Veseli: Shteti serb vazhdon të mbajë varreza sekrete të viktimave të pafajshme të luftës

Lajme

Veseli: Shteti serb vazhdon të mbajë varreza sekrete të viktimave të pafajshme të luftës

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 14:16

Në Ditën Ndërkombëtare e të Zhdukurve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri veseli, ka bërë homazhe pranë Përmendores dedikuar personave të zhdukur, në Prishtinë.
“Sa herë që flasim për të afërmit tanë, që na mungojnë nga koha e luftës, e kemi bërë shprehi të përdorim fjalën ‘të zhdukurit’. Ata nuk janë të zhdukur. Nuk janë, sepse ekziston një shtet - Serbia, e cila ka informacionin e plotë mbi fatin e tyre, informacionin e plotë mbi urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit e operacionit barbar të zhvarrosjes së shqiptarëve të vrarë dhe fshehjes së trupave të tyre në varreza sekrete në territorin serb”, ka thënë Veseli.

Veseli e ka cilësuar paradoksale, jonjerëzore dhe e pamoralshme, që në kohën kur pretendon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, shteti serb vazhdon të mbajë varreza sekrete të viktimave të pafajshme të luftës.

“Ky është një veprim që na kujton shtetet totalitare, regjimet staliniste që masakronin popujt dhe i fshihnin viktimat e tyre. Me stalinizëm nuk hyhet në Evropën demokratike”, tha ai.

“Dhe paradoksi bëhet edhe më i madh me faktin se derisa ky shtet, pra Serbia vazhdon të mbajë varreza sekrete të viktimave të pafajshme kosovare, pretendon të marrë lidershipin moral në procesin e pajtimit të popujve të përfshirë në luftërat pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Kjo është hipokrizi dhe pajtimi nuk bëhet me hipokrizi. Pajtimi bëhet vetëm përmes drejtësisë së vërtetë”.

“Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga e drejta e familjarëve tanë për t’i gjetur dhe riatdhesuar të afërmit e tyre të vrarë dhe të fshehur padrejtësisht.

Ata janë pjesë e pazëvendësueshme e të vërtetës për luftën e Kosovës, dhe është pikërisht kjo e vërtetë mbi të cilën qëndron liria dhe shteti i Kosovës”, ka thënë Veseli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat