Kosovë, ngacmimi i avionëve me lazer kthehet në shqetësim serioz

Lajme

Kosovë, ngacmimi i avionëve me lazer kthehet në shqetësim serioz

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 14:17

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka denoncuar shtimin e rasteve të ngacmimit të avionëve dhe helikopterëve me rreze lazer nga toka.

“Gjatë muajit gusht të këtij viti ka pasur shtim të rasteve kur persona të papërgjegjshëm drejtojnë dritën lazer nga toka në drejtim të aeroplanëve dhe helikopterëve në fluturim, në hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës. Ju informojmë se veprime të tilla janë të paligjshme dhe njëherësh përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e fluturimit”, thuhet në një komunikatë për shtyp.

Ndriçimi me rreze laser i kabinës së pilotëve të aeroplanëve dhe helikopterëve kur ndodhen në lartësi të ulët, ndër të tjera mund të shkaktojë verbim të përkohshëm të pilotëve dhe si rrjedhojë mund të rrezikojë sigurinë e fluturimit, nënvizon AAC.

“Veprime të tilla, nga kushdo qofshin ato, konsiderohen të rrezikshme për operacionet e Aviacionit Civil dhe janë të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, vijon njoftimi zyrtar.

Në të saktësohet se, policia, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” kanë zhvilluar një procedurë, e cila mundëson reagimin e policisë brenda pak minutash në vendin e identifikuar të burimit të rrezes lazer që i është drejtuar një aeroplani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat