Rama-Vuçiç: Tri çështjet që mbeten pezull pas debatit

Lajme

Rama-Vuçiç: Tri çështjet që mbeten pezull pas debatit

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 09:44

Kosova, bashkimi i shqiptarëve dhe racizmi mes serbëve e shqiptarëve ndanë dje dy kryeministrat gjatë debatit në një televizion austriak. Rama dhe Vuçiç premtojnë se kanë lënë pas kockat e së kaluarës dhe po “kërcejnë” së bashku në mënyrë të sinkronizuar përballë Bashkimit Europian.

Për Edi Ramën, nacionalizmi është “primitiv”, Aleksandër Vuçiç e sheh atë si një “kockë” që mund të përdoret për të vrarë njëri-tjetrin, “pasi armë më të mira nuk kemi”. Debati televiziv mes dy kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë, i regjistruar në Vjenë dhe i transmetuar në të gjithë rajonin, ka përfunduar gati në dakordësi për atë që dy qeveritë thonë publikisht se kërkojnë. Ata angazhohen bashkërisht se do të punojnë për ta ndryshuar Ballkanin nga një rajon të konfliktit, në një rajon të bashkëpunimit. Vuçiç shkoi edhe më tej, duke theksuar se marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve nuk ishin ato më problematiket për rajonin, pasi situata ishte më e keqe në Bosnjë. Biseda shumë më miqësore se takimi i parë mes tyre në Beograd, vjen edhe pas arritjes së një dakordësie se palët vijojnë të mendojnë ndryshe për Kosovën, duke lënë mënjanë dhe historinë, për të mundësuar rritjen e ekonomive dhe përmirësimin e jetës në rajon.

Shumë vonë

Dy kryeministrat e pranuan që ishin vonë. 25 vjet ishin kohë e humbur për të dy, por ata vunë në dukje se harxhimi i kohës me këtë do të ishte një vonesë e re. Duke synuar të jenë të drejtpërdrejtë e me këmbë në tokë, qoftë Vuçiç, qoftë Rama, bënë deklarata pranimi të realitetit. “Shqiptarët kanë pasur qëndrim racist ndaj serbëve, Rama nuk do të zemërohet për këtë, po ashtu edhe serbët ndaj shqiptarëve”, tha Vuçiç duke ilustruar se njohja mes dy vendeve dhe popujve ishte e vogël. Krijimi i një rrjeti të rinjsh dhe shkëmbimi i të rinjve dhe zyrtarëve është, sipas dy krerëve të qeverive respektive, fillimi i komunikimit të domosdoshëm për të ndryshuar këtë situatë të mosnjohjes. “Ne duhet të bashkëpunojmë, kush mendon ndryshe nuk e kupton të ardhmen”, tha Vuçiç. Ndërkohë, duke iu referuar bashkëpunimit, Rama vlerësoi përpjekjet për një treg të përbashkët të energjisë në Ballkan. Ai foli për mundësinë që Serbia dhe Shqipëria të plotësonin njëra-tjetrën me burimet energjetike (Serbia e bazuar kryesisht në TEC-e dhe Shqipëria në HEC-e), duke siguruar jo vetëm një furnizim me çmim më të ulët për veten, por edhe eksport të energjisë prej rajonit. “Rajoni ynë ka potencial të shesë energji me çmim më të ulët”, tha Rama, duke e nënvizuar këtë si një mundësi ekonomike për të dyja vendet.

Ekonomia e dobët

Megjithëse i vunë vetes nota pozitive në përpjekjet për të përmirësuar ekonominë, të dy kryeministrat pranuan se ndryshimet e mëdha në të ardhmen e afërt nuk do ishin të mundshme. Vuçiç tha se rritjen ekonomike që ka tani, Serbia duhej ta kishte në vitin 2100, për të arritur vendet e Perëndimit. Ndërsa Rama theksoi se situata në Ballkan ishte diçka që qeveritë e kishin trashëguar dhe se përpjekjet e tyre për reforma nuk do të kishin fryte të menjëhershme në të ardhmen e afërt. “Ne kemi sjellë një mundësi të re”, tha Rama, ndërsa theksoi se asnjë prej vendeve nuk do të ishte nesër i ngjashëm me Gjermaninë. Të dy pranuan pamundësinë e ndaljes së “eksodit”, por morën qasje më pragmatiste për ekonomi, që u shërbenin më mirë atyre që qëndronin.

Bashkimi i shqiptarëve

Të dy kryeministrat përsëritën se nuk do të binin dakord për Kosovën. “Ne e quajmë dialogu Prishtinë-Beograd, ata e quajnë dialogu Kosovë-Serbi”, – tha Vuçiç për të theksuar diferencën edhe në detaje. Menjëherë pas tij, kryeministri shqiptar foli pikërisht për dialogun mes dy shtetesh: “Vazhdojnë të hidhen hapa konkretë në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës”, tha ai ndërsa, duke buzëqeshur, i vuri në dukje Vuçiçit se dëshirën që Serbia të njihte Kosovën ia kishte thënë në Beograd. Ndërkohë përtej qëndrimeve antinacionaliste të të dyve në deklarata, ky i fundit mbeti pikë e nxehtë, asnjë prej kryeministrave nuk bëri përpjekje për të kapërcyer ndonjë vijë të kuqe. Vuçiç tha se bashkëpunimi me shqiptarët ishte një detyrim dhe se zgjidhja tjetër ishte të ktheheshin në gjuhën e urrejtjes dhe të bënin thirrje për të vrarë njëri-tjetrin. Vuçiç vuri në dukje jo pa ironi se një qëndrim i Ramës për “bashkimin e shqiptarëve” mund të kishte qenë pjesë e fushatës së zgjedhjeve lokale. Rama u kundërpërgjigj duke mohuar këtë dhe sqaruar qëndrimin e tij.

“Nuk është se unë kam bërë një deklaratë se ishin zgjedhje. Unë kam besuar dhe besoj se ëndrra e shqiptarëve për të jetuar bashkë është legjitime. Por, në shekullin e sotëm këtë ëndërr nuk duhet t’ia u lëmë në dorë forcave që ushqehen me mitet e së shkuarës”, tha Rama duke sqaruar se ky bashkim dhe bashkimi i Serbëve do të ndodhte në një Ballkan me kufij administrativë por pa barriera të tjera. Ai po ashtu ripërsëriti se shumë varej nga qëndrimi i BE dhe se sjellja taktike e kësaj të fundit mund të ri hidhte rajonin në duar të ekstremizmit dhe nacionalizmit të ushqyer në mite. Vuçiç i mëshoi retorikës së tij duke thënë se ‘Shqipëria e Madhe’ cenonte mjaft shtete, duke deklaruar se “ëndrra për disa mund të ishin makthe për të tjerët”.

Bashkë vs BE

Rama dhe Vuçiç ishin sidoqoftë më të qetë kur u duhej të flisnin për Bashkimin Europian. “Kemi qenë të sinkronizuar”, tha Vuçiç, duke thënë se edhe përfaqësuesit e BE-së ishin habitur se si dy kryeministrat e vendeve deri tani me qëndrime gati armiqësore, mund të bëheshin bashkë kundër tyre. Ai po ashtu përmendi faktin që Rama të kishte kritikuar BE-në, duke thënë se vendet anëtare kishin një trajtim më të keq të refugjatëve se ai që po bënte Serbia. “I kemi ndarë rolet”, tha Rama, duke vënë në dukje se ai kishte marrë përsipër kritikat ndaj Bashkimit, por tha se Vuçiç e kishte ndarë dakordësinë me të në mjaft prej këtyre qëndrimeve. “Sa herë unë kritikoj BE-në, ai thotë ‘bravo, shumë mirë bërë”, tha Rama. Vuçiç u përgjigj: “Këtë kemi bërë edhe sot”. Vuçiç madje u duk sikur u dakordësua me Ramën që akuzoi Europën e Bashkuar për izolimin e Kosovës dhe banorëve te saj. Të dy nga ana tjetër pranuan se pa ndihmën e BE-së, një sërë nismash që ata kanë ndërmarrë do të ishin të pamundura. Vuçiç foli me jo pak entuziazëm për afrimin e Serbisë me portin e Durrësit, duke vënë në dukje se kjo do ndihmonte jo vetëm ekonomikisht njerëzit përgjatë rrugës, por edhe se do të mundësonte njohje më të madhe dhe shkëmbim kulturor. Të dy kryeministrat folën po ashtu me tone pozitive sa i përket mundësive ekonomike. Rama tha se priste 10-fishim të turistëve serbë, ndërsa të dy folën për investime të përbashkëta dhe madje u përmendën edhe hotele serbe në bregdetin shqiptarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat