Shtohet gati dyfish interesimi i qytetarëve të Kosovës për të pushuar në Shqipëri

Lajme

Shtohet gati dyfish interesimi i qytetarëve të Kosovës për të pushuar në Shqipëri

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 13:40

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë t’i qëndrojnë besnik udhëtimeve të tyre për pushime drejt bregdetit shqiptar.

Interesimi i tyre për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar është mjaft i shprehur sidomos për Sarandën, Ksamilin, Dhërminë, Himarën, Jalën, Shëngjinin e Velipojën.

Sipas pronarit të kompanisë turistike Sharr Travel, Ruzhdi Kurtishaj, në një prononcim për lajmi.net, tha se qytetarët e Kosovës, por edhe shqiptarët e Maqedonisë, Luginës së Preshevës por edhe qytetarë tjerë të shteteve të rajonit, kanë një interesim mjaft të shprehur për kryerjen e pushimeve drejt bregdetit shqiptar.

Sipas statistikave të kësaj kompanie, deri në muajin qershor të kësaj sezone, Velipoja dhe Shëngjini janë ndër plazhet shumë të kërkuara, duke pasur parasysh edhe strukturën në bazë të moshës. Mirëpo, prej fillimit të korrikut, udhëtimet që janë kryer nga kompania Sharr Travel, këto statistika kanë ndryshuar në favor të Sarandës, Ksamilit, Dhërmisë, Jalës, Himarës, Borshit, Qeparos etj.

Duke komentuar rastet e fundit të vrasjes së turistëve çek në Shqipëri dhe sulmeve terroriste në Turqi, Kurtishaj tha se sa i përket turizmit në Shqipëri, rasti i fundit nuk ka ndikuar aspak në zhvillimin e turizmit në bregdetin shqiptar, pasi siç vlerësoi ai, vrasje të ngjashme ka gjithkund nëpër botë dhe se, lidhur me këtë çështje, populli shqiptar gjithandej e ka dhënë mendimin e vet.

Edhe sulmet terroriste të ndodhura kohë më parë në Turqi, nuk e kanë ulur numrin e kërkesave të qytetarëve te Kosovës për të kaluar pushimet atje.

Gjithmonë, sipas statistikave të kompanisë Sharr Travel, ka një rritje prej 10-15 për qind të kërkesave të qytetarëve nga Kosova për të kaluar pushimin e tyre në Turqi, pra ky numër tregon se sulmet e ndodhura në Turqi nuk kanë ndikuar në turizmin e tyre dhe në kërkesat e qytetarëve te Kosovës për pushime atje.

“Gjatë vitit 2014 ka pasur një rritje mbi 20 për qind të kërkesave për udhëtime për të kaluar pushimet përmes agjencisë në fjalë, apo diku rreth 7 mijë udhëtarë më tepër se sa viti 2013, ndërsa për vitin 2015 për periudhën e njëjtë kohore, kërkesat janë shtuar 50 për qind për Jugun e Shqipërisë (Vlorë, Dhërmi, Jalë, Borsh, Himarë, Sarandë, Ksamil), ndërsa për Velipojë e Shëngjin, gjatë vitit 2015, kërkesat janë shtuar për 26 për qind”, ka thënë Kurtishaj, pronar i Sharr Travel.

Kjo kompani është e vetmja agjenci turistike që organizon udhëtime në gjithë bregdetin shqiptar, duke u ofruar klientëve të saj kushte të mira dhe të përshtatshme udhëtimi. Gjatë kohës sa edhe zgjat udhëtimi drejt bregdetit shqiptar, kompania në fjalë në bashkëpunim me kompaninë Ipko, u siguron udhëtarëve shërbimet e IPKO-së dhe Wi-fi gratis gjatë udhëtimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat