Ja çfarë kushtesh kanë të burgosurit në Kosovë!

Lajme

Ja çfarë kushtesh kanë të burgosurit në Kosovë!

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 09:40

Derisa kohë më parë, raportet vendore dhe ndërkombëtare, sugjeronin renovimin ose edhe mbylljen e disa pavijoneve të Burgut të Dubravës dhe atij të Lipjanit, me arsyetimin se ishin në gjendje të mjerueshme dhe nuk i plotësonin as kushtet minimale për të burgosurit, tash gjendja vlerësohet se ka ndryshuar për të mirë.

Në raportin e Misionin të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë (OSBE), të realizuar në vitin 2010, thuhej se madhësia dhe kapaciteti i dhomave në shumë objekte nuk i plotëson standardet ndërkombëtare, andaj rekomandohej që të bëhen përpjekje për zvogëlimin e numrit të personave, ose të punohet në shtimin e dhomave që madhësia e tyre të jetë e mjaftueshme për numrin e të paraburgosurve që mbahen në to.

Ngjashëm rekomandonte edhe raporti i Qendrës kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarve nga tortura (QKRMT), i publikuar në qershor të vitit të kaluar, ku thuhej se në disa pavijone të burgjeve, në një dhomë janë nga 6 apo 7 veta e që nuk i plotësojnë as standardet minimale për jetesë.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Emrush Thaçi, ka pranuar për KosovaLive se më herët gjendja ishte ashtu siç është raportuar, por ka theksuar se tani gjendja është tërësisht ndryshe nga ajo që thuhet në raporte. Pra Thaçi ka folur për ndryshime pozitive të gjendjes, por sa herë ka përmendur shembuj argumentues iu ka referuar vetëm Qendrës Korrektuese në Lipjan.

Ai ka theksuar se gjendja e përgjithshme në Qendrën korrektuese për femra dhe të mitur në Lipjan ka ndryshuar tërësisht në aspektin pozitiv dhe se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka avancuar në të gjitha sferat.

Sipas Thaçit, në të gjitha dhomat e banimit ku janë të vendosur të miturit apo femrat ka hapësirë të mjaftueshme për të burgosurit, nuk ka asnjë rast të vendosjes më shumë se sa ka hapësirë dhe se tani për tani nuk ka asnjë dhomë të banimit ku ka më shumë se 4 persona.

“Në Qendrën Korrektuese në Lipjan për momentin të gjitha pavijonet janë në gjendje të mirë nga fakti se nga koha kur është bërë raporti i OSBE-së e deri më tani janë rinovuar të gjitha pavijonet e banimit.

Pavijoni A ku janë të vendosur të miturit me masë edukuese korrektuese është rinovuar në fund të viti 2009 dhe në fillim të vitit 2010. Pavijoni B ku janë të vendosur të miturit e paraburgosur dhe ata të dënuar është rinovuar në vitin 2010.

Pavijoni D ku janë të vendosura femrat e paraburgosura është rinovuar në vitin 2012. Pavijoni O ku janë të vendosura femrat e dënuara është rinovuar gjatë vitit 2014-2015”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se këto ndryshime dëshmojnë gjendjen më të mirë në të cilën janë pavijonet.

I pyetur se si janë kushtet në pavijone, Thaçi ka potencuar se për të gjitha kategoritë e të burgosurve ka batanije, dyshek, jastëkë dhe çarçafë të mjaftueshëm që mbahen mirë.

Ndërsa, duke folur për procesin mësimor në këtë qendër, ai ka thënë se për të miturit mbahet mësim i rregullt në paralelet e ndara këtu që veprojnë në kuadër të shkollave publike të Komunës së Lipjanit.

“Megjithatë këtë vit kemi pasur probleme me mbulimin me kuadër arsimor për të gjitha lëndët mësimore, mirëpo shpresojmë që ky problem do të tejkalohet me fillimin e vitit të ri shkollor.

Në kuadër të Qendrës Korrektuese në Lipjan organizohen edhe aftësime profesionale për të mitur në informatikë, hidroinstalim, elektroinstralim dhe murator, kurse për femra në fushat informatikë, bukëpjekje, rrobaqepësi dhe floktari.

Të gjitha këto trajnime i mbajnë instruktorët profesional dhe në fund vijuesit e suksesshëm pajisen me certifikata që i lëshon Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka potencuar Thaçi.

Ai po ashtu ka përmendur edhe çështjen e tualeteve në pavijonet për të mitur, të cilat siç ka thënë ai, nuk janë të vendosur në dhomat e banimit. Ajo që mbetet problematikë në këtë burg, sipas Thaçit, është transformatori i tensionit të lartë pranë bllokut ”D”, i cili edhe paraqet rrezik për siguri, por po bëhen përpjekje për ta larguar.

Se gjendja në burgun e Lipjanit ka ndryshuar për të mirë nga viti i kaluar e thotë edhe Alban Muriqi, nga Grupi punues për formimin e Mekanizmit Kombëtar Kundër Torturës.

Ai ka thënë për KosovaLive se gjendja në këtë burg është më e mirë në pikëpamje të infrastrukturës së përgjithshme, kushteve të banimit dhe trajtimit të të dënuarve.

“Një zhvillim në përmirësimin e kushteve të banimit në Lipjanit është renovimi i pavijonit ku deri në fillim të 2015-të mbaheshin personat e paraburgosur, ndërsa tani janë vendosur të paraburgosurat femra të Qendrës Korrektuese të Lipjanit. Kjo ka ndikuar në përmirësimin e kushteve të vendosjes, sistemimit dhe trajtimit të femrave, duke i ndarë të paraburgosurat nga femrat e dënuara”, shprehet ai.

Sipas Muriqit, ndonëse shërbimi korrektues nuk ka ndonjë program edukimi për të dënuarit me nevoja të veçanta, ka vërejtje nga vetë të miturit, si dhe menaxhmenti për kualitetin e mësimit që ofrohet.

Në gjendje pothuajse të njëjtë, Muriqi thotë se janë edhe pavijonet në Burgun e Dubravës, në të cilat ndonëse janë bërë renovime, prapë janë të papërshtatshme për jetesë. Mirëpo, për dallim nga viti 2014, sipas tij, në pavijone nuk ka mbipopullim me të dënuar, derisa gjendje e rëndë e infrastrukturës paraqitet në pavijonet numër 1, 2, 4 dhe 5 në Dubravë.

“Rekomandimi i Task forcës monitoruese (26.06.2014) për renovimin ose mbylljen e ambienteve të vetmisë në pavijonin 5 në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ka filluar të përmbushet (renovimi i dhomave) vetëm në fillim të vitit 2015. Tani pas renovimit në vitin 2014, për kushte më të mira dallohen pavijonet 3, 6 dhe 7. Edhe ambientet e kuzhinës dhe ato të spitalit janë në gjendje më të mirë pas renovimit të tyre në vitin 2013, respektivisht 2014”, vlerëson ai.

Duke folur për hapësirën në pavijone, Muriqi ka thënë se në vitin 2015 gjendja e popullimit është në kushte më të mira, të cilat sipas tij, mund të vlerësohen si të pranueshme në kuptimin e numrit të të dënuarve për një qeli.

“Shumica e dhomave në pavijonet në Dubravë janë me nga 4 persona, ndërsa ka dhoma edhe me 5 e në disa raste edhe me 6 persona. Kjo vendosje shpesh është e përkohshme dhe ndodh për shkak të renovimeve të shpeshta të ambienteve në këtë burg. Megjithatë ndodh qe renovimi i një pavijoni tejkalon edhe 6 muaj dhe kjo përbën një sfidë në menaxhimin e situatës me numër të madh të të dënuarve në dhoma apo pavijone”, ka thënë tutje ai.

Problem tjetër me të cilin përballet prej vitesh ky burg, sipas tij, është edhe mungesa e furnizimit të rregullt me shtroje dhe mbulesa.

“Në shumicën e pavijoneve nuk ka furnizim me pajisje shtroje-mbuloje prej vitesh. Në kushtet jo të mira higjienike në pavijonet e caktuara pajisjet e vjetra e rëndojnë gjendjen e të dënuarve, derisa ata qëndrojnë edhe me vite në ato kushte. Veç tjerash kualiteti i këtyre pajisjeve është i dobët, në veçanti i batanijeve të cilat shkaktojnë irritim lëkure dhe alergji tek të dënuarit”, ka përfunduar Muriqi.

Rikujtojmë se disa nga rekomandimet e dala nga raporti i Qendra kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarve nga tortura (QKRMT) ishin: të rinovohen dhomat që janë jashtë funksionit; të evitohet lagështia në dhoma dhe korridore; të rregullohen nyjat sanitare; të sigurohen kushte të dinjitetshme për vendosje dhe mbajtje (urgjentisht të evitohet vendosja e tyre në dyshek); të funksionalizohet ventilimi në të gjitha dhomat; të sigurohet uji i mjaftueshëm i ngrohtë për të gjithë; të pastrohen batanijet; të furnizohen të paraburgosurit me produkte higjienike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat