Zvicra kremton Ditën e Pavarësisë

Lajme

Zvicra kremton Ditën e Pavarësisë

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 11:57

Në vitin 1291 Uri, Schwyz dhe Unterwalden lidhën bashkë një aleancë. Në vitet 1332 deri 1513 kësaj iu bashkangjitën edhe Berna, Cyrihu, Glarusi, Soloturni, Friburgu, Lucerna, Zugu, Qyteti dhe Rrethina e Baselit, Shafhauseni, Apenzeli. U krijua një federatë qytetesh dhe rrethinash.

Nga 1527 deri 1531 Zvicra ka përjetuar periudhën e refomacionit. Kjo e ndau federatën në katolikë dhe protestantë. Për 200 vite, këto kampe luftuan njëri-tjetrin. Më 1798 bie Besëlidhja. Trupat franceze të Napoleonit marshojnë në Zvicër. Vendi bëhet një shtet nën protektoratin e Francës – Republika Helvetike.

Në periudhën ndërmjet 1803 deri 1815 ndodh rilindja e Federatës. Asaj i bashkëngjiten kantone të tjerë: SG, GR, AG, TG, TI, VD, VS, NE, GE. Në këtë kohë Zvicra fiton kufijtë që ka edhe sot. Në Kongresin e Vjenës, në vitin 1815, vendet fqinje e njohën neutralitetin e Zvicrës, transmeton dialogpuls.

Më 1847 Zvicra rrëshqet në një luftë qytetare mes kantoneve konservative katolike dhe atyre liberale protestante. Të parët kërkonin ruajtjen e Konfederatës, të dytët kërkonin një shtet të centralizuar. Shteti i sotëm i Zvicrës është krijuar më vitin 1848 me mbarimin e luftës qytetare përmes një kompromisi. Zvicra konstituohet si një konfederatë me një kushtetutë federative.

Kantonet fitojnë me këtë autonomi të mëdha. Në vitin 1874 bëhet një revizion i përgjithshëm i kushtetutës. Kjo i forcon të drejtat qytetare dhe të federatës në kurriz të kantoneve.

Krijimi i rrjetit hekurudhor, ndërtimi i tuneleve të Gothardit dhe Simplonit datojnë nga vitet 1874-1914. Në këtë kohë bëhen aktuale çështja e rrogave, orarit të punës etj. Ndalohet puna e fëmijëve në fabrika.

Lufta e Parë Botërore Zvicrën e gjen neutrale. Përbrenda, gjermanofonët simpatizohen me Gjermaninë, kurse frankofonët me Francën. Në këtë periudhë tensionohen raportet midis punëdhënësve dhe punëmarrësve. Në vitin 1918 thirret një grevë e përgjithshme. Kundër grevistëve përdoret ushtria. Vitet 1919 deri 1939 karakterizohen nga një krizë ekonomike. Shtyllat kryesore të ekonomisë janë industria e makinerisë dhe ajo kimike. Bashkimet e punëdhënësve dhe sindikatat bëjnë paqe.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore Zvicra mbetet neutrale dhe kursehet nga ajo. Shteti Helvetik bëhet strehë e mijëra hebrenjve.

Periudha 1945 deri 1975 njeh një konjukturë të lartë ekonomike. Në këtë kohë inkurajohet edhe migracioni i të huajve. Në vitin 1947 themelohet shtylla e parë e sigurimit social – AHV. Në 71-shin futet e drejta e votës dhe zgjedhjes për gratë në rrafsh nacional.

Në vitin 1979 themelohet Kanton Jura. Dy vite më vonë ndodhin marrëveshjet bilaterale me Unionin Evropian. Në vitin 2002 Zvicra bëhet anëtare e OKB-së. 2014-ta do mbahet mend për Iniciativën e Migracionit Masiv, e cila u pranua me 50.2 për qind. Sivjet Zvicra u vërshua nga valë refugjatësh kosovarë, por sidomos nga vatrat e krizës në Lindjen e Afërt dhe Afrikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat