Schmidt: Ja përse nuk duhet t’u japim para azilkërkuesve shqiptarë

Lajme

Schmidt: Ja përse nuk duhet t’u japim para azilkërkuesve shqiptarë

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 15:26

Në momentin kur gjermanët dërguan një ekip televiziv në Shishtavec të Kukësit, për të mësuar arsyen e largimeve drejt këtij vendi, kancelaria Merkel dhe kreu i zyrës për emigracionin kanë pasur reagime ditën e djeshme. Ky i fundit theksoi se shqiptarëve duhet t’u hiqet ndihma ekonomike që marrin gjatë qëndrimit në Gjermani. Situata me azilkërkuesit shqiptarë në Gjermani është cilësuar shqetësuese nga autoritetet atje, që e kanë renditur Shqipërinë si vend i sigurt origjine. Nga 1 janari e deri në fund të korrikut 2015, atje rezultojnë të kenë shkuar rreth 30 mijë shqiptarë. Autoritetet shtetërore në Shqipëri thonë se shumica ikin prej Greqisë apo Italisë.

Shishtaveci

Përgjigjen e pyetjes “Pse kaq shumë shqiptarë vijnë në Gjermani? – televizioni publik gjerman ARD kërkon ta zbulojë përmes një reportazhi të gazetares Kristine Beker. Ajo udhëtoi këto ditë drejt Shqipërisë me një grup shqiptarësh të kthyer me avion, pasi iu refuzua azili. Sipas një sondazhi, gati dy e treta e të rinjve duan t’i kthejnë shpinën vendit të tyre. Motivet e rrugëtimit të shqiptarëve drejt Gjermanisë janë ekonomike. Besnik Kuburja është një azilkërkues i cili është kthyer nga Gjermania pas refuzimit të azilit. Së bashku udhëtojnë drejt shtëpisë së tij në Elbasan. Është një shtëpi normale, ndërsa Besniku tregon se është larguar pasi nuk ka punë. “Unë isha në punë e më hoqën. Vetëm për ekonomi. Me kursimet ndërtova shtëpinë”, -tha ai. Më tej, në reportazhin prej 6 minutash, gazetarja gjermane shfaq pamje nga shtëpitë e Shishtavecit të Kukësit, një prej zonave më të prekura nga eksodi, ku mbretëron papunësia dhe mungesa e shpresës. Ajo u tregon videon e Ministrisë së Brendshme gjermane, ku u tregohet se të gjithë azilkërkuesit do të kthehen por ata thonë se nuk e besojnë. Por si përgjigje merr fjalët “Nuk e besojmë. Thuaji Merkelit që do të vijmë. Në fund, gazetarja thotë se të rinjtë nisen sipas rrëfimeve të të njohurve të tyre, të cilët me paratë e fituara në emigracion kanë rindërtuar shtëpitë e tyre.

Drejtori

Drejtori i Zyrës Federale për Emigrantët dhe Refugjatët, Manfred Schmidt, në një intervistë për revistën “Der Spiegel”, përmend edhe shqiptarët. “Kemi nevojë për procedura të shpejta, për të kryer më shpejt dëbimet. Duhet të miratojmë masa ligjore, si ndalimi i rihyrjes së njerëzve, aplikimet e të cilëve janë refuzuar. Ne gjithashtu kemi nevojë për më shumë gjyqtarë, sepse rreth gjysma e të gjitha vendimeve për azil për njerëzit nga Ballkani janë kontestuar dhe më pas duhet të dëgjohen në gjykatë”, -tha ai. Më tej, drejtorit për emigracionin iu bë një pyetje, ku thuhej se “kreu i qytetit të Erfurt, i cili është anëtar i socialdemokratëve të qendrës së majtë, ka bërë thirrje që fëmijët nga vende të sigurta të origjinës, nuk duhet të lejohen të shkojnë në shkolla gjermane, derisa të jepet një vendim për aplikimet e azilit”. Schmidt u përgjigj se “në fillim, kjo tingëllon pak mizore. Duhet të vendosim nëse do t’i dërgojmë në një klasë për tre muaj dhe më pas të kthehen në vendin e tyre, apo t’ua bëjmë të qartë që nga fillimi. Mendoj se propozimi ka kuptim”. Nga ana tjetër, një pyetje kishte të bënte me propozimin e vetë drejtorit për ndërprerjen e ndihmës financiare që u jepet shtetasve nga vendet e Ballkanit. Schmidt tha se “ne duhet të mendojmë seriozisht për një masë të tillë për vendet e sigurta të origjinës. Disa prej njerëzve nga këto vende na thonë se ata mund të jetojnë për një vit në vendet e tyre, me paratë që ne u ofrojmë atyre brenda tre ose katër muajsh. Për shembull, një familjeje prej pesë anëtarësh nga Shqipëria që, për tre muaj, përveç veshjeve, ushqimit, etj., i jepet mbi 1.600 euro (1,795 dollarë). Mesatarja e pagave mujore, për shembull në rajonet rurale të Shqipërisë është 200 euro në muaj. Pra, duket se të hollat janë një nxitje që ata të vijnë këtu.”

Merkeli

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nënvizoi dje se Bashkimi Europian duhet të avancojë në përgjigjen që duhet t’i japë krizës së imigrantëve, që kjo të mos rrezikojë të thyejë lidhjen themelore me të drejtat qytetare universale. Në një konferencë për shtyp ajo tha se “Europa duhet të lëvizë si një trup i tërë. Të drejtat qytetare universale kanë qenë deri tani të lidhura ngushtë me Europën dhe historinë e saj, si një parim themelor i Bashkimit Europian. Nëse Europa dështon me krizën e refugjatëve, kjo lidhje me të drejtat qytetare universale do të thyhet”. Më tej ajo shtoi se “kjo krizë është një sfidë për idealet e Bashkimit Europian”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat