Dëshmitari: Ivanoviqi ka qenë i fuqishëm, ka ndryshuar situatën brenda natës

Lajme

Dëshmitari: Ivanoviqi ka qenë i fuqishëm, ka ndryshuar situatën brenda natës

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 16:16

Në seancën gjyqësore kundër Oliver Ivanoviq dhe katër të akuzuarve tjerë për krime kundër popullatës shqiptare gjatë viteve 1999 dhe 2000 në veri të Mitrovicës, të martën ka dëshmuar avokati Gani Rexha.

Ai ka elaboruar në mënyrë kronologjike për ngjarjet edhe para shkurtit të vitit 2000, të cilat siç u shpreh ai, i kanë paraprirë natës së 3 shkurtit.

“Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë kishte ndryshuar dukshëm për të keq për shqiptarët, sepse Parlamenti serb i regjimit të Millosheviqit suprimoi autonominë e Kosovës. Ky regjim mbylli shkollat, mediat, dhe në të gjitha institucionet publike aplikoi masat e dhunshme, me ç’rast kisha pësuar edhe unë”, ka thënë mes tjerash dëshmitari Rexha, duke shtuar se kjo situatë u përkeqësua akoma më shumë pas bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve paramilitare e militare të Serbisë.

Sipas tij, filluan vrasjet e veprimtarëve shqiptarë, maltretimet, djegiet e shtëpive etj, ndërsa ai ishte detyruar ta braktiste banesën e tij në veri.

Ai bëri të ditur se që nga 1 shtatori i vitit 1999 kishte punuar gjyqtar në Gjyqin e Qarkut të Mitrovicës.

“Më 2 shkurt të vitit 2000 jam informuar nga policia e UNMIK-ut se kishte ndodhur një vrasje e një qifti bashkëshortorë në veri të qytetit të Mitrovicës. Kam dal në vendngjarje në cilësinë e gjyqtarit dhe kur kam hyrë në ndërtesën ku kishte ndodhur krimi, kam vërejtur nëpër shkallë të korridorit rrëke gjaku. Pastaj kur kam hyrë në banesë, kam parë një person të shtrirë të cilit dy ushtarë francezë po përpiqeshin t’i ofronin ndihmë. Pjesa e poshtme e trupit të tij ka qenë në korridor të ndërtesës, ndërsa pjesa e epërme e trupit brenda në banesë. Prapa një foteleje në banesë kam parë bashkëshorten e tij të vrarë me një plumb në kokë, ndërsa pas identifikimit kam kuptuar se bëhej fjalë për bashkëshortët Nezir dhe Shqipe Voca”, ka rrëfyer Rexha.

Ai shtoi se ajo natë ka qenë e tmerrshme, ku grupe njerëzish shtinin me armë nga më të ndryshmet, thyenin vitrinat e dyq aneve nëpër rrugë etj.

Sipas tij, vajza e fqinjit Murat Shkodra, e cila ka qenë e mbyllur në banesën e saj në katin e katërt, kishte dëgjuar që këta njerëz të kishin thënë në gjuhën shqipe “o gjykatës, dil jashtë se ti po na duhesh”, derisa ai bashkë me familjen e tij ka qëndruar në banesën e Rexhep Sokolit që ndodhej në katin e shtatë.

Të nesërmen, shtoi dëshmitari, kanë ardhur dy policë të UNMIK-ut me të cilët ka shkuar në banesën e tij në katin e tretë ku kishte parë katër vrima në derën e hyrjes, të shkaktuara nga plumbat.

Në lidhje me të akuzuarin Oliver Ivanoviq, dëshmitari Rexha tha se ai përveç se ka qenë kryetar i ‘Këshillit Nacional serb’, ka qenë edhe shef i policisë rezervë dhe ka pasur ndikim tek ‘rrojat e urës’.

Ai e kishte parë të akuzuarin vetëm njëherë në uniformë të policisë serbe afër urës së Ibrit dhe atë para bombardimeve.

“Për fuqinë dhe ndikimin që ka pasur Oliveri, ka mundur ta ndryshojë situatën brenda natës”, ka thënë mes tjerash dëshmitari.

Ai theksoi se e njeh edhe të akuzuarin tjetër Dragoljub Delibashiq, për të cilin tha se ka punuar në policinë serbe para dhe pas luftës, ndërsa për tre të akuzuarit tjerë, Ilija e Nebojsha Vujaçiq, si dhe Aleksandar Llazoviq, u deklarua se nuk i njeh fare.

Në anën tjetër, vëllai I të akuzuarit Oliver Ivanoviq, Mirosllav Ivanoviq, I cili para lufte për shumë vite ka qenë kryetar i Gjykatës në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPress se sipas bindjes së tij personale, por edhe profesionale, asnjëherë deri tani nuk është konfirmuar aktakuza që I vihet në barrë vëllait të tij.

Ai potencoi se familja Ivanoviq është shumë e bindur se akuzat ndaj anëtarit të tyre të familjes janë të qëllimshme, sepse kjo familje nuk është e tillë çfarë po përpiqet të pasqyrohet.

Ivanovi q: Kjo nuk është familja dhe as edukata jonë

“Unë dhe familja ime, familja e Oliverit dhe të gjithë pasardhësit e prindërve tonë të ndjerë, jemi shumë të bindur se bëhet fjalë për kinse akuza të cilat tregojnë shumë për ta njollosur familjen. Kjo nuk është familja jonë, kjo nuk është edukata jonë dhe ne me asgjë gjatë tërë jetës tonë në këto hapësira, nuk kemi dëshmuar diçka të tillë…. Vërtetë secili prej nesh me tërë qenien tonë, sikur të dyshonim se Oliveri ka bërë diçka të tillë dhe të pandershme, ne sot nuk do të ishim prezentë këtu”, ka thënë për KosovaPress Ivanoviq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat