Rama, Mustafa dhe Vuçiq kërkojnë para nga BE për autostradën Nish-Prishtinë-Durrës

Lajme

Rama, Mustafa dhe Vuçiq kërkojnë para nga BE për autostradën Nish-Prishtinë-Durrës

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 14:46

Në ditën e dytë të Samitit të Vjenës, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi një takim koordinativ me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, në të cilin u diskutua rëndësia e ndërtimit të autostradës Nish-Prishtinë-Durrës.

Në këtë takim morën pjesë edhe drejtuesit e BERZH dhe BEI (Banka Evropiane për Investim), si edhe ministri i Jashtëm austriak Sebastian Kurz dhe komisionari Johannes Hahn.

Kryeministri Rama theksoi se te projektet e mëdha të infrastrukturës, qoftë autostrada Nish-Prishtinë-Durrës, qoftë autostrada Adriatiko-Joniane, janë projekte evropiane, të cilat nxisin ndërlidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kuadër është e rëndësishme që ndërtimi i këtyre dy projekteve të fillojë sa më shpejt dhe për këtë nevojitet ekspertiza dhe mbështetja financiare e Komisionit Evropian dhe institucioneve financiare si BERZH dhe BEI. Ndërtimi i këtyre dy autostradave do të rrisë shkëmbimet tregtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të nxisë turizmin mes këtyre vendeve.

Ndërsa kryeministri Vuçiq, duke theksuar rëndësinë e autostradës Nish –Prishtinë- Durrës, tha se fa lë këtij projekti Beogradi do të lidhet me Prishtinën në më pak se tri orë, ndërkohë që porti i Durrësit do të kthehet në pikën më të afërt detare për Serbinë.

Në fillim të vitit 2016 pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit për të dyja projektet, ndërkohë BERZH dhe BEI, në bashkëpunim me institucionet e Bashkimit Evropian, do të ndihmojnë në financimin e këtyre dy autostradave që do të lidhin Shqipërinë me vendet fqinje dhe Bashkimin Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat