Protesta dhe sulme ndaj azilkërkuesve në Gjermani

Lajme

Protesta dhe sulme ndaj azilkërkuesve në Gjermani

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 13:29

Islamizmi dhe emigrimi janë kthyer një kryefjalën e shumë protestave të fundit në Gjermani. Ndërkohë që çështja e azilkërkuesve vijon të jetë në krye të agjendës politike gjermane, në disa prej qyteteve të këtij shteti kanë vijuar protestat dhe sulmet ndaj azilkërkuesve myslimanë.

Ministria e Brendshme gjermane tha se vetëm sivjet ka pasur 173 sulme ndaj qendrave të azilkërkuesve.

Mbrëmjen e së hënës, më shumë se 2000 vetë marshuan në rrugët e Dresdenit në mbështetje të lëvizjes "Pegida", lëvizje që lufton kundër “islamizimit të Perëndimit” e që tërheq sa përkrahës të ekstremit të djathtë, ashtu edhe njerëz të thjeshtë, të cilët emigracionit i kundërvihen vetëm sepse u druhen pasojave të tij.

Shumica e gjermanëve janë pro hapjes së dyerve për azilkërkuesit që vijnë nga vende lufte, por edhe të varfra. Por jo të gjithë mendojnë kështu.

Një pjesë e shohin emigracionin si zgjidhje të mundshme të vjetrimit demografik të vendit apo nevojës për krah pune të specializuar. Por, mbi të gjitha, në një vend ku e kaluara ende e njollos të tashmen, çdo manifestim i ndjenjave raciste shkakton trazim të thellë.

Politikanët janë përfshirë prej muajsh tashmë në një debat që vërtitet rreth këtyre dy pyetjeve: e para, përse duhet paguar për refugjatët që vërshojnë në Gjermani? Dhe pyetja tjetër: a ka ndonjë mënyrë për ta reduktuar numrin e tyre?

Qeveria federale gjermane pranoi së fundi t’u akordojë landeve 1 milionë euro në mënyrë që t’i bëjnë ballë faturës gjithmonë e më të lartë të emigracionit. Për kryeministrin e Bavarisë, një shumë e tillë nuk ishte e mjaftueshme. Horst Seehofer, kryetar i CSU-së, partia simotër e konservatorëve të Angela Merkelit, është njeriu që qëndron pas planeve të shumëdebatuara për uljen e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi.

Në muajin dhjetor, Berlini shpalli Serbinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Maqedoninë vende të origjinës së sigurt, çka e bën më të lehtë refuzimin e azilkërkuesve prej këtyre shteteve. Me numrin e refugjatëve nga Kosova, shqiptarë e malazezë të rritur në nivelin 500%, nuk është çudi që mjaft politikanë gjermanë janë treguar të gatshëm t’i shtojnë kësaj liste edhe vendin tonë e Kosovën.

Në parlamentin gjerman pritet të votohet projektligji për heqjen e ndihmës sociale prej gati 150 eurosh në muaj për azilkërkuesit, si një masë për largimin e tyre nga vendet nga vijnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat