Ambasadori i Shqipërisë në Turqi: Feja e shqiptarit është shqiptaria, në Turqi janë pesë milionë shqiptarë

Lajme

Ambasadori i Shqipërisë në Turqi: Feja e shqiptarit është shqiptaria, në Turqi janë pesë milionë shqiptarë

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 17:29

Ambasadori i Shqipërisë në Ankara, Genci Muçaj, në një intervistë dhënë “Cigdemyorgancioglu”, ka folur në lidhje me raportet mes shqiptarëve dhe turqve, por edhe për Kosovën në veçanti.

Ai ka thënë se Shqipëria përkrah në çdo formë Kosovën, ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën.

“E mbështesim gjithmonë Kosovën... që nga dita e parë, si brenda territorit, ashtu edhe jashtë. Shqiptarët në Kosovë janë shumicë absolute, janë vëllezërit dhe motrat tona nga e njëjta familje, por që fatkeqësisht janë ndarë për më shumës e një shekull. Gjithmonë do t’i përkrahim. Një komb asnjëherë s’do e gjejë paqen nëse pjesë të trupit të tij nuk janë të bashkuara”, ka thënë Muçaj.

I pyetur se sa shqiptarë jetojnë në Turqi dhe për përshtypjen e tij se sa prej tyre mund të thonë se “jam krenar që jam shqiptar”, Muçaj tha: “Besojmë se janë rreth pesë milionë, por nuk ka shifra të sakta. 100 për qind e shqiptarëve janë krenarë që janë shqiptarë. As që e diskutoj këtë”.

Ndërkaq, në lidhje me raportin mes kombësisë dhe religjionit në Shqipëri, Muçaj tha se njerëzit lindin me kombësi, por jo edhe me fe.

“Nacionaliteti i bashkon njerëzit, e jo feja. Feja e shqiptarit është shqiptaria. Megjithëse liria e besimit është e mbrojtur me kushtetutën tonë, religjioni nuk është mënyrë e të jetuarit në Shqipëri, por është një shprehje e besimit”, theksoi ai.

Ambasadori Muçaj tha se prioritetet e Ambasadës së Shqipërisë në Ankara janë: “Së pari, marrëdhëniet bilaterale, së dyti Diplomacia ekonomike dhe së treti Diplomacia kulturore”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat