Të rinjtë serbë dhe shqiptarë shkollë verore për dialogun ndërkulturor

Lajme

Të rinjtë serbë dhe shqiptarë shkollë verore për dialogun ndërkulturor

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 19:44

Të rinjtë serbë dhe shqiptarë, të cilët morën pjesë në Shkollën Verore për Dialogun Ndërkulturor të të Rinjve në Epokën Dixhitale, e cila u zhvillua në periudhën 26-30 korrik 2015, u pritën sot nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi.

Gjatë takimeve, të rinjtë u shoqëruan nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig dhe nga Këshilltari i Parë i Ambasadës Serbe në Tiranë, Jugoslav Djordjević.

“Ne mund të këmbejmë informacione , mund të prodhojmë ide që lindin nga ngjashmëritë dhe ndryshimet midis dy vendeve në aspektin gjuhësor dhe tradicional dhe këtij informacioni nuk i duhet pasaporta, apo nënshtetësia. Kultura është një tokë pa kufi dhe bashkëbisedimi kulturor në epokën dixhitale na i afron akoma më shumë shkëmbimet”, u shpreh Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në takimin e sotëm .

Të rinjtë serbë treguan eksperiencën shqiptare të qëndrimit, duke e cilësuar të rëndësishme në njohjen dhe kuptimin e tjetrit. Nga diskutimet mes të rinjve, Ministres Kumbaro dhe Ambasadorit Raunig u theksua domosdoshmëria e bashkëbisedimit kulturor me mjetet e komunikimit dixhital.

“Epoka dixhitale dhe komunikimi përmes teknologjisë na afron në kohë reale dhe na bashkon në rrugën e nisur drejt integrimit evropian, rruga jonë e sigurt dhe e pakthyeshme”-shtoi Ministrja Kumbaro.

Me ndihmën e një ekipi të përbërë nga trajnues shqiptarë dhe serbë, i cili kishte në përbërje ekspertë nga Ministritë e Rinisë së të dy vendeve, si dhe duke vepruar në një mjedis që krijonte kushtet për një pjesëmarrjeje aktive, të rinjtë diskutuan dhe ndanë përvoja e ide rreth sfidave me të cilat përballet rinia shqiptare dhe serbe në ditët e sotme: Përfshirja e të rinjve në jetën publike dhe politike; politikat rinore të të dy qeverive; promovimi i vlerave demokratike dhe nxitja e dialogut ndërkulturor; roli i medias në dialogun ndërkulturor; kundërshtimi i paragjykimeve dhe stereotipave.

Aktiviteti u organizua bashkërisht nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë dhe nga Ministria e Sporteve dhe Rinisë e Republikës së Serbisë, në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar Rinor të Serbisë dhe me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Misionit të OSBE-së në Serbi.

Aktiviteti u organizua në zbatim të Memorandumit të Mirëkuptimit për Rininë të përfunduar nga kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë një vit më parë me qëllim ndërtimin e urave ndërmjet rinisë shqiptare dhe serbe.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është përfshirë në mënyrë aktive gjatë viteve të fundit me anë të shumë projekteve me qëllim forcimin e ndjenjës së angazhimit qytetar dhe përgjegjësisë ndërmjet të rinjve, si dhe për t’i ndihmuar ata që t’i dëgjohet zëri në procesin vendimmarrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat