Samiti i Vjenës/ Christoph Leitl: BE nuk mund të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor

Lajme

Samiti i Vjenës/ Christoph Leitl: BE nuk mund të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 14:27

Samiti i Vjenës ka filluar sot në mëngjes me segmentin e ekonomisë. 6 vende të Ballkanit Perëndimor, përfaqësuar nga ministrat e Ekonomisë dhe 6 vende të BE, me të cilave edhe Austria e Gjermania, janë ulur në një tryezë diskutimi përballë Presidentëve të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së rajonit dhe 11 CEO-ve të Kompanive të mëdha austriake.

Tema e tryezës ishte integrimi ekonomik rajonal, sugjerimi i fushave dhe projekteve konkrete të bashkëpunimit, por edhe se si kompanitë e huaja e shohin rajonin e Ballkanit.

Christoph Leitl, President i Dhomës së Tregtisë së Austrisë, në fjalën e tij, u shpreh se Bashkimi Europian nuk mund të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor. Realitetet e reja nënkuptojnë oportunitetet dhe sfida të reja, të cilat duhet t'i adresojmë së bashku.

Komisioneri Hahn e vuri theksin tek reformat strukturore që vendet e Ballkanit kanë ndërmarrë me qëllim garantimin e rritjes dhe stabilitetit ekonomik, ndërsa u shpreh se energjia, energjia e rinovueshme, promovimi i sipërmarrjes tek të rinjtë dhe trajnimi profesional duhen parë si fusha me interes të përbashkët mes BE dhe rajonit.

Duke folur për ekonominë shqiptare dhe rajonin dhe në përgjigje të pyetjeve të shtruara nga përfaqësuesit e biznesit, ministri Ahmetaj tha se qeveritë dhe kompanitë së bashku duhet të kontribuojnë për të ndihmuar rritjen ekonomike të vendeve. Ministri u ndal tek reformat strukturore të cilat, sipas tij, kanë garantuar rikthimin e stabiliteti makroekonomik dhe fiskal dhe po kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit.

“10 vjet më parë gati 80 për qind e ekonomisë së rajonit furnizohej përmes kreditimit. Sot që flasim, niveli i kreditimit ka zbritur ndjeshëm nga nivelet e para 10 viteve, e megjithatë ekonomitë tona po rriten. Ky është rezultati i reformave strukturore në ekonomi. Ky është rezultat edhe i Investimeve të Huaja Direkte. Sa për të dhënë një shembull, në tremujorin e parë të vitit 2015, kreditimi ishte në nivelet e 2 për qind, por rritja ekonomike arriti 2.82 për qind, ndërsa Investimet e Huaja Direkte shënuan nivelin më të lartë në 20 vjet, për të njëjtën periudhë", tha Ahmetaj.

Duke folur për klimën e biznesit dhe investimeve, ministri Ahmetaj tha se beson fort tek deregulimi i ekonomisë, heqjen e barrierave proceduriale, reduktimin e burokracisë dhe shkurtimin e kohës dhe kostos ‎për sipërmarrjen.

"Shumë prej jush janë investitorë në Shqipëri. Unë ju ftoj të jeni të drejtpërdrejtë me ne dhe të na thoni cilat janë problemet me të cilat ndesheni. Ne po ndërmarrim një reformë të thellë dereguluese. Çdo sugjerim nga ana juaj do të ishte në të mirë të kësaj reforme”, tha Ahmetaj.

Ai përmendi gjithashtu lehtësitë që ligji i ri për investimet strategjike dhe koncesionet do të ofrojë për investitorët. /Gjergj Koja

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat