​Polici i dehur shqetëson qytetarët tek ura e Ibrit

Lajme

​Polici i dehur shqetëson qytetarët tek ura e Ibrit

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 16:50

Stevanoviq Vukajllo, ish pjesëtar i MUP-it serb, tani polic i Kosovës (nr. 9619), është marr sot rreth orës 14:00 me forcë nga detyra nga kolegët e tij dhe është dërguar në stacionin policor në veri të Mitrovicës, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it.

Sipas këtyre burimeve, ai ka qenë krejtësisht i dehur në vendin e tij të punës, përkatësisht tek ura e Ibrit, ndërsa qytetarët kanë raportuar pasi kanë vërejtur veprime të pakontrolluara dhe të çuditshme nga ana e policit.

“Polici i dehur ka shqetësuar tej mase qytetarët e rastit në afërsi të urës kryesore. Ai shpeshëherë ka nxjerr revolen duke kërcënuar qytetarët, ka kënduar zëshëm dhe ka bërë veprime që nuk i kanë hije një pjesëtari të policisë”, kanë thënë mes tjerash burimet.

Burimet më tej kanë shtuar se gjatë marrjes së armës së tij zyrtare në stacionin policor, atij i kanë munguar 18 plumba nga gjithsej 30 me sa ishte ngarkuar.

I kontaktuar nga Kosovapress, shefi i operativës në policinë e Kosovës për rajonin e veriut, Zhelko Bojiq, ka konfirmuar ngjarjen, duke thënë se polici në fjalë është suspenduar menjëherë dhe ndaj tij janë duke u zhvillua r procedurat e mëtutjeshme.

Ai ka mohuar që polici të ketë nxjerr armën zyrtare dhe të ketë kërcënuar dikë, por nuk ka qenë i sigurt nëse atij i ka munguar ndonjë plumb.

Ai po ashtu nuk ka dhënë detaje tjera shtesë rreth këtij incidenti. /

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat