Vendet e BE-së të alarmuar nga kriza e imigrantëve

Lajme

Vendet e BE-së të alarmuar nga kriza e imigrantëve

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 19:34

Ministritë e Brendshme të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë kanë bërë thirrje për masa urgjente për të përballuar sfidën e mijëra imigrantëve që po vërshojnë në Evropë, që ka krijuar përçarje mes vendeve evropiane ndërsa ata debatojnë për mënyrat e përballimit të kësaj krize.

Ministrat Theresa May e Britanisë, Bernard Cazeneuve i Francës dhe Thomas de Maiziere i Gjermanisë nxorrën një deklaratë të përbashkët dje ku i kërkonin Luksemburgut që mban kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian që të organizojë një takim brenda dy javësh.

Luksemburgu tha se do të mbajë bisedime me ministrat e brendshëm dhe drejtësisë të vendeve të BE-së, më 14 shtator në Bruksel në mënyrë që të “konsolidohet përgjigjia evropiane”.

Duke e konsideruar gjendjen si “të jashtëzakonshme” ministrat bënë thirrje për një proces më të organizuar të regjistrimit të imigrantëve në Itali dhe Greqi, që Organizata Ndërkombëtare e Migrimit thotë se janë pikat kryesore hyrëse për mbi 322 mijë imigrantët që kanë përshkuar Mesdheun këtë vit.

Një sistem i tillë do t’i identifikonte qartë ata që kanë nevojë për mbrojtje për shkak të gjendjes në vendin e tyre si dhe do të përcaktonte një listë vendesh “të sigurta” për të mbrojtur refugjatët dhe për të garantuar kthimin e sigurt të atyre që u mohohet azili.

Shumica e atyre që shkojnë në Evropë vijnë nga pjesë të botës të prekura nga vite lufte dhe paqëndrueshmërie politike. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit, pjesa më e madhe e atyre që mbërrijnë në Greqi dhe Itali, kanë ardhur nga Siria, Afganistani, Eritrea dhe Nigeria.

Disa udhëheqës evropianë kanë bërë thirrje për një qëndrim më mikpritës, por të tjerë nuk e kanë mirëpritur fluksin e emigrantëve.

Kryeministri i djathtë i Hungarisë, Viktor Orban thotë se do të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj imigrantëve sepse thotë se ata paraqesin kërcënim ndaj sigurisë, mirëqenies dhe identitetit evropian. Hungaria po ndërton një gardh katër metra të lartë në kufirin jugor me Serbinë.

Hungaria gjithashtu kërkon që imigrantëve t’u merren shenjat e gishtërinjve para se të hyjnë në kampet e përkohëshme, duke shkaktuar reagime.

Ndërkohë policia austriake ka shtuar kontrollet e automjeteve në vendkalimet kufitare me Hungarinë duke shkaktuar radhë të gjata në autostradën kryesore që lidh dy vendet, disa ditë pas gjetjes së 71 emigrantëve të vdekur në një kamion.

Disa orë pasi Austria filloi një operacioni të ri përgjatë kufijve të saj, autoritetet zbuluan rreth 200 azilkërkues dhe arrestuan pesë trafikantë, tha sot një zyrtar i lartë i ministrisë së brendshme austriake.

"Në orët pasi filluam zbatimin e këtyre masave për të cilat kemi rënë dakord me Gjermaninë, Hungarinë dhe Sllovakinë, ne kemi arritur të gjejmë më shumë se 200 refugjatë të fshehur në automjete dhe kemi kapur pesë kontrabandistë", tha Konrad Kogler, drejtor i përgjithshëm për sigurinë publike në ministrinë e brendshme.

Ministrja e Brendshme austriake Johanna Mikl-Leitner, duke folur në të njëjtën konferencë shtypi, tha se këto nuk janë kontrolle të zakonshme kufitare.

"Që nga dita e djeshme ne kemi intensifikuar luftën kundër trafikantëve të qenieve njerëzore duke bërë kontrolle intensive përgjatë zonave kufitare. Këto nuk janë kontrolle kufitare por masa kërkimi në afërsi të kufirit".

Ajo shtoi se vendi i saj do të vazhdojë të respektojë rregullat e zonës Shengen.

“Këto janë kontrolle policore të një natyre sigurie. Kjo do të thotë se ne do të respektojmë të gjitha rregullat e marrëveshjes së Shengenit”.

Masat e reja të kontrollit bënë që në autostradën që lidh Hungarinë me Austrinë sot në mëngjes të krijoheshin radhë të gjata prej 20 kilometrash.

Kontrollet pasojnë gjetjen e 71 emigrantëve të vdekur në një kamion në territorin austriak, një ngjarje që tronditi vendet e Bashkimit Evropian.

Gjatë tre ditëve të fundit, policia ka kapur 8,792 emigrantë që hynë në Hungari, shumica e tyre nga Serbia.

Luksemburgu, i cili mban presidencën e radhës të BE-së, tha se do të organizojë më 14 shtator në Bruksel një takim të ministrave të brendshëm dhe drejtësisë të vendeve të BE-së.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit gjatë këtij viti mbi 322 mijë imigrantë kanë kaluar Mesdheun në përpjekje për të shkuar në Evropë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat