Komenti i të ftuarit: Instrumente të reja për një Evropë të re

Lajme

Komenti i të ftuarit: Instrumente të reja për një Evropë të re

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 08:40

Projekti Evropa nuk ka dështuar. Por kriza e Euros do të marrë fund atëherë, kur BE të vendosë se çfarë dëshiron të jetë në të ardhmen, mendon eurodeputeti italian i BE Brando Benifei.

Dakordimi i dhimbshëm për zgjatjen e masave të shpëtimit të Greqisë e mbylli kapitullin më të ri të krizës së Euros, e cila që prej vitit 2011 duket se nuk do që të marrë fund. Hë për hë. Por fundi i historisë megjithatë është i hapur. Sepse për sa kohë mbeten të hapura çështje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me esencën e Evropës, nuk do të ketë një zgjidhje përfundimtare të krizës.

A duhet ta vazhdojë Evropa procesin e integrimit evropian? Shumë njerëz dhe parti në Evropë besojnë se projekti Evropa ka dështuar. Ose se të paktën ai duhet të shkurtohet në mënyrë radikale. Unë nuk jam i këtij mendimi. Përkundrazi. Unë mendoj se një nga shkaqet kryesore të krizës është paaftësia për ta avancuar procesin e integrimit. Mungesa e një bashkimi të vërtetë fiskal, si edhe e një politike të përbashkët të industrisë dhe të investimeve në nivel evropian, së bashku me masat kundërproduktive të kursimeve i ka përkeqësuar dhe përzgjatur pasojat e krizës. Duke e ndryshuar në këtë mënyrë vetë natyrën e krizës.

Nevojiten reforma radikale

Ajo me të cilën përballemi ne tani janë pasojat e të gjitha atyre gabimeve, që janë bërë në ndërtimin e arkitekturës institucionale të BE, veçanërisht përsa i përket monedhës. Për t'iu përgjigjur mungesës së ekuilibrave strukturore, Euros i mungojnë para së gjithash instrumentat politikë. Bindja se tregjet mund të përshtaten në mënyrë spontane është e gabuar. Prandaj hapi i parë për një integrim të thellë evropian duhet të jetë zhvillimi i instrumentave të reja për një politikë të përbashkët fiskale. Kjo nuk do të thotë vetëm se duhet të hartohen rregulla të reja të detyrueshme. Në fokus duhet të jetë një përkushtim më i madh për rritjen ekonomike dhe investime. Edhe rregullat buxhetore duhet të ndriçohen në këtë kuadër.

Qendrimi i ri më i zhdërvjellët i Komisionit Evropian përsa i përket interpretimit të Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes përfaqëson gjithashtu një element të ri të ndryshimit pozitiv. Por ai në asnjë mënyrë nuk mjafton. Të nevojshme janë reforma më të thella dhe më radikale.

"Evropa e dy shpejtësive" si rrugë realiste

Çfarë mund të bëhet për të arritur një projekt të tillë ambicioz dhe njëkohësisht kaq të nevojshëm reformash? Ne duhet të pranojmë se një integrim më i thellë evropian mund të vihet në lëvizje vetëm nga një numër i vogël vendesh. Besoj se një "Evropë e dy shpejtësive" është e vetmja rrugë realiste, për ta nisur këtë proces. Veçanërisht sepse aktualisht duket kaq e vështirë që në shtetet anëtare të arrihet konsensusi i nevojshëm për vendime radikale.
Parti më të forta evropiane
"Evropa tjetër" duhet të përfitojë nga një shtim i dukshëm i buxhetit, një mandat më i fortë për Bankën Qendrore Evropiane dhe një plan investimesh mbarëevropian. Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian duhet të luajnë një rol më të fortë. Duhet të ketë "një publik të vërtetë evropian" dhe parti më të forta evropiane.

Lëvizje populiste dhe nacionaliste e sfidojnë të gjithë Evropën. E vetmja përgjigje e mundur për këtë është një Evropë e njësuar. Një Evropë e cila ka më pak distancë nga njerëzit dhe tregon më shumë demokraci. Një Evropë, e cila është në gjendje që t'i zgjidhë më mirë problemet e përditshme të popullit është me rëndësi esenciale për të eleminuar mosbesimin e qytetarëve.

Ndihmë e qendrueshme për të rinjtë

Në të kaluarën Evropën e kanë parë si faktor përparimi dhe mirëqënieje. Kjo pamje mund të riaktivizohet. Si shembull të përshtatshëm për një politikë të mirë evropiane mund të konsiderohet e ashtuquajtura Garanci për Rininë e BE. Papunësia është një problem për miliona njerëz në Evropë. Garancia për Rininë është një ndihmë solide për të rinjtë dhe përcjell një tablo më të mirë të Evropës.

Në plan më të gjerë, motor për investime dhe rritje ekonomike mund të jetë vetëm një Evropë më e bashkuar. Njëkohësisht ajo mund të bëjë publicitet për kuptimin e vërtetë të një nënshtetësie evropiane, e cila bazohet në barazi shansesh, në të qenurit i hapur dhe në mirëqënie. Në këtë mënyrë mund të kundërshtohen si në rrafshin ekonomik, ashtu edhe simbolik propozimet disafish të thjeshtësuara dhe anakronike të populistëve dhe nacionalistëve të çdo ngjyre qofshin në Evropë.

Brando Benifei është eurodeputet italian i Partisë Demokratike (PD). Me moshën e tij 29 vjeçare ai bën pjesë në anëtarët më të rinj të Parlamentit Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat