Rrëfimet e të burgosurave në burgun e Lipjanit (Video)

Lajme

Rrëfimet e të burgosurave në burgun e Lipjanit (Video)

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 20:45

Aktivitete të shumta zhvillohen në Qendrën Korrektuese në Lipjan, për t'ua lehtësuar sadopak vuajtjen e dënimit të burgosurve.

Përveç izolimit prapa grilave të burgosurit thonë se janë të kënaqur me kushtet dhe trajtimin nga stafi.

Në shoqërinë e njëra - tjetrës, në një dhomë me dy shtretër, një kasetofon e televizor e fotografi të fëmijëve të burgosurat në Qendrën Korrektuese të Lipjanit do ta kalojnë një pjesë të jetës së tyre. E dënuara me më së shumti burgim në këtë qendër, e që janë hiq më pak se 25 vite, ka rrëfyer për RTK-në se si është jeta e saj prapa grilave.

“Një ditë e burgut është varet qysh e sheh krejt vetë...Nëse mendon veç negativisht atëherë shkon keq normal...në qoftë se i sheh senet pak ma me pozitivitet atëherë nuk e kalon keq... lexojmë, bibliotekën e kemi, sportin e kemi, aktivitete, shëtitoren... zgjimi është në orën 7, kështu kalon një ditë me shoqe”, tha ajo.

Malli për familjarët e tyre, e sidomos për fëmijët që i kanë lënë jashtë nuk kalon pa u vërejtur tek të dënuarat.

“Një djalë dhe dy vajza i kam...djali ma rrallë se është në katund te baba i vetë, e vajzat vijnë në Prishtinë janë dhe vijnë më vizitojnë...edhe tash e ndi mungesën e fëmijëve shumë, mërzitna shumë për ta, e edhe ata po mërziten”, tha një e burgosur tjetër.

Të burgosurit në Qendrën Korrektuese të Lipjanit, përfshirë këtu edhe të miturit kanë aktivitete të ndryshme gjatë ditës. Pavarësisht që janë të izoluar brenda hapësirës së burgut, ata mundohen ta kalojnë kohën me sport, lexim, pastrim e aktivitete të tjera. "Qendra Korrektuese e ka kapacitetin gjithsej 155 vende, kështu që i plotëson të gjitha nevojat për të gjitha kategoritë për të cilat është e destinume dhe ka mundësi që të bëhet në një mënyrë shumë profesionale riedukimi dhe risocializimi i këtyre kategorive që janë në këtë institucion", kanë theksuar drejtuesit e kësaj qendre.

Në këtë qendër për momentin janë duke e vuajtur dënimin 99 persona, ku 47 prej tyre janë të mitur. Përndryshe ka kaluar një kohë e gjatë që në këtë qendër nuk është shënuar ndonjë skandal që vlen të theksohet. Por pavarësisht trajtimit të mirë nga stafi e kushtet e burgut, për të dënuarit çdo ditë që zbardhë duket se kalon duke numëruar ditën se kur do ta shijojnë sërish lirinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat