​Kryeministri fiton mbështetje nga partia për marrëveshjet e Brukselit

Lajme

​Kryeministri fiton mbështetje nga partia për marrëveshjet e Brukselit

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 18:57

Sot në takimin e radhës të Kryesisë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, njoftoi anëtarët e Kryesisë së LDK-së për punën dhe angazhimet e Qeverisë së Kosovës dhe progresin që po arrihet në shumë fusha.
Kryetari Mustafa, po ashtu e njoftoi Kryesinë e LDK-së për marrëveshjet e nënshkruara më 25 gusht 2015 në Bruksel, në kuadër të procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i përkrahur fuqishëm nga partnerët kryesor strategjik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryetari Mustafa theksoi se këto marrëveshje janë në përputhje të plotë me ligjet dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se ato do të fuqizojnë sovranitetin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Duke iu referuar faktit se këto marrëveshje janë mbështetur fuqishëm nga partnerët strategjik të shtetit të Kosovës, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, kryetari Mustafa theksoi se tashmë për Kosovën është hapur një fazë e re në rrugën e integrimeve euroatlantike si dhe në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara.
Kryesia e LDK-së e mbështeti plotësisht punën dhe rezultatet e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryetari Mustafa, përfshirë edhe vendimet e marra nga Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të dialogut në Bruksel, duke i konsideruar hapa të rëndësishëm në forcimin e gjithanshëm të shtetësisë, sovranitetit dhe rrugës integruese euro atlantike të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat