Daçiq: Rusia është detyruar të njoh pasaportat e Kosovës

Lajme

Daçiq: Rusia është detyruar të njoh pasaportat e Kosovës

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 14:56

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq thotë se Rusia nuk e ndryshon qëndrimin për Kosovën, dhe Rusia ka qenë e detyruar që në disa raste të njohë pasaportat e Kosovës.

Daçiq ka thënë se vendimi i Moskës “nuk do të thotë hyrje në njohjen e dokumenteve të Kosovës".

"Kjo është, për fat të keq, pasojë e pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe këtë duhet ta respektojnë të gjithë. Qëndrimi rus për Kosovën mbetet i pandryshuar”, ka thënë shefi i diplomacisë serbe.

Ambasada ruse në Beograd duke njoftuar për këtë vendim dje kishte thënë:

"Hyrja me pasaportat e të ashtuquajturës 'Republikë e Kosovës' në territorin Rusisë është i mundur vetëm në rastet që bazohen në respektimin e detyrimeve ndërkombëtare të Rusisë në cilësinë e palës –pranues i ngjarjeve që organizohen përmes strukturave multilaterale, anëtare ose pjesëmarrëse e të cilave është e ashtuquajtura 'Republikë e Kosovës', si dhe për shkak të sigurimit të pjesëmarrjes së përfaqësuesve të saj në ngjarjet sportive, të cilat mbahen në territorin e Rusisë nën përkujdesjen e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik ose të federatave relevante ndërkombëtare sportive".

Ambasada ruse ka shtuar se kjo procedurë i përgjigjet praktikës serbe të trajtimit të dokumenteve të Kosovës dhe është futur në përdorim me dijeni të palës serbe e cila ka qenë e njoftuar për këtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat