Islami: Mark Krasniqit i përgjohej telefoni ne kohën e Rankoviqit

Lajme

Islami: Mark Krasniqit i përgjohej telefoni ne kohën e Rankoviqit

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 17:00

Akademiku Hivzi Islami, ka folur për figurën e Mark Krasniqit në mbledhjen komemorative që është mbajtur në ASHAK.

Ai ndër të tjera ka thënë se Akademik Krasniqit po i përgjohej telefoni, në kohën e famëkeqit Aleksandër Rankoviq.

Ky është fjalimi i plotë i Islamit:

“Të premten, në ora 00:35 minuta të mëngjesit, në Qendrën intensive të QKUK-së të Prishtinës, vdiq njëri nga personalitetet më të shquara në fushën e shkencës dhe të kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shek. XXI, anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe njëri nga doktorët e parë të shkencave në Kosovë, akademik Mark Krasniqi.

U shua dijetari, intelektuali, profesori, organizatori i punës shkencore-hulumtuese dhe i institucioneve arsimore e shkencore të Kosovës dhe veprimtari i spikatur i çështjes sonë kombëtare, që la gjurmë të thella në jetën e gjithmbarshme të Kosovës dhe të botës shqiptare. Ju thërras që me një minut heshtje ta nderojmë prindin, gjyshin, kolegun dhe mikun tonë të dashur, Akademik Mark Krasniqin. Lavdi!

Duke qenë pjesë përbërëse e lagjes së vogël, por të fortë intelektualësh, dijetarësh dhe patriotësh të Kosovës, sikurse Esad Mekuli, Idriz Ajeti, Ali Hadri, Anton Çetta, Gazmend Zajmi, Dervish Rozhaja, Hilmi dhe Fehmi Agani e të tjerë, me punë, mund dhe guxim të pashoq, akademik Mark Krasniqi dallohej në ngritjen, organizimin dhe zhvillimin e arsimit të lartë, të institucioneve shkencore dhe të veprimtarive kulturore e shoqërore të Kosovës. Këto angazhime ishin pashmangshmërisht të lidhura me luftën e tij për barazi, çlirim dhe afirmim kombëtar.

Këtij brezi i takon pa dyshim dhe merita për ngritjen e institucioneve dhe të kuadrove për Universitetin e Prishtinës, i cili luajti një rol të madh në përmbushjen jo vetëm të funksionit arsimor, shkencor dhe edukativ, por u bë dhe faktor i fuqishëm integrativ i shqiptarëve në gjithë ish-Jugosllavinë. Prof. Mark Krasniqi drejtoi me sukses për shumë vjet disa institucione të rëndësishme shkencore e kulturore të Kosovës, nga ato universitare deri te Shoqata e Shkrimtarëve dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Me rezultatet e pakontestueshme në fushën e shkencës, para së gjithash të asaj gjeoetnografike, të mbështetura në fuqinë e argumenteve dhe të dhënave shkencore, prof. Marku arriti ta gjurmojë thellë kulturën materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve dhe ta pasqyrojë objektivisht realitetin e ndërlikuar dhe kompleks hapësinor dhe shoqëror të Kosovës, duke u bërë emër dhe jashtë suazave kombëtare. Deri në paraqitjen e tij në fillimet e viteve të 50-ta të shekullit XX, epërsinë e studimit shoqëror-gjeografik dhe etnografik të Kosovës e kishin antropogjeografët, historianët dhe etnografët serbë, trajtimet e të cilëve përshkoheshin thellë nga të pavërteta, gjysëm të vërteta, shtrëmbërime dhe paragjykime deri te ato shoviniste dhe raciste. Në rrethana tepër të rënda të kohës nuk ishte aspak lehtë për studiuesin shqiptar që të merrej me këto çështje, e lere më t’i kundërshtonte pikëpamjet e bollshme antishqiptare, të thyente klishetë e metodologjisë klasike të shkollës tashmë me traditë të gjatë, të drejtimit antropogjeografik, të Cvijiqit dhe ithtarëve të tij, madje duke qenë 2 brenda Akademisë Serbe të Shkencave dhe punonjës shkencor i saj.

Në fillim të viteve të 60-ta kaloi të punojë profesor në fakultetet e para të Prishtinës, në kohën kur hegjemonizmi serbomadh ishte tërbuar dhe me ngulm kërkonte që Kosova të kundrohej vetëm si çështje serbe. Pas ndjekjes së disa studiuesve dhe veprimtarëve shqiptarë, në adresë të prof. Markut pasuan shantazhet dhe kërcënimet më brutale, duke u hapur një fushatë e gjerë, e paparë deri atëherë në gjithë botën objektive shkencore. Kulminacioni arriti në mars të vitit 1966, kur u sulmua rëndë libri i tij shkencor, i botuar tre vjet më parë, që në fakt ishte doktorata e tij e mbrojtur në Universitetin e Lublanës në vitin 1960 nën drejtimin e shkencëtarit dhe akademikut të njohur Anton Melik.

Ky botim i kishte vënë bazat për studime të mëtejme në disa fusha të shkencave sociale-hapësinore dhe kulturore-historike. Profesori ishte ndër shqiptarët e rrallë në Kosovë që i përgjohej telefoni nga organet policore në kohën e Rankoviqit. Akademik Mark Krasniqi e jetoi një jetë me plot peripeci, duke përjetuar rrugëtimin e rëndë dhe kompleks të Kosovës edhe si dëshmitar edhe si pjesëmarrës i tij, me të gjitha ngritjet dhe rëniet; rrethanat ishin të tilla që asnjë ditë shkolle nuk e bëri në gjuhën shqipe. Por gjithmonë duke qenë optimist – deri në minutin e fundit të jetës nuk pushoi të kontribuojë në fushën e shkencës dhe të çështjes kombëtare dhe në këtë front pa dyshim doli fitues. Të gjitha energjitë intelektuale, fizike dhe emocionale për kaq këto dekada të jetës i la në dispozicion të shkencës, të krijimtarisë dhe të çështjes kombëtare shqiptare.

Gjithë veprimtaria e tij shkencore, letrare, publicistike dhe publike përshkohet me mesazhe të qarta optimizmi dhe qëndrese. Mesazhi i fundit në librin që doli nga shtypi vetëm një ditë para vdekjes ishte – bashkimi kombëtar. Edhe pse në moshë të shtyrë, në dobi të kauzës sonë, në vitet e 90-ta të shekullit XX u vu në krye të një partie politike shqiptare, duke u bërë pjesë e “Alternativës” së atëhershme shqiptare me dr. Rugovën si prijës. Për punën dhe kontributin e tij, në vitin 2003 nga Presidenti I. Rugova u dekorua me “Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, ndërsa në vitin 2014 presidenti i Shqipërisë B. Nishani ia dha çmimin “Nderi i Kombit”. Duke marrë pjesë aktive në studimin e shumë çështjeve shoqërore-kulturore dhe në zhvillimin e mendimit ashkencor, prof. Marku merrte pjesë aktive në afirmimin dhe emancipimin e shqiptarëve në hapësirat ballkanike e më gjërë. Jo vetëm në krijimtarinë shkencore, letrare dhe publicistike, por edhe në procesin e emancipimit social, kulturor, politik dhe nacional të shqiptarëve, me ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore-kombëtare, gjithnjë u prononcua dhe pati guximin ta thoshte atë që e mendonte.

Si intelektual i orëve të para, me ndjenjë të fortë individualizmi, mbeti brenda synimit kolektiv për emancipim dhe përparim të kombit shqiptar dhe pjesë e kujtesës së tij kolektive. Me kurajon dhe thellësinë shkencore, intelektuale e krijuese që kishte, ishte reagues i pavonuar ndaj shumë dukurive dhe proceseve të ndjeshme dhe të dëmshme për shkencën, shoqërinë dhe interesin kombëtar. Njihej si polemist i mprehtë me bartësit e pikapamjeve antishkencore dhe antishqiptare. Vepra e tij shkencore në përgjithësi mbetet për shumë çështje burim reference.

Me rrugën e bujshme dhe komplekse shkencore, intelektuale e publike dhe trashëgiminë e begatshme, profesor Mark Krasniqi la gjurmë të pashlyeshme në jetën shkencore, kulturore, kombëtare dhe shoqërore të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në fillim të këtij që po e jetojmë. Si i tillë do të mbetej i pavdekshëm. 3 Me këtë rast Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së akademik Mark Krasniqit, si dhe të gjithë miqve dhe shokëve të tij të shumtë anë e mbanë botës shqiptare. Akademisë dhe familjes i kanë arritur shumë telegrame ngushëllimi, nga të gjitha anët e trungut gjeoetnik shqiptar dhe nga diaspora jonë e gjerë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat