Mos emigroni, mbjellni mjedra jetoni mirë në Kosovë

Lajme

Mos emigroni, mbjellni mjedra jetoni mirë në Kosovë

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 15:14

Sot, jemi dëshmitar që një numër i madh i të rinjve po largohen nga Kosova në kërkim të një jete më të mirë. Por, ekziston edhe ana e kundërt e medaljes. Një numër gjithnjë e në rritje i të rinjve po e shohin bujqësinë si mundësi të mirë për të filluar një biznes familjar. Kujtim Lepaja, ekspert i bujqësisë rekomandon që fermerët e rinj të fillojnë me kultivimin e mjedrës. Sipas tij, kthimi i investimeve është shumë i shpejt, ndërsa, fitimet pasi pemishtja të hynë në frytdhënje të plotë arrijnë deri në 15 mijë euro për hektarë.

Ndryshe nga shumë bashkëmoshatar të tij, që ardhmërinë e tyre e shohin në vendet perëndimore, Adnan Mengjiqi, student në përfundim të studimeve master në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, ka vendosur që njohurit e marra gjatë studimeve, ti zbatoj në praktikë.

Fermeri Mengjiqi nga fshati Lupq i epërm komuna e Podujevës, tregon për portalin “Ferma Ime” se ka filluar biznesin e tij familjar me mbjelljen e një hektari me kulturën e mjedrës. Ndërsa, nuk kursen për asnjë moment fjalët e mira për projektin NOA të USAID-it dhe komunën e Podujevës për përkrahjen në ngritjen e pemishtes. “Pasi që me profesion jam agronom gjithmonë kam menduar që të filloj me prodhim e ndonjë kulture bujqësore. Mjedrën e kam zgjedhur duke e par se mjedra është kulturë shumë profitabile”, tregon Mengjiqi.

Sipas tij, kushtet e përshtatshme për kultivimin e mjedrës, tregu i sigurt për shitje dhe çmimi i leverdishëm janë arsyet që e kanë shtyrë të filloj me kultivimin e mjedrës. “Unë, fillimisht e kam bërë një analize të kostos së prodhimit dhe e kam parë që nga kultivimi i mjedrës mund të krijohen të ardhura të mira për ekonomin familjare. Prandaj, i ftojë edhe te rinjtë e tjerë, që të fillojnë të merren me bujqësi dhe të krijojnë një mirëqenie ekonomike pranë familjeve të tyre duke i shfrytëzuar resurset natyrore që zoti na ka dhëne”, thekson Mengjiqi.

Për rendësin ekonomike të kultivimit të mjedrës tregon edhe eksperti i kultivimit të mjedrës, Kujtim Lepaja, sipas tij, kultura e mjedrës sidomos kultivarët vjeshtor kanë një përparësi që në vitin e mbjelljes fillojnë të kthehen investimet. “Mbjellët në mars, ndërsa vjelja fillon në gusht dhe përfundon në ngricat e para vjeshtore. Jetëgjatësia e pemishtes është 15 vite. Në vitin e parë të mbjelljes rendimentet janë rreth 5 tonë, në vitin e dytë rreth 12 tonë, në vitin e tretë mbi 15 tonë. Ndërsa, është me rendësi të theksohet fakti që nuk ka vështirësi për shitjen e frytit, dhe me një fitim nga 10.000 – 15.000 euro për hektarë, janë këto të dhëna të cilat me lejojnë që ti porosis ata të cilët dëshirojnë të mbjellin mjedër, mos të humbin kohe që të mendojnë dy here, por le t’i fillojnë aktivitetet për përgatitjen e tokës për mbjelljen e mjedrës”, thekson Lepaja.

Lepaja, tregon se kultura e mjedrës është duke u avancuar me hapa të mirë, siç tregon ai, këtë vit kanë qenë të mbjellura rreth 130 hektarë me mjedër në Kosovë. Ndërkaq, vitin e ardhshëm falë edhe donacioneve të ndryshme pritet që sipërfaqja të rritet në 300 hektarë. “Ky ritëm i zgjerimit të sipërfaqeve të mbjellura me mjedër do të vazhdon dhe mendoj që për një periudhë 10 vjeçare do ti kemi mbi 5000 hektarë me këtë kulturë, me të ardhura vjetore rreth 200 milion euro në vit për shtetin tonë dhe me mbi 40.000 punëtorë të rregullt dhe sezonal të punësuar”, thotë Lepaja./fermaime

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat