Rama: Kur kritikoj BE-në, Vuçiç më thotë “Bravo”

Lajme

Rama: Kur kritikoj BE-në, Vuçiç më thotë “Bravo”

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 22:39

Kryeministri Rama ka vazhduar sërish me kritika ndaj Bashkimit Europian edhe në debatin televiziv austriak me Kryeministrin serb. Duket se ai dhe homologu i tij kanë krijuar një “aleancë” kundër Europës.

Sa herë që Rama bën kritika ndaj BE-së, lavdërohet nga Vuçiç. Kështu është shprehur Kryeministri shqiptar në televizionin austriak. “Sa herë unë kritikoj BE-në, kur mbaroj ai më thotë: Bravo, shumë mirë bëre.

I kemi ndarë rolet, nuk ka asnjë problem”, u shpreh Rama gjatë debatit.

Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi përpjekjen që bën rajoni i Ballkanit për të ecur përpara dhe për t’iu bashkuar BE-së dhe se nuk ka asnjë vend në botë që të ketë këtë histori suksesi.

“Dua të them dhe një gjë. Më tregoni sot një tjetër histori suksesi të politikës së jashtme, komunitetit ndërkombëtar, përveç historisë së suksesit të këtij rajoni. Më thoni një. Më thoni një pjesë të botës ku janë të angazhuar me shumë më tepër para, me shumë më tepër probleme, për veten e vet dhe kanë sukses.

Kjo është një histori suksesi europiane dhe është një histori suksesi që ka në bazë aspiratën tonë, në emër të popujve tanë për t’u bërë pjesë e BE. Por kjo nuk është një histori suksesi që mund të vazhdojë pa fund, nëse BE nuk kupton se ky rajon është pjesë e pandashme e Europës, nuk është një rajon diku, por është një rajon në mes të europës.

Është një çështje jo vetëm e jona, është një çështje e përbashkët që ne të bëhemi pjesë e BE”, përfundoi Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat