Policia e Kosovës sqaron ndalimin e tre biçiklistëve

Lajme

Policia e Kosovës sqaron ndalimin e tre biçiklistëve

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 13:02

Zyra e Informimit në Policinë e Kosovës ka sqaruar ndalimin e tre biçiklistëve nga ana e policisë malazeze. Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur në qershor të këtij viti, si dhe biçiklistët janë ndaluar në distancë rreth 50 metra në thellësi të kufirit që e ndan Kosovën me Malin e Zi.

“Rasti ka ndodhur me datë 13.06.2015, kur këta tre (3) biçiklistë janë ndaluar nga Policia e Malit të Zi, në distancë rreth 50 metra në thellësi të kufirit që ndanë Republikën e Kosovës me Malin e Zi, pra brenda territorit të Malit të Zi”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Informimit.

Sipas saj, personat nuk kishin kërkuar paraprakisht kalimin e kufirit, prandaj edhe kanë bërë kalim të paligjshëm.

“Këta persona ( biçiklistë ) nuk kanë pasur kërkesën paraprakisht, as në Policinë e Kosovës dhe as në atë të Malit të Zi për kalimin e kufirit jashtë pikave zyrtare për kalimin e kufirit, prandaj edhe kanë bërë kalim të paligjshëm të kufirit”, thuhet më tej në njoftim.

Policia e Kosovës ka bërë apel që kalimi i kufirit për çfarëdo arsye të realizohet nëpër pikat zyrtare për kalim të kufirit dhe duke respektuar procedurat ligjore që kërkohen.

“Të shmangen kalimet jo të rregullta apo të paligjshme sepse për shkelje të procedurave mbi kalimin kufitar do të përballen me ndëshkime ligjore sipas proceduarve dhe ligjeve në fuqi”, përfundon komunikata./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat