Gjiganti i ri evropian i armatimeve

Lajme

Gjiganti i ri evropian i armatimeve

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 09:12

Parisi është më liberal se qeveria federale gjermane sa u përket eksporteve të armëve në vendet që nuk janë anëtare të NATO-s apo BE-së. Bashkimi spektakolar i KMW-s gjermane me Nexterin francez bart energji shpërthyese.

Nëntorin e kaluar, Frank Haun, shef i prodhuesit gjerman të tankeve Krauss-Maffei-Wegmann (KMW) qe ankuar publikisht se sipërmarrjet e armëve trajtohen si metresa. "Gjithkush ka nevojë për atë që ne ofrojmë, por askush nuk dëshiron ta shohin me ne në publik". Tani "metresa" mund të martohet, madje me një partner francez.

Bashkimi i kompanisë gjermane me konkurrentin e saj francez Nexter është një nga bashkimet më spektakolare të industrisë së armatimeve në Evropë. Nga ky do të krijohet një gjigand evropian për prodhimin e tankeve me rreth dy miliardë euro të ardhura, me rreth 6000 punonjës dhe një ndikim dhe pjesë tregu shumë më të mëdha.

Fuzionimi Nexter Krauss-Maffei Wegmann

Nga pikëpamja ekonomike, bashkimi është i kuptueshëm. Por politikisht ai mbart mjaft energji shpërthyese. Sepse KMW sjell në martesë një pajë problematike për partnerin francez. Fjala është për rregullat e rrepta që janë fuqi në Gjermani në lidhje me eksportin e armëve të luftës.

Kujdes shtigje shpëtimi!

Ministri i Ekonomisë Sigmar Gabriel që është përgjegjës për autorizimet për eksportin e armëve, kishte njoftuar në fillim të mandatit të tij, se do të aplikonte një masë më kufizuese për eksportet e armëve sesa qeveria e mëparshme dhe e mbajti fjalën. Kështu vitin e kaluar dështoi një biznes në miliarda i KMF-së me Arabinë Saudite, për shkak se qeveria federale nuk e miratoi shitjen e qindra tankeve për Riadin.

Kurse Parisi është më liberal se qeveria federale gjermane sa u përket eksporteve të armëve në vendet që nuk janë anëtare të NATO-s apo të BE-së. Edhe në qoftë se Ministria Federale e Ekonomisë thekson se kontrollet e eksportit të armëve gjermane nuk do të ndikohen nga martesa e prodhuesve të tankeve, nuk mund të mos dyshosh që përmes këtij fuzioni rregullat gjermane mund të anashkalohen.
Ky dyshim bazohet në një marrëveshje të vitit 1972 të nënshkruar nga Helmut Schmidt, asokohe ministri gjerman i Mbrojtjes, dhe homologu i tij francez, Mishel Debré. Sipas saj të dy vendet kanë kryesisht dorë të lirë në projektet e përbashkëta të armatimeve.

Politika e armatimit në provë

Ende nga repartet e prodhimit të të dy kompanive nuk kanë dalë prodhime të përbashkëta dhe do të zgjasë një farë kohe. Deri atëherë politika gjermane duhet të sigurojë që marrëveshja e vitit 1972 Schmidt-Debre nuk është më e vleshme sot.

Nëse kjo nuk arrihet qeveria federale nuk do të mund t'i kontrollojë më e vetme eksportet e armëve gjermane. Për industrinë e armatimeve, do të krijohej kështu një precedent, i cili mund të pasohet nga një ortek i vërtetë fuzionesh. Shumë fabrika të vogla armatimesh ka kohë që janë në kërkim partnerësh biznesi për të reduktuar vartësinë e tyre prej buxhetit gjerman të mbrojtjes. Nisur prej vatrave të vjetra dhe të reja të nxehta të konflikteve kërkesa globale për armë vitet e ardhshme nuk do të bjerë. Përkundrazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat