hotel në Plazhin e Artë në ishullin Bordum, tha se e kishte parë trupin e pajetë të fëmijës, bashkë me trupin e një vajze të vogël, kur mbërriti në punë, dje në mëngjes, rreth orës 06:30. Me një mikun e tij, të dy të tmerruar, i nxorrën trupat nga uji në rërë dhe më pas njoftuan ambulancën.

Por ishte shumë vonë për të shpëtuar jetët e vogla.

Demitas kishte mbërritur herët në punë dhe po përgatiste barin, kur dëgjoi mikun e tij të bërtiste, teksa po tregonte diçka në ujë. “Vrapova në drejtim të tij dhe i pashë ata. Isha shumë i frikësuar. Ai më ndihmoi t’i nxirrja nga uji. Dukeshin ende të gjallë, sikur ishin duke fjetur, sikur po buzëqeshnin. Fytyrat, krahët dhe këmbët e tyre dukeshin të gjalla. Nuk mund të kishin qenë në ujë për më tepër se një orë. Sytë e tyre ishin të hapur. Ua mbylla lehtësisht”, tregon ai.

Adoleshenti tregoi se ishte prekur thellësisht nga ky zbulim i frikshëm. “Nuk mund të haja. Nuk mund të flija mbrëmjen e shkuar. Vijoja të mendoja për dy fëmijët”, tregoi ai për “Mail Online”. “Unë nuk kam fëmijë, por vëllai im ka dy, afërsisht në të njëjtën moshë dhe unë jam shumë i afërt me ta. Do të mendoj për këtë për një kohë të gjatë, besoj.”

Për banakierin, pamja e varkave që sjellin familje të dëshpëruara, është bërë e zakonshme gjatë muajve të fundit. Çdo mbrëmje, ai ulet me miqtë e tij dhe sheh trafikantët që nisen me tre ose katër varka, me nga 10 vetë. Muajin e shkuar, ai kishte notuar për të shpëtuar 6-7 vetë, të cilët kishin rënë në ujë.


Plazhi në Bodrum ku u gjet kufoma e Aylin Kurd

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat