Marko Gjuriq takohet me kryetarët legalë e ilegalë të komunave veriore

Lajme

Marko Gjuriq takohet me kryetarët legalë e ilegalë të komunave veriore

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 07:10

Serbia muajt në vijim do të dyfishojë përpjekjet e saj në zgjidhjen e problemeve me të cilat po ballafaqohet popullata serbe në veri të Kosovës. Përpjekjet nënkuptojnë fushat e organizimit, reformave, si dhe financimin, ndërsa vëmendje e veçantë do t’i kushtohet arsimit dhe shëndetësisë.

Kështu ka thënë drejtori i zyrës për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, të shtunën mbrëma në veri të Mitrovicës, gjatë takimit me kryetarët legalë dhe ilegalë të komunave veriore, si dhe me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Duke folur për krijimin e Bashkësisë së Komunave serbe, ai tha se Republika e Serbisë do të ndajë mjete të konsiderueshme financiare për formimin e saj, dhe se kjo do të jetë çështja kryesore gjatë bisedimeve të ardhme që do të zhvillohen në Bruksel.

Ai ka përmendur edhe krijimin e Gjykatës speciale për UÇK-në, duke thënë se Serbia dhe serbët duan që përgjegjësit e krimeve nga viti 1998, 1999 dhe viteve në vazhdim, të dalin para drejtësisë.

“Edhe pse mungon besimi ynë ndaj përfaqësuesve politikë të disa partive në Prishtinë sa i përket bashkëpunimit të mirëfilltë me organet e drejtësisë, ne duam të japim kontributin tonë për secilën përpjekje, që përgjegjësit e krimeve të dalin para drejtësisë”, ka thënë mes tjerash Gjuriq..

Ai ka kundërshtuar fuqishëm edhe propozimin e Rezolutës për gjenocid të kryer nga ana e Serbisë, që është propozuar ditë më parë në kryesinë e Parlamentit të Kosovës nga deputetja Donika Kada-Bujupi.

Ndryshe, në këtë takim ka marrë pjesë edhe ministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat