Statutin e AKS-së po e shkruajnë mbi 10 ekspertë serbë e ndërkombëtarë

Lajme

Statutin e AKS-së po e shkruajnë mbi 10 ekspertë serbë e ndërkombëtarë

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 17:46

Ljubomir Mariq, koordinator i Ekipit drejtues për themelimin Asociacionit të Komunave serbe dhe njëkohësisht ministër i Pushtetit dhe i Administrimit lokal në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se teksti i Statutit të AKS-së do të jetë gati shumë para afatit prej katër muajsh, siç është përcaktuar në Bruksel.

Kështu ka thënë ai për mediat serbe.

Ai ka shtuar se po vazhdojnë bisedimet për formimin ekipit të ekspertëve të grupeve punuese dhe ekipeve për përkrahjen e hartimit të Statutit të AKS-së. Ekipi i ngushtë që do të punojë në tekst do të ketë më shumë se 10 ekspertë e sipas nevojës dhe në varshmëri nga temat, ky numë do të rritet.

“Po punojmë me tërë fuqinë dhe presim që dokumenti, i cili do të jetë bazë për themelimin Asociacionit, të bëhet gati në afatin sa më të shkurtë të mundshëm. E kemi kornizën, janë miratuar parimet për formimin AKS-së dhe versioni i parë do të jetë i gatshëm para dhjetorit, ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë ai.

Në hartimin e statutit të AKS-së, pos ekspertëve serbë, marrin pjesë edhe të huaj.

Mariq ka theksuar se AKS nuk është i orientuar kundër askujt dhe se ai do të mundësojë jetën e përbashkët në Kosovës, ndërsa nuk ka përjashtuar mundësinë që Prishtina që të bëjë obstruksione në punën e AKS-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat