Rama dhe Vucic në debatin televiziv: Nuk është vonë për pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve

Lajme

Rama dhe Vucic në debatin televiziv: Nuk është vonë për pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 21:33

(I plotësuar) - Kryeministri Edi Rama ka qene i ftuar ne nje debat televiziv se bashku me kryeminstrin serb Aleksander Vucic gjate samitit te Vjenes. Qe nga Kosova e deri te marredheniet Shqiperi-Serbi, me poshte gjeni edhe pyetjet dhe pergjigjet e plota.

Pyetja 1

Zvezdana Kovaç: Zoti Rama, a mund të kompensojmë këtë çerek shekulli, për të cilin po flet Voja dhe nëse mundemi të kompensojmë shumë mundësi të humbura në disa dekadat e fundit?

Kryeministri Edi Rama: Mirëmbrëma!

Faleminderit për ftesën. Besoj se kemi mjaftueshmërisht përgjegjësi për të mos u vonuar sot dhe nuk mund të mbajmë përgjegjësi edhe për 25 vjet përpara. Edhe pse ka të drejtë kur thotë që kjo që ndodh sot do të kishte qenë mirë të ndodhte 25 vjet përpara, por tani ajo çka ne duhet të bëjmë është që pas 25 vjetësh të mos qajmë faktin që në 25 vjet, që tani e deri atëherë, nuk bëmë atë që duhet.

Pyetja 2

Nenad Sebek: Sa keni ecur, zoti Rama, me këtë zyrë? Në samitin e Vjenës është paralajmëruar. Ku jemi tani, në cilën fazë?

Kryeministri Edi Rama: Ne nuk e kemi shpikur këtë nismë. Besoj që ne themi gjënë e duhur, kur themi që; Shqipëria dhe Serbia, por edhe shqiptarët dhe serbët në tërësi mund të bëjnë për Ballkanin atë që francezët dhe gjermanët bënë për Europën pas Luftës së Dytë Botërore. Bashkëpunimi rinor ishte një nga instrumentet e atij procesi historik, që solli në formësimin e Bashkimit Europian. Ne, mbi bazën e kësaj eksperience kemi vendosur që të vëmë në jetë këtë mekanizëm, por nuk është vetëm ky. Ne kemi folur edhe për Unionin Ekonomik, në mënyrë që realisht të zgjerojmë tregun, sepse, në qoftë se flasim për infrastrukturë dhe për rrugë, fjala vjen, rrugën Nish-Prishtinë-Durrës, atëherë duhet të jemi të përgatitur që ajo rrugë të jetë një rrugë pa barriera tarifore dhe që të jetë një rrugë ku jo vetëm njerëzit, por edhe mallrat qarkullojnë lirisht. Pra, midis nesh të ndërveprojmë si në Europë.

Pyetja 3

Kryeministri Edi Rama: Dua të forcoj në atë që tha më parë kolegu. Bashkëpunimi rinor është një instrument i rëndësishëm për t’i afruar njerëzit, pikërisht për të bërë të mundur që nesër të ketë të rinj, që duan të shkojnë të studiojnë serbishten në Beograd dhe të rinj serbë që duan të studiojnë shqipen në Tiranë, pasi jemi shumë afër.

Po jap një shembull tjetër; Përpara se të vinim këtu ishim në Komunitetin e Energjisë. Serbia, burimin kryesor të energjisë e ka nga qymyri, ne e kemi nga uji. Atëherë, në rast se ne kemi një treg të përbashkët dhe një administrim të përbashkët të energjisë përfitojmë të dyja palët dhe nëse ky treg i përbashkët i energjisë është rajonal, rajoni ynë ka potencialin që të shesë energji me çmim më të ulët për të tjerët dhe të jetë komplementar brenda vetes, duke bërë një shfrytëzim shumë më racional të burimeve se ç’e bëjmë sot.

Pyetja 4

Srgjan Vidoeski: Duke marrë në konsideratë nivelin e lartë të mosbesimit që të rinjtë kanë kundrejt politikanëve, nacionalizmin e fortë ekzistues në rajon dhe mungesën e kredibilitetit që kanë shumë politikanë, cilat mekanizma politikë të vihen në dispozicion për të siguruar vazhdimësinë e mbështetjes politike, zbatimin e suksesshëm të Zyrës rajonale për Bashkëpunim Rinor?

Kryeministri Edi Rama: Është modë që kur thua politikan ke thënë në të njëjtën kohë, gjërat më të këqija. Ne nuk kemi si t’ia bëjmë, ne do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën tonë. Në ndërkohë, unë besoj që shenjëstrimi, targetimi i politikanëve si arsyeja pse të rinjtë nuk janë aty ku do të donin të ishin, përdoret shpesh si një alibi për të mos qenë drejtpërdrejtë të përfshirë dhe për të mos qenë drejtpërdrejtë aktivë dhe protagonistë në jetën publike, në jetën ekonomike, në jetën politike dhe unë them gjithmonë një gjë: të gjithë të rinjtë që thonë nuk merrem me politikë, sepse politika është një e gjë e keqe, bëjnë një gabim fatal, sepse politika ndërkohë merret me ta dhe sa më pak ju të merreni me politikë, aq më shumë do t’i vuani ato që politika bën sipas jush, gabim për ju.

Pyetja 5

Kryeministri Edi Rama: Është shumë interesante, sepse, kur duket sikur deri para një viti ishim rehat se nuk i përgjigjeshim pyetjeve, se konsiderohej sikur tjetri nuk ekzistonte, tani që ka ndodhur përmbysja historike e marrëdhënieve mes nesh, duket sikur i përgjigjemi pyetjeve edhe për pasoja që ne i kemi sot, por që nuk janë krijuar as gjatë këtij viti, as qysh se ne jemi në qeveri. Sepse nuk ishim ne që sollëm varfërinë, që sollëm papunësinë, që sollëm dëshpërimin social, që erdhën si rezultat politikash të gabuara etj..

Ne kemi sjellë një mundësi të re dhe po përpiqemi, qoftë secili brenda vendit për të bërë reforma të munguara për vite të tëra dhe qoftë në raport me Bashkimin Europian, për të ndërtuar jo një proces që e zëvendëson procesin e integrimit të çdo vendi në Europë, por një proces që na vendos në një pozicion të ri si rajon, në raport me këtë mundësi të re, për të bërë të mundur që nga suksesi politik të kalohet në suksesin ekonomik dhe që gjithçka rajoni ka nevojë si infrastrukturë e me radhë të mund të jetë fryt i një niveli të ri bashkëpunimi me Bashkimin Europian.

Sigurisht që kjo do të kërkojë kohë. Sigurisht që as Shqipëria, as Serbia dhe as Ballkani nuk mundet të bëhen nesër Gjermani, Francë apo kë të doni. Ajo që është e rëndësishme është se jemi në një situatë krejtësisht të re, krahasuar me një vit më parë. Po ju jap një shembull. Një vit më parë, të gjithë e mbani mend, ndeshjen e futbollit në Beograd. Në datën 8 do të jetë ndeshja e kthimit. Zyra e Bashkëpunimit Rinor do të jetë e përfshirë dhe ne do të ftojmë një numër të konsiderueshëm të rinjsh nga Serbia, studentë apo … – kjo është një gjë që po punojmë – që do të takohen me të rinj shqiptarë dhe bashkërisht do të shkojnë në stadium, jo për të krijuar probleme apo për të sharë njëri-tjetrin, por për të sjellë shembullin e këtij momenti kaq transformues. Për pak shkuam në luftë për një top futbolli, e kuptoni! Tani jemi këtu, duke diskutuar për gjëra që deri para një viti as nuk mund t’i imagjinonim.

Pyetja 6

Për çështjen e Kosovës:

Kryeministri Edi Rama: Është shumë e qartë që ka një mosdakortësi të plotë mbi këtë çështje, përsa i përket statusit të Kosovës, por ajo që ka rëndësi është që kjo mosdakortësi, nuk është më si përpara disa kohësh një arsye për të qenë barrikada kundër njëri-tjetrit, por është një aspekt që na ndan, pa na penguar që të bashkëpunojmë.

E faktikisht, vazhdojnë të hidhen hapa konkretë në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, që janë hapa që shkojnë në të mirë të një procesi që do të ketë kohën e vet.

Nga ana tjetër, unë dua të përfitoj nga rasti, jo për të folur këtu sot pse Serbia nuk njeh Kosovën, por për të thënë një gjë tjetër, pse Kosova sot është i vetmi vend dhe i vetmi popull pa të drejtë për të lëvizur lirisht në BE. Në këtë aspekt nuk është përgjegjësia e Serbisë, është përgjegjësia e BE-së. Është një turp dhe është një padrejtësi që BE-ja mban mbyllur atje brenda një popull, që është i vetmi popull në Europë që nuk lëviz dot pa vizë.

Pyetja 7

Nenad Šebek: Zoti Rama, a është pas, koha kur fqinjët e Shqipërisë kanë konsideruar se Shqipëria e madhe është projekt të cilin duhet ta kundërshtojnë, a është projekti i Shqipërisë së madhe ende i gjallë?

Kryeministri Edi Rama: Jemi këtu duke diskutuar për një Union ekonomik, i cili do të transformojë të gjithë hapësirën tonë të përbashkët, Serbia, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja, në një hapësirë pa asnjë barrierë, njësoj siç është hapësira midis Gjermanisë, Italisë, Francës, brenda BE-së.

A ka kuptim që të vazhdohet të flitet për “Shqipërinë e madhe” në këto kushte, kur jemi në një botë krejtësisht tjetër, në një kohë tërësisht tjetër dhe kur mundësitë për të qenë bashkë janë tërësisht të tjera?!

Unë besoj që të gjitha këto mite të së shkuarës janë ushqim për barkun e një nacionalizmi primitiv që nuk ka lidhje fare me botën që meritojnë të rinjtë që sot zgjedhin të ikin, apo që qëndrojnë dhe nuk kanë akoma atë që meritojnë.

Pyetja 8

Kryeministri Edi Rama: Nuk është se unë kam bërë një deklaratë se ishin zgjedhje. Unë kam besuar dhe besoj se ëndrra e shqiptarëve për të jetuar bashkë është legjitime. Por, në shekullin e sotëm këtë ëndërr nuk duhet t’ia u lëmë në dorë forcave që ushqehen me mitet e së shkuarës.

Këtë ëndërr duhet ta realizojmë si një ëndërr europiane dhe të jetojmë së bashku, dhe jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe me serbët, edhe me kroatët, edhe me malazezët, në BE. Rruga e BE-së është dhe rruga e bashkimit mes nesh si shqiptarë, dhe së bashku me të tjerët.

Ajo që unë kam thënë dhe unë e them prapë, nëse BE nuk do të jetë strategjike me Ballkanin dhe nuk do t’ua bëjë të mundur popujve të Ballkanit që të jetojnë sëbashku me njëri-tjetrin, serbët të ndjejnë se janë bashkë, pavarësisht se mund të kenë kufij sot administrativë, shqiptarët të jenë bashkë, pavarësisht se mund të kenë kufij administrativ, atëherë sigurisht që forcat e së shkuarës, mitet e së shkuarës janë gati të rikthehen dhe të na tejkalojnë ne që jemi shumë qartësisht të pozicionuar për një Shqipëri europiane, për një Serbi europiane, Ballkan europian. Kjo është bindja ime.

Nenad Šebek: Zoti Rama, cili është ai ndryshim, të cilin do të dëshironit ta shihnit në politikën e qeverisë serbe dhe e njëjta pyetje edhe për juve zoti Vuçiç, kur është fjala për qeverinë shqiptare?

Kryeministri Edi Rama: Ai e di se çfarë ndryshimi do të doja unë në politikën e Serbisë, por nuk jam duke e përsëritur. E kam thënë në Beograd. Ndërkohë që, ajo që dua të nënvizoj është që unë habitem me pyetjen “Çfarë mund të jenë interesat e përbashkëta?”. Më thoni një gjë që është e rëndësishme për të ardhmen e popullit serb, e familjeve, e të rinjve në Serbi, që nuk është e rëndësishme për të ardhmen e popullit shqiptar, e familjeve, etj. Ne jemi vende të vogla. Ne jemi ekonomi të vogla. Ne duhet sa më shpejt ta kuptojmë që së bashku bëhemi një treg interesant dhe fatmirësisht arrijmë që pasuritë e përbashkëta natyrore dhe territorin e përbashkët ta kthejmë në një aset të përbashkët, aq më shpejt do të mund t’i japim një perspektivë tjetër shoqërive tona. Kjo është e qartë.

Këtë vit kanë ardhur trefish turistë serbë në Shqipëri. Jam i bindur që vitin tjetër do të jenë dhjetëfish. E ky do të jetë interes i përbashkët. Për serbët sot, deti është më i madh, sepse përfshihet edhe deti i Shqipërisë si një mundësi për të shkuar dhe për të bërë turizëm, për shqiptarët janë të ardhurat. Sikundër, nga ana tjetër, unë pres me padurim që të shoh investitorë serbë në Shqipëri edhe në turizëm, edhe në fusha të tjera dhe të shikojmë kompani të përbashkëta.

Pyetja 10

Kryeministri Edi Rama: Sa herë unë kritikoj BE-në, kur mbaroj ai thotë: Bravo! Shumë mirë bëre! I kemi ndarë rolet, nuk ka problem. Ajo që është e rëndësishme, është ajo që ne tanimë kemi filluar të ndërtojmë një partneritet edhe në raport me institucionet financiare.

Fakti që BERZH-i, Banka Europiane e Investimeve janë së bashku të interesuar tanimë që bashkërisht të ndërtojmë rrugën për projektet që kanë interes të përbashkët, është diçka që nuk mund të imagjinohej deri një vit më parë.

Dua të them dhe një gjë. Më tregoni sot një tjetër histori suksesi të politikës së jashtme, komunitetit ndërkombëtar, përveç historisë së suksesit të këtij rajoni. Më thoni një. Më thoni një pjesë të botës ku janë të angazhuar me shumë më tepër para, me shumë më tepër probleme, për veten e vet dhe kanë sukses. Kjo është një histori suksesi europiane dhe është një histori suksesi që ka në bazë aspiratën tonë, në emër të popujve tanë për t’u bërë pjesë e BE. Por kjo nuk është një histori suksesi që mund të vazhdojë pa fund, nëse BE nuk kupton se ky rajon është pjesë e pandashme e Europës, nuk është një rajon diku, por është një rajon në mes të europës. Është një çështje jo vetëm e jona, është një çështje e përbashkët që ne të bëhemi pjesë e BE.

Pyetja 11

Kryeministri Edi Rama: Sipas asaj që tha Kryeministri, mua më takon të bëj prapë që të bëj ndonjë kritikë Europës. Unë do të them vetëm kaq, që realisht është një shembull i thjeshtë dhe shumë domethënës. Serbia me problemet e mëdha që ka, detyrohet të presë refugjatë dhe i trajton shumë herë më mirë se sa vende të tjera që arrijnë të ngrenë edhe mure, dhe që janë vende të BE-së.

Unë shpresoj shumë që Europa të pushojë së qeni një federatë egoizmash kombëtare.

Rama: Shqiptarët bashkohen në Europë; Vuçiq: Kur Rama flet për bashkim shqiptarësh, ne kemi ankth

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq, ka thënë se, sa herë homologu i tij shqiptar, Edi Rama, flet për bashkimin kombëtar dhe bashkimin e shqiptarëve “në të le të kuptohet që ekziston dëshira për bashkimin e shqiptarëve dhe kjo është ankth për të tjerët”.

“Nuk është në pyetje vetëm Serbia por edhe Maqedonia, Mali i Zi e vendet përreth”.

“Sa i përket atyre historive, askush nuk dëshiron ta shoh Shqipërinë e madhe as Serbinë e madhe as Kroacinë e madhe po dëshirojmë të shohim shtete të suksesshme”.

“Me ndërtimin e autostradave porti i Durrësit është më afër për neve dhe kjo është shumë pozitive, gjithashtu edhe bashkëpunimi energjetik është shumë i rëndësishëm”.

Por Rama edhe njëherë ka bërë me dije se ai bashkimin e shqiptarëve e sheh në Unionin Europian.

“Unë kam besuar dhe besoj që ëndrra e shqiptarëve për të jetuar bashkë është legjitime por në shekullin e sotëm nuk duhet të ia lëmë në dorë forcave që ushqehen me mitet e së shkuarës, këtë ëndërr duhet ta realizojmë si ëndërr evropiane”.

“Duhet të jetojmë së bashku jo vetëm me shqiptarët, por edhe me serbët dhe gjithë të tjerët. Rruga e BE-së është rruga e bashkimit mes nesh”.

“ Nëse Bashkimi Evropian nuk do të jetë strategjik në Ballkan dhe nuk do e bëjë të mundshme që popujt të jetojnë së bashku, atëherë sigurisht që forcat e së shkuarës mitet e së shkuarës janë gati të rikthehen dhe të na mundin ne që jemi të pozicionuar për një Shqipëri Europiane për një Serbi Evropiane një Ballkan Evropian”.

Vuçiq: Dikur kishte shikime raciste mes serbëve e shqiptarëve; Rama: E ardhmja e mbushur me bashkëpunime

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në debatin e zhvilluar në “Okruzenje”, emisioni “Mjedisi rreth nesh”, i cili po transmetohet në Klan Kosova, kanë dhënë komentet dhe qëndrimet e tyre për politikën aktuale, por edhe për të kaluarën e shteteve që ata përfaqësojnë.

Kryeqeveritari serb, Aleksander Vuçiq në fjalën e tij ka thënë se “shqiptarët kanë pasur në një kohë të konsiderueshme qëndrime raciste ndaj serbëve sikurse serbët për shqiptarët, por për ta ndryshuar këtë ne duhet të flasim për këtë, ta njohim njëri tjetrin”.

“Sot Gjermanët kanë ardhur me një ide të re që kjo jo vetëm për të na miqësuar por edhe të përparojmë të avancojmë në shkencë në ekonomi”.

“Ne jemi dakorduar që një pjesë e të rinjve studentëve zyrtarëve tanë t’i shkëmbejmë që të mësojmë nga njëri tjetri”, ka thënë Vuçiq.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka përkrahur këtë ide duke tregua se e ardhmja e këtyre dy vende është përplot me bashkëpunim mes tyre.

“Bashkëpunimi rinor bëhet që në një të ardhme të rinjtë shqiptarë të shkojnë ta mësojnë serbishten në Beograd dhe të rinjtë serbë të vijnë në Tiranë të mësojnë shqipen”.

“E rëndësishme është edhe energjia burim të energjisë ne kemi ujin kur Serbia thëngjillin një bashkëpunim në energji, një treg i përbashkët do të na forconte shumë”.

Rama tha se “bashkëpunimi rinor ishte procesi historik që solli formimin e Bashkimit Evropian, në bazë të kësaj eksperience kemi vendosur të bashkëpunojmë, por jo vetëm në këtë aspekt po edhe në ekonomi – rruga Nish-Prishtinë- Shqipëri që do ta lidhte ekonominë.

* * * *
Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai serb Aleksandër Vucic, sërish janë përballur me njëri-tjetrin, por kësaj here në një debat televiziv. Ata kanë qenë të ftuar në emisionin “Fqinjësi” në Vjenë. Fillimisht kanë folur se a është vonë që të vendosen marrëdhëniet e mira mes shqiptarëve dhe serbëve. Të dy pajtohen se është vonë, por se “më mirë vonë se kurrë”.
Të dy kryeministrat thanë se nuk është vonë që shqiptarët dhe serbët të fillojnë ta bëjnë atë që është dashur ta bëjnë shumë vite më parë.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se nuk mbanë përgjegjësi pse një debat mes një politikani kryesor serb dhe një shqiptar nuk është zhvilluar 25 vjet më parë. Por lë të kuptohet se edhe pas 25 vjetësh, është më mirë “vonë se kurrë”.

“Kemi mjaftueshëm përgjegjësi për të mos u vonuar sot dhe nuk mund të mbaj përgjegjësi për 25 vjet më parë”, thotë veç tjerash Rama.

Edhe Vucic pajtohet se debati do të ishte mirë të ndodhte më parë, por se nuk duhet të “jetojmë me të kaluarën”.

“Do të ishte mirë po të kishim biseduar më parë, por nuk kam aspak problem që një pjesë të fajit edhe ta pranoj. Pse po e them këtë, sepse e di që ka edhe në Shqipëri i thonë Ramës se nuk është dashur të udhëheq një politikë të tillë. Edhe mua në Serbi mund të më thonë kështu. Tani do të punojmë në një mënyrë tjetër, duke respektuar ata dhe popullin tonë. Unë kam qenë dhe mbetem serb krenr, ashtu si Rama që do të jetë shqiptar krenar”, ka thënë Vucic.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat