Pasojat e reshjeve të djeshme në Kosovë (Foto)

Lajme

Pasojat e reshjeve të djeshme në Kosovë (Foto)

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 17:10

Reshjet e djeshme të shiut dhe të breshrit që përfshin gjithë territorin e Kosovës, përveç dëmeve materiale, shkaktuan edhe numër të shtuar të aksidenteve të trafikut. Vetëm gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës ka raportuar për 103 aksidente, një me fatalitet dhe 29 me të lënduar.

Autoritetet përgjegjëse thonë se kanë marrë masa shtesë të përforcimit të kontrollit të komunikacionit me qëllim të sigurisë së trafikut.

“Policia e Kosovës me qellim të ngritjes se nivelit te sigurisë ne trafik ka ndërmarrë masa shtese për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore. Njësitë Policore të Komunikacionit Rrugor, ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme, në të gjitha akset rrugore si ato urbane po ashtu edhe në ato rajonale”, thonë zyrtarë të Policisë së Kosovës për KosovaPress.

Për dëmet në Prishtinë dhe lagjet përreth thuhet se nuk kanë qenë të mëdha. Sipas zëdhënëses së Komunës, Miranda Mullafazliu, kjo është rezultat i parapërgatitjeve dhe mirëmbajtjes verorë të cilën e kanë bërë.



Mullafazliu: Dëmet nuk kanë qenë të mëdha

“Me intensitetin e reshjeve të shiut dëmet kanë qenë thënë minimale, nuk kanë qenë shumë, kanë qenë të prekura disa pika në qytet. E dini se ka rënë një pjesë e kulmit e një konvikti në qendrën e studentëve. Kemi pas disa telashe në lagjen Dardania dhe në rrugën e Blendit dhe në lagjen e spitalit. Por jashtë kësaj, në pjesët rurale nuk kemi pasur të raportuar ndonjë vërshim apo dëm sikurse ndodh herave të kaluara , dhe kjo falë parapërgatitjes dhe mirëmbajtjes verore të cilën Komuna e Prishtinës e ka bërë duke i pastruar pusetat, shtretërit e lumenjve dhe kolektorët atmosferikë kohë më parë”, tha Mullafazliu për KosovaPress.

Në rrugën “Tringë Ismajli”, shtëpia e Mehmet Çarrit ishte e përfshirë e gjitha nga uji. Për të hyrë në stud ion e incizimeve, familjes Çarri i duhen çizmet.

Sipas Mehmet Çarrit kjo është si pasojë e mos pastrimit të pusetave nga përgjegjësit e saj, e kjo sipas tij po i ndodh qe dy herë, dhe askush nuk merr përgjegjësi për këtë. Ai nuk deshi të flasë para kamerave duke thënë se vetë pamjet flasin.

Në Kliniken e Emergjencës për ndihmë janë dërguar tre të aksidentuarit në aksidentin rrugor në Lebanë, magjistralja Podujevë-Prishtinë, të cilët ndërruan jetë. Sipas drejtorit të Klinikës Emergjente, Bastri Lenjani, nuk ka pasur të tjerë që kanë kërkuar ndihmë nga pasojat e reshjeve të djeshme.

Ndërkohë Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë matjet e sasisë së shiut të rënë dje në vende të ndryshme të Kosovës, ku ka njoftuar se në Prishtinë ka rënë shi me sasi prej 39 litra për metër katror, ndërkaq në Pri zren 25 litra.

Sasi më e madhe e shiut ka rënë në komunën e Kamenicës, ku janë matur rreth 65 litra për metër katror. Pastaj pason territori i Mitrovicës me 54 litra për metër katror. Më së paku shi ka rënë në Ferizaj dhe Pejë, ku janë matur, në Ferizaj 10 litra, ndërsa në Pejë 3 litra për metër katror.

Shiu i djeshëm ndërpreu edhe protestën e veteranëve, që ishin mbledhur për të protestuar për njohjen e statusit të veteranëve dhe zbatimin e ligjit për ta./Sh.Ahmeti/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat