Studiuesit komentojnë rezultatet e Samitit të Vienës

Lajme

Studiuesit komentojnë rezultatet e Samitit të Vienës

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 20:50

Drejtuesi i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Albert Rakipi thotë se të gjithë vendet e Ballkanit perëndimor ishin aty në klimën e duhur të pajtimit dhe bashkëpunimit, por e kaluara ende nuk është hedhur pas.
“Të gjithë vendet e Ballkanit janë përfshirë nga stanjacioni ekonomik dhe varfëria, thotë ai, ndërkohë që BE po merret me dështimin spektakolar të Greqisë” - tha ai.
Për studiues të tjerë është me rëndësi që një nga vendet kryesore të BE-së si Gjermania po merret me Ballkanin.
Gledis Gjipali, drejtues i Lëvizjes Europiane të Shqipërisë thotë se vendet ballkanike kanë një pritshmëri të lartë ndaj BE si burim investimesh.
Por sipas tij, BE tashmë është shumë e kujdesshme me financimet e zonave të ndryshme, sepse u dëmtua rëndë në rastin e Greqisë, që e ka antar me të drejta të plota.

“Aq më tepër me vendet që nuk janë antarë, pritet që Bashkimi t'i forcojë rregullat e financimeve, dhe mënyrën e përdorimit të tyre” - thotë ai.
Një temë kryesore në Samit ishte edhe dyndja e azil-kërkuesve nga Ballkani. Zoti Rakipi thotë se numri i madh i emigrantëve dhe azil-kërkuesve nga Ballkani krijoi një hije mbi Samitin e Vienës.
“Antarësimi do të vonohet dhe emigrantët e shumtë kanë hapur edhe temën e sigurisë, ndaj të cilës BE është e ndjeshme” - shtoi zoti Rakipi.
Me numrin e madh e të pajustifikuar të azil-kërkuesve - Ballkani ka tërhequr vëmendjen e Bashkimit Europian, si një zonë me varfëri të lartë dhe e keq-qeverisur.
Zoti Gjipali thotë se BE ia ka kërkuar Ballkanit të forcojë qeverisjen dhe antikrimin por ka harruar problemet sociale dhe ekonomike të këtyre vendeve, që tani po shpërthejnë.
Studiuesit pohuan se qeveritë e Balkanit duhet ta zgjidhin cështjen e azil-kërkuesve me përparësi të lartë, sepse është një pengesë e madhe në procesin e integrimit dhe një dëmtim i rëndë imazhi për vendet kandidate.
Sipas tyre, në Samite si ai i Vienës BE kërkon të forcohet demokracia në shtetet ballkanike, në mënyrë që të administrohen më mirë paratë dhe projektet e saj, ndërsa zgjerimi me antarë të rinj nuk është më afër se sa një dekadë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat