Ish-kancelari gjerman për migrantët nga Ballkani: T’u mësojmë zanate dhe t’i marrim në Gjermani për punë

Lajme

Ish-kancelari gjerman për migrantët nga Ballkani: T’u mësojmë zanate dhe t’i marrim në Gjermani për punë

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 12:41

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schroder, ka propozuar që Gjermania të hap dyert për emigrantët nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët vetëm gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti, përbëjnë rreth 40 për qind të numrit të përgjithshëm të azilkërkuesve në Gjermani, kurse Schroder jo vetëm që dëshiron ti pres me duar hapur por edhe ti shkollojë sipas sistemit gjerman në vendet nga ku ata vijnë.

Të ballafaquar me krizën e migrimit që është rritur dukshëm gjatë verës, qeveria gjermane dhe komisioni evropian planifikojnë të zgjerojnë statusin e “vendeve të sigurta” për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që azilkërkuesit nga këto vende të mund të kthehen në shtëpitë e tyre pa një azil të miratuar.

Aktualisht statusin e “vendeve të sigurta” e kanë Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia, por së shpejti këtë status do ta marrë edhe Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Kjo do të thotë se çdo qytetar i vendeve të Ballkanit nuk do të mund të marrë azil në Gjermani, që në Berlin dhe Bruksel shpresojnë se kjo do ti dekurajojë njerëzit të marrin rrugë për në Gjermani.

Por ish-kancelari Schroder në një kolumne të botuar në “Die Welt”, ka shkruar se nuk mjafton kthimi i këtyre njerëzve në vendet e tyre të cilat janë shpallur si vende të sigurta, edhe pse ato nuk u ofrojnë qytetarëve të saj të rinj mundësinë e avancimit në karrierë dhe dinjitet në jetë.

“Nëse ua mbyllin dyert për procedurën e azilit, ne duhet t’ua hapim dyert për migracion ligjor”, shkruan Schroder duke shtuar:

“Kemi nevojë për një program, me të cilin do tu ndihmonin njerëzve në vendet e tyre të kualifikohen dhe të përshtaten për tregun gjerman të punës”.

Sipas tij, sistemi gjerman i arsimit profesional, në të cilin nxënësit gjysmën e kohës e kalojnë në shkollë kurse gjysmën tjetër duke punuar në praktikë, duhet të aplikohet në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Në këto vende, mund të hapim qendra gjermane të trajnimit, për të ndihmuar të rinjtë të fitojnë kualifikimet e duhura për tregun e tyre të punës, por edhe për ti përgatitur gjuhësisht dhe profesionalisht për tregun gjerman të punës. Gjithashtu duhet tu japim mundësinë të jetojnë në Gjermani, nëse me sukses dhe në kohë kryejnë shkollimin e tyre. Kështu të gjitha palët do të përfitojnë, sepse në vendlindjen e tyre do të ketë punëtorë të kualifikuar, kurse Gjermania do të ketë lehtësime në mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar”, ka shtuar ish-kancelari Schroder.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat