Samiti i Ballkanit: 600 mln euro për rajonin, primare autostrada Prishtinë-Nish

Lajme

Samiti i Ballkanit: 600 mln euro për rajonin, primare autostrada Prishtinë-Nish

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 16:01

(E plotësuar)Në Vjenë sot u mbajt Samiti i Vjenës për Ballkanin perëndimor, dhe gjërat më e rëndësishme që shënuan këtë samit, është se BE-ja do të japë donacion rreth 600 milionë euro për infrastrukturë në regjion, u bisedua me intensivisht për nisjen e ndërtimit të autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, u ofrua ndihmë për zgjidhjen e problemve të refugjatëve, si dhe Serbisë iu premtua hapja e kapitujve për anëtarësim në BE së shpejti.

Samiti, i cili mblodhi së bashku liderët e rajonit dhe udhëheqësit e BE-së filloi me prezentimin e kancelarit austriak Verner Frejman, i cili theksoi se Austria me vendet e Ballkanit perëndimor ka lidhje të ngushta ekonomike dhe ndërshetëtrore.

Samiti në Vjenë i dha rezultatet e para, ka shkruar Tanjug, pasi zëvendës kancelari dhe ministri austriak i ekonomisë, Reinhold Miterlhener njofoti se BE-ja do të mbështesë vendet e Ballkanit perëndimor me 600 milionë euro në fushën e energjetikës, transport hekurudhor dhe projekte të tjera.

Miterlhener për gazetarët tha se 24 projektet do të fillojnë në vitin e ardhshëm, që parashihet të kushtojnë rreth 7.7 milionë euro, dhe të cilat supozohet se do ta rrisin GDP-në në Ballkanin perëndimor për një për qind në vit, duke gjeneruar rreth 200,000 vende pune në 15 vite.

Edhe autostrada Nish-Prishtinë-Durrës ka qenë një ndër temat që u fol në këtë Samit. Një takim për ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës është mbajtur sot në Vjenë në prag të Samitit për Ballkanin perëndimor.

Në takim kanë marrë pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama, kryeministri serb Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministri i jashtëm austriak Sebastian Kurz, presidenti i Bankës Evropiane për Investime Vernr Hojer, si dhe presidenti i Bankës Evropianë për Ndërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti, transmeton Indeksonline.

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbia deri në fund të vitit 2016 do të filloj në ndërtimin e seksionit të parë të austostradës që pritet të jetë prej 77 kilometrave, ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama ka thënë se ështe e nevojshme që Evropa të ndihmojë Ballkanin perëndimor në disa projekte specifike.

Që nga Samiti i Berlinit i vitit të kaluar, ku u pat shtruar ideja e ndërtimit të kësaj autostrade, Rama dhe Vuçiq disa herë kanë folur për ndërtimin e kësaj autostrade.

Mbyllet Samiti ballkanik i Vjenës, Deklarata e përbashkët përqendrohet te rinia

Në përfundim të Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministrat e rajonit kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, ku ata angazhohen për shkëmbime të ndërsjellë mes studentëve.

- Të ndërmarrin veprime të përbashkëta në të gjithë rajonin, për të hedhur ura afrimi mes të rinjve, si një aspekt i rëndësishëm për integrimin europian, duke promovuar kështu vlerat europiane.

- Të ndjekin shembujt më të mirë europianë, për të shëruar plagët e së shkuarës dhe ecur përpara, duke forcuar bashkëpunimin e duke marrë shembullin e Zyrës për të Rinjtë franko-gjermanë.

- Krijimin e një Zyre Rajonale për Bashkëpunimin Rinor në Ballkanin Perëndimor, si një strukturë udhëheqëse, e cila do të koordinojë bashkëpunimin rajonal, e cila duhet të jetë finalizuar deri më 1 mars 2016.

- Inkurajimin dhe ndihmën ndër të rinjtë në rajon, për të luftuar dhe distancuar veten e tyre nga fenomenet e racizmit, ksenofobisë dhe gjuhës së urrejtjes, diskriminimit në baza etnike, fetare dhe gjuhësore.

- Ndërtimin e një platforme për shkollimin profesional në fushat e IT-së, infrastrukturës, turizmit dhe energjisë, në përputhje me nevojat specifike të vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat