​Sharku: ATK aplikon proceduara specifike për importuesit e lëndës së parë

Lajme

​Sharku: ATK aplikon proceduara specifike për importuesit e lëndës së parë

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 18:22

Produkteve të cilat janë të liruara me Ligj në masën 8 për qind me Pakon e re fiskale nuk u janë përcaktuar procedura, ndërsa për sektorin e prodhimit që importojnë lëndën e parë është me procedura specifike, duke kërkuar konstatimin në Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) 15 ditë para porosisë së lëndës së parë me gjithë dokumentacionin se bizneset janë prodhuese. Të gjitha këto ndryshime, për bizneset po konsiderohen procedura të rënda dhe të gjata karshi atyre produkteve të gatshme që importohen në Kosovë.

Drejtori i ATK-së Nahit Sharku, për KosovaPress ka sqaruar për kompanitë prodhuese të cilat dje ishin të shqetësuara për pagesën që ata e kanë bërë me normë tatimore prej 18 për qind për lëndën e parë të produkteve bazë.

Sa i përket përgatitjeve të ATK-së për zbatimin e Ligjit, Sharku tha se formularët nuk kanë mundur të përgatiten për bizneset para hyrjes në fuqi të Pakos së re fiskale.

Sharku: Formularët nuk mund të bëhen gati para hyrjes së ligjit në fuqi

“Ne nuk mundemi me bërë formularë para se ligji të votohet në parlament, para se të hyjë në fuqi në përputhje me kërkesat ligjore. Tani formularët janë të gatshëm, në momentin që bizneset vijnë në ATK do të pajisen me të gjitha lejet. Nuk kemi të drejtë të bëjmë forma pa hyrë në fuqi ligji. Ne do t’ju ndihmojmë atyre që ata ti shfrytëzojn ë të gjitha të drejtat e tyre që i ofron ligji dhe udhëzimi administrativ”, tha Sharku.

Drejtori i ATK-së tha se të gjithë ata që kanë paguar TVSH-në në kufi dje dhe sot me 18 për qind do ta kenë të drejtën e kreditimit dhe në çdo moment mund ta shfrytëzojnë edhe si rimbursim. Sipas tij, ata asgjë nuk kanë humbur nga ajo që kanë pagur.

Sharku tha se me ligjin e TVSh-së janë të parapara lirimet për makinerinë e linjave të prodhimit, për lëndën e parë dhe po ashtu për importimin e pajisjeve teknologjisë informative.

Sharku: Prodhuesit duhet të aplikojnë me dokumente të biznesit

“Sa i përket shfrytëzimit të këtyre të drejtave në udhëzimin administrativ këto janë të përcaktuara të gjitha procedurat të cilat duhet të zbatohen nga bizneset që shërbejnë pà «r lirimet e parapara me ligj. Sa i përket kritereve që duhet të plotësohen, bizneset duhet të aplikojnë në Administratë tatimore që të informohet ATK se ata janë prodhues, me të gjitha dokumentet e regjistrimit si: dokumentin e regjistrimit të biznesit, dokumentin e regjistrimit në TVSH, pastaj të paraqesin një normativë që tregojnë se cilat produkte ata prodhojnë dhe çka ata shfrytëzojnë”, tha Sharku.

Sipas tij, kërkesa do të bëhet vetëm një herë për fillim dhe përcaktohet se këto biznese janë prodhues dhe do të kenë të drejtën të importojnë përderisa ata respektojnë kërkesat ligjore. I pari i ATK-së thotë se kjo është një procedurë shumë e thjeshtë - ata do të plotësojnë vetëm një aplikacion për të dhënë të dhënat se kush janë dhe çka ata prodhojnë. ATK me udhëzim ka afat 15 ditë në maksimum që t’i shqyrtojë kërkesat e importuesve, ku sipas Sharkut tentojnë që në afat sa më të shkurt ër ta shqyrtojnë kërkesën edhe më shpejt sesa 15 ditë.

Ndërkaq, Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve(AKB), Agim Shahini, thotë se procedurat që 15 ditë paraprakisht duhet të bëhet kërkesa nga bizneset është një procedurë e gjatë, por bizneset duhet ta respektojnë.

Shahini: Edhe pse të gjata, bizneset duhet t’i respektojnë procedurat

“Procedurat që 15 ditë paraprakisht duhet të bëhet kërkesa është një procedurë e gjatë, e që pas një kohe kjo do vihet në rend. Por duhet ta kuptojmë se bizneset duhet ta respektojnë këtë rregull, e cila është jo e mirë, por është shumë më mirë se atëherë kur kanë paguar TVSH 16 për qind”, tha Shahini.

Sipas tij, ajo çka është brengosëse është pse nuk është ky ligj i prerë nga Ministria e Financave që mos t’ju jep mundësi të negociohet me komisione në ATK, sepse këtu mund të lindë burokracia, kërkesat e mëdha të bizneseve për lirim, dhe mungojnë kapacitetet e ATK-së. Sipas tij, kjo shkon në dëm të biznesit.

Shahini: Dyshimi që mund të krijohet edhe korrupsion

“Kur dy palët negociojnë, ajo që ekzekuton dhe ajo që kërkon së ekzekutuari këtu lind edhe dyshimi që mund të krijohet edhe korrupsion. MF nuk duhet të le në duart e atyre për të negociuar se a duhet të lirohet a të mos lirohet. Pro duhet të merr vendim që të lirohet çdo lëndë e parë e cila i nënshtrohet proceduarve në prodhim apo riprodhim”, tha Shahini.

Ndërsa, importuesi, pronari i kompanisë “Nora trading”, nga fshati Llugë i Podujevës ishte mjaft i indinjuar me barrierat të cilat i ka aplikuar Qeveria ndaj prodhuesve vendorë, përkatësisht importuesve të lëndës së parë për produkte bazë.

Sylejman Konushevci, pornar i kësaj kompanie, nuk iu gëzua ligjeve të reja për tatimet. Ai ishte i obliguar ta paguajë TVSH-në 18 për qind, pasi mauna në terminal i kushton 40 euro për 24 orë në mbajtje. Fajtor për këtë sipas tij është qeveria bashkë me ATK-në, pasi kjo e fundit ishte dashur t’i njoftojë bizneset.

Konushevci: Barrierat të papërballueshme

“Ne sot kemi hasur në ndryshimet që i ka bërë Qeveria e Kosovës. Ne si prodhues këtë gëzim nuk e kemi, pasi për lëndën e parë ne sot duhet ta zhdoganojmë me 18 për qind. Në mëngjes herët iu kemi drejtuar Administratës Tatimore të Kosovës, e cila kërkon 15 ditë para importit të lëndës së parë të njoftohet ATK për lejen e importit për kontingjentin e lëndës së parë dhe të parashtrohen garancionet bankare që të lirohemi ne me 0 për qind”, tha Konushefci.

Shefi i ATK-së thotë se do t’u dalin në ndihmë si administratë të gjithë importuesve për lehtësimin e tyre në prodhim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat