SHBA, ankesë Berishës për Bukoshin: Nxit luftë në Kosovë (Dokument)

Lajme

SHBA, ankesë Berishës për Bukoshin: Nxit luftë në Kosovë (Dokument)

Më: 5 gusht 2015 Në ora: 12:25

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin e tyre për lëvizjet e Bujar Bukoshit, kryeministrit të shpallur të LDK-së, dhe mundësisë së ndezjes së një lufte me përmasa të mëdha gjakderdhjeje në Kosovë.
Në një dokument të Departamentit të Shtetit, në shkurt 1995, nënvizohet se një luftë në Kosovë mund të shtrihet në Shqipëri dhe Maqedoni.
Materiali që boton sot “Shekulli” është një informacion i klasifikuar që sekretari amerikan i Shtetit, Uorren Kristofer i dërgon ambasadorit të tij në Tiranë, duke i kërkuar të takojë presidentin Berisha dhe të trajtojë me të shqetësimet për zhvillimet në Ballkan.
Qeveria amerikane shprehet qartë kundër pavarësisë së Kosovës, ndërsa thekson si zgjidhje kthimin e autonomisë.
Gjithashtu, Berishës i kërkohet të tërheqë edhe një rezolutë të përbashkët me Turqinë dhe shtetet e Konferencës Islamike, lidhur me zhvillimet në Kosovë.


Shkurt 1995
Subjekt: Qasja e Berishës ndaj Kosovës
1 - Teksti konfidencial në tërësinë e tij
2 – Represioni i vazhdueshëm serb në Kosovë mbetet një pengesë kryesore për një zgjidhje tërësore në Ballkan. Ambasadorit i kërkohet të realizojë një takim me Presidentin Berisha për të kërkuar pikëpamjet e tij rreth situatës në Kosovë dhe sugjerimet për veprim që mund të kontribuojnë në një zgjidhje të problemit. Ambasadori duhet të pranojë kërkesën e Berishës për të përfshirë Kosovën në agjendën e propozuar të Konferencës së Parisit; të trajtojë synimet e shqiptarëve për një Kosovë të pavarur, duke theksuar mungesën e fizibilitetit të saj; dhe të diskutojë rolin e Shteteve të Bashkuara për të punuar drejt një zgjidhjeje. Ambasadori duhet të nxisë Berishën për të instruktuar ambasadorin e tij në Gjenevë të tërheqë rezolutën e veçantë të Organizatës për Bashkëpunimin Islamik dhe të përfshijë ato pika në një rezolutë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për Republikën e ish-Jugosllavisë. Informacione jepen në pikat 3-8. Ambasadori mund të mbështetet në tezat e diskutimeve, pika 9.

3 – Qasja e Grupit të ri të Kontaktit ndaj Beogradit për takimin e Gjenevës të Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, arrestimi i 200 shqiptarëve kosovarë dhe vizita në dhjetor në Uashington e dr. Ibrahim Rugovës, president i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe lider “de facto” i komunitetit shqiptar në Kosovë, e ka rifokusuar vëmendjen në përkeqësimin e situatës në Kosovë. Megjithëse ne nuk i mbështesim thirrjet e Rugovës për pavarësi ose një protektorat për Kosovën, ne e kemi mbështetur fuqimisht lidershipin e tij dhe pozicionin e moderuar.

4 – Pesë vjet të represionit serb kanë dëmtuar përpjekjet e kosovarëve për të siguruar pavarësinë me mënyra jo të dhunshme dhe mbajtjen të bashkuar të komunitetit shqiptar. Ka patur presion të shtuar ndaj LDK-së për të ndjekur një qasje më militante dhe konfrontuese. “Kryeministri” i Kosovës Bukoshi, një drejtues i LDK-së dhe rival i mundshëm i Rugovës, kontrollon arkën e partisë dhe raportohet se po eksploron mundësitë për të përdorur fondet e LDK-së për të financuar lëvizje politike alternative në Kosovë. Çdo përçarje e LDK-së do të forcojë ndjeshëm ata që janë të përgatitur të luftojnë për pavarësinë dhe gjithashtu të rrisë mundësinë e një konflikti të ri rajonal, që do të shtrihej në Shqipëri dhe FYROM.

Retorika e Bukoshit ka qenë më militante gjatë vitit 1995, derisa ai ka paralajmëruar se serbët do të përballen me “300 mijë ushtarë të motivuar dhe mirëarmatosur, duke e zhvendosur fushën e betejës në territorin serb”, nëse konflikti shpërthen në Kosovë.

5 – Në bazën e një referendumi në Kosovë, LDK e ka shpallur pavarësinë e provincës nga Serbia si “Republika e Kosovës”. (Qeveria amerikane përdor emrin “Kosovo”, me “o” në fund, ashtu si serbët). Duke parë trajtimin e shqiptarëve kosovarë në duart e serbëve, aspirata për pavarësi nuk është përbën surprizë. Politika jonë, megjithatë, vazhdon të jetë se kushtet e të drejtave të njeriut janë të një rëndësie të madhe dhe aty ne shohim kthimin e të drejtës së autonomisë për Kosovën, si mjeti më i mirë për shqiptarët për të rimarrë kontrollin dhe dhënien fund të represionit serb. Është e qartë se çdo qeveri në Beograd do të kundërshtojë realizimin e pavarësisë së kosovarëve, duke zhvilluar edhe luftë, nëse do të jetë e nevojshme për të mbajtur provincën brenda kufijve të Serbisë dhe shtrirë sërish spektrin e një konflikti të zgjeruar në Ballkan. Këto pika janë trajtuar nga ambasada në Beograd dhe zyrtarë të qeverisë amerikane gjatë viteve. Berisha është i vetëdijshëm për pozicionin tonë dhe mund të jetë në gjendje të ofrojë sugjerime për të përmirësuar situatën në kuadër të parametrave të politikës sonë.



6 – Një projekt-rezolutë shqiptaro-turke në Konferencën për Bashkëpunimin Islamik mbi të drejtat e njeriut në Kosovë është përpara Komisionit për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Qeveria amerikane do të preferonte që pikat për Kosovën dhe Bosnjen të përfshihen në një rezolutë të përbashkët, të udhëhequr nga SHBA, mbi Republikën e ish-Jugosllavisë. Duke miratuar një tekst të vetëm dhe gjithëpërfshirës me konsensus mund të dërgohet një mesazh më i fortë se mesazhet individuale. Duke i kujtuar Berishës mbështetjen e qeverisë amerikane për rënien e Shqipërisë nga vlerësimi...... procedura konfidenciale 1503, atij i duhet kërkuar të instruktojë ambasadorin e tij për të ulur shtytjen për një rezolutë të veçantë për Kosovën.

7 – Propozimi i 14 shkurtit të Grupit të Kontaktit për të ofruar një pezullim total të sanksioneve ndaj Beogradit, në këmbim për njohjen e përbashkët mes republikave ish-jugosllave, krahas kushteve të shumta, është hartuar të ndalë një shpërthim të ri të luftimeve në Bosnje. Ai nuk përfaqëson asnjë tërheqje të angazhimit tonë për Kosovën. “Muri i jashtëm” i sanksioneve ndaj Republikës së ish-Jugosllavisë do të mbetet në fuqi.
(ndërprerje e tekstit)

Masat pas rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara: Asnjë asistencë nga institucionet ndërkombëtare ose BE; jo dhënie të një vendi në Kombet e Bashkuara për Republikën e ish-Jugosllavisë dhe jo ripranim në OSBE (nga ana jonë, ne nuk do ta njohim për momentin Republikën e ish-Jugosllavisë). Qeveria amerikane nuk ka vendosur nëse do të kërkojë përfshirjen e Kosovës në agjendën e Konferencës së Paqes të mbajtur nga BE. Ne dyshojmë se ideja do të marrë shumë mbështetje nga organizatorët e BE-së.

8 – Një kërkesë specifike e komunitetit shqiptaro-amerikan, e mbështetur nga një numër anëtarësh të Kongresit, është për të hapur një Zyrë Informacioni të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. Qeveria amerikane e kundërshton këtë për arsye sigurie. LDK ka përmendur në të shkuarën interesin e saj për të hapur një zyrë në Uashington, që ne mendojmë se do të thjeshtojë linjat tona të komunikimit (dhe do të ngatërrojë përpjekjet e atyre që mund të punojnë kundër Rugovës).
9 – Tezat fillestare të bisedimeve:
- Mua më është kërkuar të konsultojë me ju pikëpamjet tona rreth situatës rajonale, veçanërisht në Kosovë. Ne ishim shumë të shqetësuar nga vazhdimi i mungesës së progresit në Kosovë. Ne jemi duke parë për një qasje të re për të ulur tensionet atje.
- Siç ju e dini, qeveria amerikane votoi në mbështetje të rezolutës suaj të suksesshme në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e Kosovës në vjeshtën e shkuar. Ne gjithashtu së fundmi mbështetëm largimin e Shqipërisë nga vlerësimet kritike prej Komisionit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së në Gjenevë. Ne mbështesim fuqimisht qasjen tuaj të moderuar ndaj...
(ndërprerje e tekstit)
represioni në Kosovë. Ne jemi të shqetësuar se atje ka disa pjesëtarë të komunitetit shqiptarë kosovarë, të cilët do të donin të ndiqnin një qasje më militante.
- Në Gjenevë, ne besojmë se një tekst i vetëm dhe gjithëpërfshirës, i miratuar me konsensus nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, nën një rezolutë të përbashkët për ish-Jugosllavinë, do të kishte ndikimin më të madh. Për këtë arsye, unë do t’ju kërkoja të konsideroni instruktimin e ambasadorit tuaj për të përfshirë pikat për Kosovën dhe Bosnjen, të vendosura në rezolutën shqiptaro-turke të Konferencës Islamike, në rezulotën e përbashkët.

- Kjo administratë vazhdon të besojë se disa sanksione duhet të mbeten në fuqi, derisa të ketë një marrëveshje finale për Kosovën. Politika jonë reflekton qasjen e Grupit të Kontaktit, që synon të trajtojë Kosovën në kuadër të një marrëveshjeje rajonale. Më lejoni t’ju sigurojë se Serbia dhe Mali i Zi nuk do të riintegrohen plotësisht në komunitetin ndërkombëtar, derisa autonomia e Kosovës të kthehet.

- Propozimi i Grupit të Kontaktit për të hequr sanksionet e vendosura nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së ndaj Serbisë, në këmbim të njohjes së ndërsjellë të republikave ish-jugosllave, nuk do të prekë “murin e jashtëm” të sanksioneve. Kjo do të thotë se nuk do të ketë asistencë nga institucionet financiare ndërkombëtare ose BE; nuk do të jepet një vend për Republikën e ish-Jugosllavisë në OKB dhe nuk do të ketë ripranim në OSBE. Nga ana jonë, ne nuk do ta njohim Republikën e ish-Jugosllavisë.

(ndërprerje e tekstit)
- Sipas propozimeve të Grupit të Kontaktit do të ketë një forcim domethënës të regjimit të vëzhgimit në kufijtë Bosnje-Serbi dhe Kroaci-Serbi, duke përfshirë disa qindra monitorues më tepër, si dhe pajisje, si radarët, për të ndihmuar në trajtimin e problemit të helikopterëve.
- Ne synojmë të mbajmë presionin ndaj Millosheviçit për të kthyer autonominë dhe të trajtojë kushtet e të drejtave të njeriut në Kosovë. Ne nuk jemi, megjithatë, në kushtet për të kërkuar në mënyrë të njëanshme që sanksionet të lidhen me Kosovën. Aleatët tanë dhe rusët janë qartësisht kundër kësaj qasjeje.

- “Paralajmërimi i Krishtlindjeve” të qeverisë amerikane ndaj Millosheviçit mbetet në fuqi. Por ngjarjet në Bosnje dëshmojnë kufirin e mundësive tona për të bërë presion ndaj Beogradit. Sjelljet e Beogradit e bëjnë shumë të vështirë të hysh në çfarëdo dialogu me serbët.

- Qeveria amerikane nuk ka kundërshtime për kërkesën tuaj për të përfshirë Kosovën në agjendën e Konferencës së Paqes, së propozuar nga Bashkimi Europian. Megjithatë, ne do t’ua lëmë atë vendim organizatorëve të Konferencës.
- Kur kryetari i LDK-së Rugova vizitoi Shtetet e Bashkuara në nëntor-dhjetor, ai tha se pavarësia është qëllimi i tij kryesor dhe sugjeroi se ideja e eksploruar e konfederatës për kroatët dhe boshnjakët, dhe tani serbët, mund të zbatohet gjithashtu për marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë. Megjithëse Shtetet e Bashkuara mbështesin principin e vetëvendosjes dhe njohin dëshirën e shqiptarëve kosovarë për një shtet të pavarur, ne nuk mund ta mbështesim pavarësinë e Kosovës.

- Ne jemi të shqetësuar me retorikën militante të “kryeministrit” të LDK-së Bukoshi për Kosovën. Është një qëndrim i mbajtur qartë nga ne, se çdo lëvizje drejt shkëputjes nga Serbia, do të rezultojë në një gjakderdhje të gjerë, ku shqiptarët do të vuajnë më shumë se serbët.

- Ne gjithashtu po punojmë për të kthyer në Kosovë Misionin Afatgjatë të OSBE-së dhe jemi të angazhuar të japim ndihmë humanitare nëpërmjet fondacionit “Nënë Tereza”.

- Ne shohim mundësi për diskutime lokalë mes fqinjëve për të përmirësuar kushtet, si për shqiptarët dhe për serbët, veçanërisht në fushat e edukimit dhe kujdesit shëndetësor. Ky diskutim nuk kërkon një kontekst politik.
- Unë do të isha më shumë i interesuar të dëgjoja idetë tuaja, tani dhe në të ardhmen, për politikat ndaj Beogradit dhe Kosovës, që mund të kontribuojnë për një zgjidhje të kësaj situate shumë të trazuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat