Zhduket protesta anonime e Facebook-ut

Lajme

Zhduket protesta anonime e Facebook-ut

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 10:45

Më datën 5 shtator 2015, në ora 14:00 ishte ftuar i “gjithë populli i Kosovës” të marrë pjesë në një protestë gjithë popullore përmes rrjetit social Facebook, ku ngjarja është regjistruar me emrin “Protestë popullore”.
Por, kjo ftesë është anonime megjithëse në listë për t’i prirë protestës janë shënuar emra publikë të profileve të ndryshme.

Zyrtarë të subjekteve opozitare janë shprehur se nuk kanë pranuar ftesa zyrtare dhe se nuk e dinë se nga kush është organizuar kjo protestë.

Muharrem Nitaj, zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë për KALLXO.com, se nuk e dinë se e kujt është kjo iniciativë, përkundër që në listë është i shënuar edhe emri i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Krejt çka dimë është ajo që kemi lexuar në media. Ideatorët e saj, paraprakisht do të duhej ta kishin diskutuar me njerëzit që i kanë ftuar, në këtë kuadër edhe me zotin Haradinaj, e jo ta bëjnë akt të kryer në rrjetet sociale”, tha Nitaj.

Sipas tij Aleanca ka shumë arsye për të protestuar, por se nuk mund të jetë pjesë e protestave pa adresë.

“Sa i përket pyetjes suaj nëse do të marrim pjesë në protestë, unë mund të them se Aleanca i ka 1001 arsye për të protestuar edhe për demarkacionin edhe për ASK-në, por ajo është parti serioze dhe nuk mund të jetë pjesë e protestave pa adresë”, tha Nitaj.
“Deri më tash është kështu. Se çka do të ndodhë deri me 5 shtator, për kur qenka caktuar kjo protestë, unë nuk e di dhe në rastin më të keq do të duhet të presim”, pohoi Nitaj.

Bilal Sherifi, sekretar i Nisma për Kosovën, tha se nuk i komenton postimet e rrjeteve sociale.

“Nuk i komentoj postimet e askujt të rrjeteve sociale. Ne nuk e dimë kush është organizatori. Çdo lajm, çdo ftesë që bëhet përmes rrjeteve sociale nuk i komentoj as si parti, as si individ sepse nuk i frekuentoj rrjetet sociale”, u shpreh Sherifi.

Ndërkaq, Kallxo.com ka kontaktuar edhe Frashër Krasniqi, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje që njihet si subjekti më i zëshëm opozitar, për të pyetur nëse do të jenë pjesë e protestës të së shtunës.

Pavarësisht se Krasniqi i ka pranuar pyetjet prej më shumë se dy ditësh, ai nuk ka kthyer përgjigje, çka e bën LVV të vetmen forcë opozitare që nuk është përgjigjur mbi autorësinë dhe qëndrimin ndaj protestës.

Ndërkaq sot në mëngjes, faqja e protestës anonime nuk figuron më në Facebook, ccka përkon me rastësi të pazakonta sa i takon kohës së hapjes dhe mbylljes së saj, ndërkohë që faktorët opozitare jepnin apo nuk jepnin përgjigje mbi këtë ngjarje.

Ndryshe, në ftesën që ishte bërë në Facebook, për t’u bashkangjitur në protestë, kishte edhe reagime të qytetarëve.

Disa nga ta janë të interesuar të dinë se kush është organizatori.

E.M. ka shkruar “Mfalni kush e organizon kta..”, “Kush jeni ju”, është pyetja e S.S. Përgjigjet qytetarët i kanë marrë nga Organizata Joqeveritare Për Popullin e cila në Facebook është duke u ndjekur nga vetëm rreth 300 persona.

“Ti bashkë me krejt popullin e Kosovës”, dhe “Ne jemi S.S. dhe plot qytetarë të tjerë të Kosovës”, ishte përgjigja e tyre për të interesuarit.

Tani, kjo faqe që deri mbrëmë ishte online, thjesht nuk ekziston më, dhe misteri bëhet edhe më i madh.

Mbetet e paqartë nëse ishte thjesht një nismë e dështuar qytetare apo një eksperiment i marrëdhënieve të publikut nga ndonjë forcë politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat