​Para syve të tij ia zhvarrosën trupin e djalit, sot s’di asgjë për eshtrat e tij (Foto)

Lajme

​Para syve të tij ia zhvarrosën trupin e djalit, sot s’di asgjë për eshtrat e tij (Foto)

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 17:49

I shikonte paramilitarët serbë se si ia zhvarrosnin trupin e pajetë të djalit. Djalit të tij të vetëm. Hapnin varrin në të cilin vetë e vendosi djalin. Por nuk mund të bënte asgjë. Vetëm shikonte kamionët që çetnikët serbë i mbushnin me kufomat e shqiptarëve që i vranë dhe masakruan marsin e 99’ës. Pranvera iu bë dimër. Ia morën djalin e tij të vetëm, që asokohe ishte vetëm 19 vjeçar. Gani Bajra, ish-ushtar i UÇK-së, mundohet të rrëfejë jetën e tij pa të birin., dhimbjen që po e ndjen qe 16 vjet, kur natën e 28 marsit të 99’ës, djali i tij Samiu u vra, disa metra larg shtëpisë së tyre në Izbicë të Skenderajt.

Samiu, djali i ndjerë i Ganiut, ishte pjesëtar i UÇK-së. Me gjithë insistimin që Ganiu edhe e shoqja i kishin bërë djalit të tyre që të mos i bashkohej UÇK-së, pasi që ishte vetëm 19 vjeçar, ai nuk i kishte dëgjuar.

Ganiu rrëfen natën e vdekjes së djalit të tij. Ai ishte vrarë pasi ishte ndarë nga shokët, derisa po kërkonte të atin.

Gani Bajra: Kam ardh, e kam pa të vdekur

“Kam ardh këtu dhe i kam thënë lavdi të qoftë o bir! Dhe e kam puthë... ma kishin pas rrok në kokë”, rrëfen Ganiu.

E varrosi me duart e tij. Por as aty nuk ia lanë të qetë.

Gani Bajra: I kemi parë duke i dërguar me kamionë kufomat

“Me sy i kena pa me shokë, po çka me ba, ata kishin armatim të rëndë çka me ba. I shifshim ditë për ditë kamionët, do për Mitrovicë e di.....Me dy sytë i shihshim duke na i marrë kufomat”, tregon ai.

Ai nuk mundi të bëjë asgjë që të mbajë trupin e pajetë të djalit të tij afër vetes. Që, të paktën, t’i vendoste lule herë pas here.

Sot e ka vetëm varrin e tij të zbrazët, që çdo ditë zgjohet me shpresën se do ta plotësojë.

Gani Bajra: E kam vështirë derisa ta gjej

“Sot shkoj e vizitoj varrin e zbrazët. Vij këtu, veç lapidari. Ky popull... Allahu e shpërbleftë, veç Allahu e shpërbleftë. Se për kah njeri u pa sa ka rahmet. Sa nana ka mbet pa djalë hiç, jo veç unë po sa prindi. Me shku në ato familje e me i vizitu. Po krejt Kosovën me na dhënë ne nuk shërohemi. Por një fjalë të mirà « e duam. Nuk është asgjë pasuria, por atë fjalë nuk po na thonë”, thotë ai.

Gani Bajra që sot është i papunë, thotë se plaga për djalin nuk i mbyllet me asgjë.

Krejt çka ai kërkon në jetë është që t’i kthejnë eshtrat e djalit.

Shpirti iu vra datën e 28 prillit, bashkë me djalin.

Gani Bajra: Koka me vlonte për djalë

“Por sikur zejtinin për petulla që e kanë djegë, pasha këtë ditë, trutë e mija i kam ni duke vluar. Kokën time e kam ni duke vluar sikur zejtini. Por Zoti ma ka ruajtur mendjen. Vështirë....kjo plagë nuk mshelet”, mundohet të tregojë ai.

Herën e fundit që kishte parë djalin, i kishte thënë që të kujdeset veç për vete. Sepse, siç thotë Ganiu, ajo ishte luftë dhe nuk i dihej jetës nga sekondi ne sekond.

Por posa ishte ndarë nga ai, ishin përballë me forcat serbe. Me të dëgjuar të shtënat, ashtu siç i kanë treguar shokët e djalit, Samiu ishte ndarë nga ta duke u thënë se babën nuk e kishte mirë dhe ndoshta do të mund t’i dilte në ndihmë.

Rreth orës 03:00 pas mesnate atë e vranë. Dy muaj më vonë edhe e zhdukën.

Gani Bajra: 16 vjet pa djalë

“Qe 16 vjet fjalë po, por ku janë?”, thotë ai.

Për çiftin Bajra, që për ta Samiu ishte dritë e syve, gëzimi i vetëm, më nuk ka jetë.

Gani Bajra: Gjithmonë jemi me lot në sy

“Vjen Bajrami ne me lot në sy, vjen Shëngjergji na me lot në sy, vjen viti i ri ne me lot në sy, e dikush nuk po ia din skajin mallit, duhet me iu tutë Zotit. Duhet me i vizitu këto familje”, thotë ai.

Ish-luftëtari i UÇK-së, është i zhgënjyer me udhëheqësinë e shtetit të Kosovëes. Mendon se kategoritë e rënda të prekura nga lufta e fundit në Kosovë po lihen anash.

Sado i mllefosur me gjendjen e tij, gjetja e trupit të pajetë të djalit të tij është arsyeja më e madhe pse çdo ditë jeton.

Fshati Izbicë qe një nga vendet ku paramilitarët serbë kryen masakrat më të mëdha. Në masakrën e 28 marsit në mënyrë barbare u vranë mbi 140 civilë. Në kompleksin e varrezave në këtë fshat, ende janë 19 varre të zbrazura.

Në Kosova, sot nuk dihet fati i më shumë se 1.600 personave të vrarë e të zhdukur pastaj nga forcat serbe.

Nesër, më 30 gusht, si çdo vit tjetër, edhe sivjet do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat