Bisedimet në Bruksel ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian janë tejet të vështira dhe për këtë arsye duhet vlerësuar shumë pozitive marrëveshjen e fundit.
Kështu ka vlerësuar lideri i Iniciativës Qytetare Serbia, Drejtësia dhe Demokracia, Oliver Ivanoviq, nëpërmjet një letre dërguar Tanjug-ut.
Ai nëpërmjet kësaj letre me shkrim ka thënë se marrëveshja për komunat serbe por edhe marrëveshjet tjera do të krijojnë kornizën ligjore brenda së cilës komuniteti serb në Kosovë në mënyrë efektive mund të mbrojë sigurinë në vend dhe të krijojë perspektivë ekonomike për qytetarët serb.
“Asociacioni i komunave serbe është një institucion i ri dhe efektiviteti i tij do të vlerësohen në një vit apo dy, sepse ajo është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të angazhohen në mënyrë aktive bashkë me kandidatët e tyre më të mirë,” thuhet në letrën e Ivanoviq.
Sipas tij, Serbia e ka forcuar pozitën ndërkombëtare, duke krijuar kushte më të mira ekonomike dhe duke forcuar ndikimin e vet politik.
”Serbët do të jenë politikisht dhe ekonomikisht të qëndrueshëm dhe Serbia do të mbrojë në mënyrë aktive interesat e serbëve në Kosovë. Unë i mbështesë këto përpjekje nga ana e Qeverisë së Serbisë”, ka shtuar Ivanoviq.
Rikujtojmë se ditë më parë, Gjykata Themelore e Mitrovicës i ka vazhduar paraburgimin deri më 27 tetor liderit të Iniciativës Qytetare Serbia, Drejtësia dhe Demokracia, Oliver Ivanovic i cili akuzohet për krime lufte .
Ivanoviq u arrestua më 27 janar të vitit 2014, ndërsa bashkë me të akuzohen edhe Dragoljub Delibasiq, Ilija dhe Nebojsa Vujaçiq dhe Aleksandër Lazoviq.
Ata akuzohen se më 14 prill 1999 dhe më 3 shkurt të vitit 2000 kanë kryer krime lufte kundër banorëve civilë shqiptarë.