Staravecka, partizani që ia ktheu shpinën Enver Hoxhës: Poshtë sërbjanët dhe klika tradhtare e këlyshëve të tyre!

Lajme

Staravecka, partizani që ia ktheu shpinën Enver Hoxhës: Poshtë sërbjanët dhe klika tradhtare e këlyshëve të tyre!

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 00:11

Xhelal Staravecka (1912-1975) ishte ushtarak që ka kryer Akademinë në Napoli, protagonist në kryengritjen antizogiste të Fierit për çka dënohet me vdekje, por bën vetëm burg politik. Udhëhoqi çeta dhe luftoi për çlirimin e disa krahinave në Skrapar, Berat, Korçë e Fier. Bashkëpunoi me Enver Hoxhën për krijimin e Brigadës së Parë partizane; por braktisi Frontin për shkak të ndërhyrjes jugosllave në Partinë Komuniste. Pas masakrës së 4 shkurtit 1944, për disa muaj komandoi Xhandarmërinë e Tiranës e, pas këtij viti, marrëdhënia e tij më Shqipërinë shkëputet. Jetoi disa vjet në Itali dhe në Francë ku i prehen eshtrat.

Më poshtë mund të lexoni traktin numër 2 të tij, mes 8 trakteve që ai lëshoi në popull menjëherë pas dezertimit të tij nga radhët e Ushtrisë Nacional Çlirimtare. Staravecka i shigjeton me kritikat e tij të ashpra ndaj Miladin Popoviqin dhe Dushan Mugoshën, duke i portretizuar si qenie diabolike, e duke bërë thirrje që të mos iu besojnë më e të dezertojnë në masë nga radhët e ushtrisë që drejtohej nga partia komuniste, që ata e kishin plotësisht nën zotërim.

Traktin mund ta lexoni të plotë në vazhdim:

“Dokumenti
Trakt’ i II.

Veç sulmeve që i bëheshin nga fashizmi, ke qenë ti o tokë dhe popull i Skraparit që ke shpërthyer në një lëvizje me armë kundra okupatorit fashist, n’atë kohë kur fashizmi italo-gjerman ishte 50 km lark portave t’Aleksandrisë, e Mussolini priste lajmin orë e çast që ushtrit glorioze të hynin në këtë qytet, që të shkonte atje e të mbante fjalimin e pathyeshmënisë së trupave fashiste, atëhere o popull i Skraparit, nën rrezikun e disfatës mijë për qind, nuk përtove të hidhesh në flakën e zjarrit për lirinë e ëmbël t’ënden që kërkonje.

Luftat e filluar me gjithë sakrificat e tua o popull, i treguan botës së jashtme se populli Shqiptar nuk pranon zgjedhën e huaj. Lufta në malet e Skraparit u bë me tym e me barut të djemve të Skraparit, e jo me dokrat e Gjin Markut. Këtë luftë e pranoi Mestan Ujaniku dhe populli i atij vendi, dhe Gjin Marku i Bazit të Matit, që s’e njeh kryeplaku i katundit të tij, rritur me copat e Hysen Selmanit dhe të tjerëvet si ky, me dinakëri djallëzore e përvetësoi këtë luftë komuniste. Populli Shqiptar këtë djalosh pehlivan të fjalëve të mira, po që mbrapa fsheh djallëzin më të shëmtuar, e mori në gjirin e tij.

Është traditë Shqiptare që të huajit i bëhet përkrahje e madhe. Ky Makiavel i shekullit 20, loste pllanin diabolik të frymëzuar nga Sërbët Dushan e Meladin; perdja e atij pllani hiqet vetëm atëhere kur këta të gabuar mendonin se popullin Shqiptar që e hodhë me grushtin e tyre barbar.

Populli Shqiptar revolucionar prej natyre, priti në gjirin e tij fjalën e bukur por gënjeshtare t’onën. Ai për patriotizëm nuk mori parasysh masakrimet që mund t’i bënte armiku. Ti o popull na mbanje dhe bashkë me ne hoqe kaq mundime e bëre kaq therori pse ishe i bindur se bënje një luftë të drejtë dhe të sinqertë. Ti na ndoqe me çdo rrezik, ti s’more parasysh mjerimet që të kërcnoheshin nga lufta pse besonje që krynje një punë të shenjtë. Ah, ç’pabesi.

Sa mjerim i madh! Falna, të kërkojmë ndjesë. Të kemi gënjyer por s’është faji i jonë. Të gënjyem se na gënjyen; dhe ja gënjeshtra: neve bërtisnim më të katër anët se bënim një luftë për çlirimin kombëtar, por kjo s’paska qënë e vërtetë; neve simbas temperamentit t’ënd o popull, që shkon mbas trimave pregatisin lirinë, të organizuam, të rekrutuam, jo për të bërë një blok të çelniktë kundra armikut, por për t’u forcuar neve vetë, që të aplikonim të gjitha ato pllane që kishim prapa perdes: kompllotet, pusitë vlla-vrasjen dhe terrorin, dhe mbi këtë gjendje të vajtueshme që krijuam, të dominonim neve vetë.

Ah! Ç’pabesi! U forcuam me batalione, brigata, nga ty o popull fatmir por u kthyem tek ty o i mjerë për të t’i punuar të gjitha të zezat, torturat dhe gjithë poshtërsitë, që s’ka faqe historija t’i shkruajë. Ti që u hodhe në sulmë të zjarrit t’armikut më të tmerrshëm, ti që ke bërë të gjitha sakrificat ekonomike, që na ke mbajtur në gjirin t’ënd, kur u forcuam varrin t’a kishim hapur dhe po t’a falnim xhenazenë që të të mbulonim për jetë.

POPULL!

S’ka qënë faji i ynë që s’kuptuam qëllimet satanike të Sërbëve Dushan e Druzha Meladin, për të cilat ata kishin ardhur dhe formuan këtë parti terrori. Dy sërbërit e mallkuar që rrinin në krye të partisë komuniste shqiptare sot fërkojnë duart ku shohin se propaganda e tyre, për të cilën ishin dërguar, e bëri punën. Ah, ç’mjerim! Popullin Shqiptar e hodhi në vlla-vrasje.

Cilët janë qëllimet e tyre dhe çdo të nxjerim me këtë vlla-vrasje në krye? Ja o popull: Karta e Atllantikut ju e dini se ka për qëllim krijimin e shteteve omogjene, dhe në omogjenitetin e Shtetit Shqiptar hyn dhe Kosova e jonë pjellore, hyn dhe populli i Kosovës Kreshnike, pjesë kryesore e shtetit mozaik Jugosllav, që ësht razi t’i shkëputet Shumadija dhe jo Kosova.

Për të mos u harrijtur ky omogjenitet i Shtetit Shqiptar në tokë e në njerz Dushani dhe Meladini i a vunë zjarrin Shqipërisë me vlla-vrasje e gjak-derdhje, dhe për të mos menduar më tej ata na shtyjtën të bëjmë luftë Nacional-Çlirimtare jo për të thyer armikun, jo për t’u vënë në dukje para shteteve aleate që ne luftiojmë për liri, por për t’u grumbulluar rreth partisë komuniste terroriste elementat e mirë të gjithë populli Shqiptar, dhe këtë grumbullim e futën në vlla-vrasje për të mos u zgjeruar në kërkesën e të drejtave të tokave Shqiptare të humbura në Veri.

Këta pelivanë e politikanë, po të kishin qënë komunista të sinqertë, të bijt’ e Metohisë, fush’ e Kosovës, të inkuadruar prej më se 10 vjetsh në Partinë Komuniste Jugosllave, duhesh të kishin bërë të paktën një protestë, në mos me demostrata, me një trakt, mbi poshtërsit’ e popullit jugosllav në kurriz të popullit fakir e fukara të fushës së Kosovës.

Besa e Zotit, asnjë gjë nuk kombinuan në interes të fatkeqësisë që populli i Kosovës vuante nënë Jugosllavinë. Kam qënë vetë në Kosovë, dij gjithë masakrat, gjithë poshtërsitë dhe ndyrësitë që i punoheshin popullit Kosovar; njoh Druzha Miladin, njoh Dushan Gogoshanin, Malazez banues në një nga katundet e Pejës, formonjës të Partisë Komuniste, sot nënkomisar politik i Brigatës së I-rë me pseudonimin “Sal”. Një fytyrë e shëmtuar, çalon si një jezit se ka një këmbë të shkurtër, mustaqet e zeza dhe të rëzuara poshtë, vetullat e vrejtura, sytë të pangopur me gjak.

Ky demon kaq njerëzidashës, si një konmunist i mirë pse nuk e përdëlleu popullin e Kosovës në padrejtësitë që i bëheshin? S’kish përse, mbasi ai ishte i dërguar që edhe kjo pjesë e Shqipërisë të hynte nën llagaren shtrydhëse të Sllavëve, armiq shekullorë të popullit Shqiptar. Erdhi dhe m’i lumtë ç’e gatoi. E gatoi por nuk e poqi se bijtë e popullit Shqiptar dale ngadale i a kuptuan planin djallëzor dhe i kthyen sot shqelmin dhe nesër do t’a nxjerin përpara gjyqit të vërtetë të popullit bashkë me klikën qorre që verbërisht u bë vegël dhe na hodhi në këtë kataklizëm.

Shokë komunista! Bëhuni koshientë, kuptoni mirë djallëzitë e Sërbëvet katila të popullit Shqiptar, dhe desertoni nga rradhët tradhëtare që kullojnë gjak të pafajshmish.

POPULL SHQIPTAR! Hapi sytë mirë se fati yt po luan me majë të thikës së Dushanit e të Meladinit kasap. Komitet Qendror i Partisë Komuniste, si e pranon këtë llomë të tradhëtisë ku je zhytur? Si e ngreh këtë përgjegjësi kaq të madhe të çfarosjes së popullit Shqiptar për hatrin e Sërbjanëvet?

Unë e dij që do t’i quani fjalë n’erë, por çdo të më thoni nesër me traktin tjetër kur të nxjer faktet t’uaja me dokumenta të gjalla të tradhëtisë e të poshtërsisë? Do të thoni tradhëtar Xhelal Staravecka. Nuk mjafton me kaq, jam larguar për të mos të bërë tradhëtira, dhe me që unë nuk qeshë koincident i tradhëtive t’uaja, ju shumë me vënd e përdorni fjalën tradhëti, sepse u bëra shkak i dështimit të pllaneve gjakderdhëse t’uaja. Në traktin e nesërmë do të flasim me fakte me dokumente dhe emra mbi torturat që s’i ka bërë as inkuizicioni i Spanjës dhe Gjyqet mesjetare. Nuk e dij në se jam tradhëtar unë apo ju që krijut këtë mjerim të patreguarë në Shqipërinë e Jugut.

A JAM TRADHËTAR?...

Posht Sërbjanët dhe klika tradhëtare e këlyshavet të tyre!

RROFTË FLAMURI KOMBËTAR!

Rroftë Shqipëria me gjithë Kosovën! Rrofshi ju o të rinj që mendoni drejt e për të mirën e vendit t’onë!

Rrofshin dhe Aleatët, që kemi qënë të POROSITUR T’I ARESTOJMË!

Rrofshin komunistat e vërtetë dhe koshientë! Poshtë terrori! Poshtë përçarësit! Jashtë të huajit, shkaktarë të vëllavrasjes!” (sic.). /Shqiptarja/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat