Ndërroi jetë Augustin Bisaku, ish deputeti i Parlamentit të Kosovës

Lajme

Ndërroi jetë Augustin Bisaku, ish deputeti i Parlamentit të Kosovës

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 17:36

Mbrëmë në Bishtazhin të Gjakovës ndërroi jetë veprimtari i çështjes kombëtare, një ndër themeluesit e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, ish deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës në legjislaturën 1992-1998, Augustin Bisaku.

Ceremonia përkujtimore dhe mortore zhvillohet nesër më 29 gusht në ora 12 në Kishën Katolike "Zoja Rruzare" në Bishtazhin. Varrimi i të ndjerit bëhet në orën 13 në Varrezat e Bishtazhinit.

Augustin Bisaku u lind me 20 prill të vitit 1927 në Bishtazhin të Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Në moshën rinore ai u dallua si oficer paraushtarak. Në vitet e 60ta regjimi sllavo-komunist filloi me arrestimet dhe përndjekjet ndaj tij. Për veprimtarinë atdhetare dhe angazhimin rreth ndërtimit të kishës në fshat nga regjimi i atëhershëm qe shpallur "person i padëshirueshëm". Presionet e vazhdueshme të pushtetit të asaj kohe dhe gjendja e rëndë sociale e detyruan të emigrojë për dy dekata në Gjermani, ku u dekorua si punëtorë i zellshëm tek gjigandi prodhues i veturave të Mercedesit, Daimler Benz në Hamburg.

Kthimi në vendlindje e frymëzon Augustinin në fillim të viteve 90ta që tërë qenien e tij ta vëjë në shërbim të çështjes kombëtare, fillimisht me shpalljen Kushtetutes së Republikës së Kosovës në Kaqanik e pastaj si deputet në Kuvendin e Kosovës, ku presidenti Ibrahim Rugova e kishte ngarkuar në postet drejtuese në sektorin për bujqësi.
Augustin Bisaku u shqua edhe për kontributin e tij në shkollimin e gjeneratave të reja, hapjen e gjimnazit në Bishtazhin dhe ndihmat e vazhdueshme për minatorët dhe familjet e rrezikuara dhe strehimin e refugjatëve gjatë luftës. Në vitin 1989 ai ishte protagonisti kryesor dhe skenarist në realizimin e filmit me vlera kombëtare "Buzmi".
Ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat