Revolta e shqiptarit në Francë: Pse po ikin shqiptarët

Lajme

Revolta e shqiptarit në Francë: Pse po ikin shqiptarët

Më: 22 gusht 2015 Në ora: 17:18

"Kjo dëshmon që Shqipëria, veçanërisht zonat rurale të saj, është e prekur nga një krizë e thellë socio-ekonomike, ku qytetarët e të gjitha moshave dhe kategorive braktisin vendit pa e ditur në të vërtetë se ku do të shkojnë dhe çfarë do të bëjnë"

Eksodi masiv nga vendi ynë, i nisur në fillim të këtij viti, ka zënë mjaft vend në mediet botërore. Mbi 30 mijë vetë janë regjistruar si azilkërkues në Gjermanie me mijëra në vendet e tjera. Të gjithë kërkojnë arsyet e eksodit të dytë të madh të shqiptarëve, pas atij të viteve ’90. Prestigjiozja amerikane “Huffington Post” ka publikuar dje shkrimin e një shqiptari që jeton dhe punon në Francë, sipas të cilit, arsyet e largimit të Shqiptarëve në emigracion, në vitin 2015, janë sociale dhe politike. Autori i shkrimit është Aurenc Bebja, i diplomuar në Zhvillim dhe Mjedis në Unviersitetin e Burgonjës, që ka mbajtur poste të ndryshme në administratën publike franceze.

“Kjo dëshmon që Shqipëria, veçanërisht zonat rurale të saj, është e prekur nga një krizë e thellë socio-ekonomike, ku qytetarët e të gjitha moshave dhe kategorive braktisin vendit pa e ditur në të vërtetë se ku do të shkojnë dhe çfarë do të bëjnë. Përgjegjësit kryesorë janë politikanët, të cilët përpiqen ta çdramatizojnë situatën në sytë e botës, me një lehtësi shqetësuese. Politikanë pa përvojë, që zënë postet kyçe, abuzojnë me detyrën, vjedhin fondet publike, me të shkuar të lidhur me krimin, duke mos qenë të aftë të ringjallin ekonominë, që tallen me qytetarët gjatë fushatave elektorale, po e çojnë Shqipërinë drejt falimentimit”, thuhet në shkrim.

Shkrimi përmban jo vetëm një analizë të situatës, por edhe një revoltë ndaj politikanëve në pushtet, që autori e shfaq në formën e denoncimit. “Unë i mirëkuptoj azilkërkuesit që largohen nga vendi i tyre, të zhgënjyer nga kushtet e vështira të jetesës, të detyruar të dëgjojnë të flitet për miliona euro që fitojnë deputetët apo kryetarët e bashkive, por të paaftë për të reaguar kundër pushtetit.”

Autori i shkrimit thotë se teksa Gjermania po i rikthen azilkërkuesit ata duhet “t’u kërkojnë llogari politikanëve për premtimet e pambajtura elektorale, si për shembull hapja e 300 mijë vendeve të reja të punës”. “Zgjidhja nuk është në Gjermani, por në Shqipëri. Dhe për të ndalur hemorragjinë e eksodit, duhet urgjentisht dinamizimi i ekonomisë lokale dhe thithja e invesitimeve. Duhet që qeverisja qëndrore dhe ajo lokale të jenë më të rigorozë në punën e tyre dhe opozita më e përgjegjshme, ndërsa populli të ketë një frymë më kritike ndaj padrejtësive dhe korrupsionit dhe të jetë më kërkues ndaj atyre që ka zgjedhur në qeverisje.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat