Zyrtare: Kodi telefonik i Kosovës është +383

Lajme

Zyrtare: Kodi telefonik i Kosovës është +383

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 15:53

Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka mbajtur një konferencë për media me Ministren për Dialog, Edita Tahiri, ku kanë folur për arritjen e marrëveshjeve në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Mustafa ka thënë se Kosova ishte pjesë e barabartë e diskutimeve për te sotmen dhe të ardhmen e Ballkanit perëndimor në Vjenë. Ai ka thënë po ashtu se me marrëveshjet e reja i është dhënë fund strukturave paralele në veri të Mitrovicës.

“Ne Vjenë kemi qenë të barabartë me shtetet e tjera. Jemi përcaktuar që të punojmë dhe të arrijmë të gjitha premtimet që i kemi dhënë për ndërtimin e shtetit. Kemi marrë obligime dy palëshe për zgjidhjen e problemeve të dyja vendeve. Këto marrëveshje i japin fund ndërhyrjes së serbëve në Kosovë, shuarjes së strukturave paralele në veri të Mitrovicës”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka folur edhe për marrëveshjen për Asociacionin ku ka thënë se është në parim me pakon e Ahtisaarit.

“Marrëveshja e Asociacionit është ne parim me pakon e Ahtisarit. Kjo marrëveshje i adresohet ligjeve të Kosovës. Kjo argumenton se Serbia i ka pranuar ligjet e Kosovës dhe Gjykatën Kushtetuese. Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive. Themelimi i këtij asociacioni është në harmoni të plotë me ligjet e Kosovës. Asociacioni i nënshtrohet ligjeve të Kosovës, nuk ka karakter një etnik...Objektivat e asociacionit janë te nivelit lokal, janë të përkufizuara në rritjen e demokracisë lokale, në fushën e arsimit etj. Asociacioni do të jetë bashkëpronare e kompanive që kryejnë shërbime lokale, nuk do të jete pronare e kompanive publike”.

Kryeministri zyrtarisht e ka treguar se kodi telefonik i Kosovës është 00383 duke shtuar se nga kjo marrëveshje kemi përfitime të drejtpërdrejta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat