Pelegrinët serbë u pritën në Gjakovë me protesta

Lajme

Pelegrinët serbë u pritën në Gjakovë me protesta

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 20:02

“Festa e Zonjës së Bekuar” kishte sjellë sot në Gjakovë një grup prej 260 pelegrinëve serbë. Ata, u nisën për të hyrë në Kishë qysh në orën 09:30 të mëngjesit dhe i vazhduan ritualet pa u penguar nga askush. Kjo, pasi që ata ruheshin nën masa të rrepta sigurie.

Sigurinë nuk ua prishën as një grup i protestuesve kryesisht aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kundërshtuan prezencën e serbëve në Gjakovë.

Aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Shala ka deklaruar se derisa të dënohen kriminelët, asnjë serb nuk është i mirëseardhur në Gjakovë.

“Gjithmonë reagimet tona vijnë si pasojë e mos gjykimit të kriminelëve të cilët kanë bërë krime në Komunën e Gjakovë dhe pa u njoftuar asnjëherë pa u njoftuar se kush vjen, sepse ne dyshojmë që kriminelet e krimit të kthehen në vendin ku kanë bërë krimin dhe kjo për neve është e padrejtë. Protesta jonë është simbolike, ne kërkojmë që të ketë drejtësi dhe asgjë tjetër, në momentin që kriminelet do të gjykohen dhe do të dënohen për krimet e tyre, normal që ne nuk do të ishim kundër asnjë vizite por pa u dënuar krimi që është bërë në komunën tonë, ne nuk do t’i pranojmë asnjëherë, nuk janë të mirëseardhur”, ka thënë Shala.

Pas daljes nga kisha të pelegrinëve këta aktivistë nisën të hedhin ngjyrë të kuqe në drejtim të tyre, përderisa pati edhe konfrontime me Policinë e Kosovës ku u arrestuan edhe dy protestues.

Konfrontimi me protestuesit dhe arrestimi i dy prej tyre, nuk ka qenë diçka e madhe për komandantin e Stacionit Policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj, i cili ka thënë se gjithçka ka shkuar sipas planifikimit dhe në mënyrë të qetë.

“Ashtu siç është paraparë sot në Gjakovë kemi pas një vizitë nga një grup i të rinjve serb prej 168 persona, të cilët kanë ardhë në kohë të caktuar, kanë hyrë në kishën e t yre, kanë kryer ritet e tyre që kanë pasur dhe ne i kemi përcjell me masa të rrepta të sigurisë dhe gjithçka ka shkuar nën kontroll”, ka thënë ai.

E, kjo nuk i pëlqeu fare lëvizjes Vetëvendosje e cila ka reaguar ndaj Policisë së Kosovës, duke thënë se kanë ndërhyrë brutalisht ndaj qytetarëve dhe aktivistëve në Gjakovë, të cilët spontanisht po protestonin kundër vizitës së Ministrit nga Lista "Srpska" për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq.

Ky i fundit nuk ka pranuar të flasë për zhvillimet politike në vend, veçse është fokusuar kryesisht tek festa dhe pelegrinazhi.

Jevtiq u shpreh i bindur se një ditë serbët dhe shqiptarët në Gjakovë do të jetojnë bashkë në paqe.

“Sigurisht që nga ky vend dua të dërgojë edhe njëherë porosinë për paqe dhe pajtim, porosinë e cila thotë se askush askujt dhe asnjëherë nuk duhet t’i bëhet pengesë, se jeta e përbashkët është e mundur dhe në përputhje me këtë duhet vetëm pak tolerancë, mirëkuptim, në mënyrë që gjakovarët, por edhe të gjithë të shpërngulurit tjerë të cilët aktualisht nuk ndodhen në shtëpitë e tyre, që sa më parë të kthehen, dhe të jetojnë një jetë të dinjitetshme. Në këtë drejtim do të insistojmë dhe do të punojmë. Do të thotë, jo kundër askujt, por atë që e thash më parë, bashkë me shqiptarët, me të gjithë të tjerët që duan të jetojnë bashkë në paqe. Unë jam i bindur se kjo do të ndodhë, por duhet pak tolerancë mes njerëzve”, ka thënë Jevtiq.

Të njëjtën dëshirë për paqe e ka edhe Djokica Stanojeviq, i cili para luftës në Kosovë kishte jetuar në Çarshinë e Madhe. Ai shpreson që gjeneratat e reja të festojnë së bashku serb dhe shqiptar.

“Njerëzit kanë uruar njëri tjetrin për festa, shqiptarët kanë uruar serbët për krishtlindje dhe serbët shqiptarët për bajram. Kjo ishte kohë e njohur sipas rrugës serbe, çarshisë së madhe, e cila kohë sikur ka humbur deri diku, dhe ne po përpiqemi që të gjitha vuajtjet e shkaktuara në hapësirat e Gjakovës, që gjenerata e re, me njerëz të rinj, do të festojnë festat sërish bashkë me serbët, si dhe serbët me shqiptarët. Ne gjakovarët jemi sot veçanërisht të lumtur sepse na është mundësuar që në kishën tonë, ku edhe jemi lindur, të festojmë festën, por në të njëjtën kohë ndjehemi edhe të mallëngjyer, sepse ndodhemi pranë shtëpive tona të cilat nuk I kemi vizituar për 16 vite”, ka thënë Stajoneviq.

Pelegrinët serb kanë falënderuar kryetaren e Gjakovës Mimoza Kusari – Lila dhe ministrin Jevtiq për mundësinë që ua kanë dhënë.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat