"Azil, vetëm për vendet ku ka luftë"

Lajme

"Azil, vetëm për vendet ku ka luftë"

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 16:17

Bashkimi Evropian duhet të ndihmojë vendet e Ballkanit që aspirojnë të bëhen pjesë e kësaj bashkësie, në prizmin ekonomik, por jo në çështjen e azilit. Në ditën e fundit të Samitit të Vjenës, kancelarja gjermane, Angela Merkel, theksoi sërish se nuk do të ketë azil për refugjatët që vijnë nga shtetet e Ballkanit. Azil do të përfitojnë vetëm persona që vijnë nga Siria ose vende të ngjashme, ku lufta po u merr jetën. Ishte ky mesazhi që përcolli Merkel, që përfshin në këtë mënyrë edhe shtetasit shqiptarë që u janë drejtuar Gjermanisë për azil.

“Jemi të tronditur se rreth 50 persona humbën jetën, në një situatë ku kriminelët që i morën përsipër nuk u kujdesën për këta emigrantë. Aty ku menduan se do ishin të sigurt, ata vdiqën. Ka nevojë për ta zgjidhur këtë problem, problemin e migrimit me anë të frymës dhe solidaritetit. Fatmirësisht në Europë nuk kemi luftë prej Luftës së Dytë Botërore, por e kemi detyrim historik për të mbështetur njerëzit që kanë nevojë për ndihmë dhe strehë, sidomos ata nga zonat e luftës dhe krizës. Të gjithë e dinë si është situata në Siri dhe është në dorën e Europës të ndërhyjë. Pra, ta zgjidhim çështjen e migrimit me frymën e solidaritetit.

Vendet anëtare të BE-së janë të gatshme ta bëjnë këtë dhe do e diskutojnë me urgjencë. Kemi folur për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke pasur parasysh dhe sfidat që kanë. Ne si BE duhet t’ua lehtësojmë këtë barrë, dhe njerëzit që kërkojnë azil, dhe vendet që janë kandidate apo do të nisin negociatat, mund të shikojnë të drejtat e tyre të njeriut, duhet t’u japim një stimul ekonomik këtyre vendeve. Fatkeqësisht duhet t’u themi këtyre njerëzve që vijnë nga këto vende nuk kanë shans të marrin azil se azilin do e fitojnë vetëm ata që vijnë nga vendet e luftës”, tha Merkel.

Mogherini- Ballkanit: Ndal lojës së fajësimit, duhet bashkëpunim

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, theksoi në deklaratën e saj se Ballkani Perëndimor duhet të punojë së bashku, duke lënë mënjanë ndasitë dhe kritikat ndaj njëri-tjetrit. Mogherini u ndal tek çështja kryesore që prek çdo shtet, atë të emigrimit, duke theksuar në fund të deklaratës se, përgjigjja finale është zgjidhja e krizës siriane.

Mogherini mori përsipër përgjegjësinë që i takon BE-së, për refugjatët që kanë humbur jetën në përpjekje për të prekur Perëndimin, ndërkohë që theksoi se duhen përpjekje konkrete që nisin me bashkëpunimin.

"Refugjatët kanë nevojë që Evropa t’i mbrojë, duhet t’i respektojmë standardet për të drejtat e njeriut. Të gjithë e thonë, na duhet një zgjidhje evropiane. Evropa është së bashku dhe do vazhdojmë të punojmë duke vendosur në tryezë propozime që kanë nevojë të mbështeten nga institucione të ndryshme, nga partnerët, nga Ballkani Perëndimor dhe vendet fqinje. Po punojmë për propozime të reja për vendet e origjinës së sigurt dhe një mekanizëm rivendosjeje, që d.m.th. të respektojmë të drejtat e dublimit. E kuptojmë që nuk mund të vazhdojmë kështu, me një minutë heshtje kur shohim njerëz që vdesin. Kemi përgjegjësi t’i mbrojmë dhe të gjejmë një zgjidhje", deklaroi Mogherini.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat