Hungaria: Ballkani po i lejon emigrantët të hyjnë në zonën shengen

Lajme

Hungaria: Ballkani po i lejon emigrantët të hyjnë në zonën shengen

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 12:06

Zëdhënësi në qeverinë hungareze Zoltan Kovacs ka thënë sot se është tërësisht e papranueshme që shtetet përgjatë të ashtuquajturës “rrugë e Ballkanit” po i ndihmojnë emigrantët që të hyjnë në zonën shengen.

Kovacs për televizionin publik hungarez ka thënë se Hungaria është i vetmi vend në këtë rrugë që po vepron me përgjegjësi kur është fjala për fluksin e madh të emigrantëve, të cilët, siç tha ai, po bëhen gjithnjë më agresivë dhe këmbëngulës për arritur në destinacionet e synuara.

“Hungaria duhet ta mbrojë territorin e vet si shteti i pavarur dhe vend anëtar i BE-së, dhe për këtë arsye duhet të sigurohet një ambient i sigurt dhe i kontrolluar mirë”, ka thënë zëdhënësi Kovacs.

Ai ka thënë se emigrantët vijnë nëpërmjet Greqisë dhe Maqedonisë, dhe se jetët e tyre nuk janë në rrezik.

“Këta njerëz lejhohen që të kalojnë ilegalisht kufijtë, dhe ata janë të lirë që të kontaktojnë autoritetet hungareze dhe ato të BE-së për të proceduar kërkesat për azil”, ka thënë Kovacs.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat